Seminari i parë për gjuhën shqipe në Preshevë

Në datat 9-10 nëntor Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve të Luginës dhe Shtëpia Botuese “Albas” - Tiranë dhe Albas - Preshevë, organizuan në shkollën 8-vjeçare “Ibrahim Kelmendi” të Preshevës një seminar për lëndën e gjuhës shqipe për të dy ciklet. Tekstet e gjuhës shqipe të shtëpisë botuese Albas janë të miratuara nga Ministria e Arsimit e Serbisë.

Ky seminar u parapri nga dy emisione televizive, një në televizionin e Preshevës, dhe një në TV Aldi të Bujanovcit, që u mbajtën më datën 9 nëntor, ku drejtuesit e shtëpisë botuese Albas, znj. Rita Petro dhe z. Latif Ajrullai, autorët e teksteve të gjuhës shqipe, znj. Natasha Pepivani, Znj.Adelina Çerpja dhe z. Idriz Metani, shpalosën para teleshikuesve kënaqësinë që fëmijët e kësaj luginë po mësojnë gjuhën shqipe me tekstet e shtëpisë botuese Albas. Ata shpjeguan politikat e Albasit, për t’u shtrirë në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, si dhe arritjet pozitive të kësaj shtëpie botuese në 12 vjetët e krijimit të saj. Po kështu anëtarët e Këshillit Kombëtar z. Zejni Fejzullahu dhe z. Qenan Hetemi, bënë vlerësime mjaft pozitive për tekstet e gjuhës shqipe me të cilat po punohet në shkollat e Preshevës dhe që janë mirëpritur nga mësuesit e nxënësit.

Më datën 10 u zhvillua seminari me temë: Letërsia dhe Gjuha shqipe në tekstet shkollore (Interpretimi i përmbajtjeve mësimore në tekstet Gjuhës shqipe). Fjalën përshëndetëse e mbajti Nënkryetari i Këshillit Kombëtar z. Mentor Nuhiu, i cili e vlerësoi si një nga seminaret më të rëndësishëm për gjuhën shqipe në kuadër të festës së pavarësisë. Në seminar morën pjesë më shumë se 150 mësues nga të gjitha shkollat e Luginës së Preshevës, të cilët u ndanë në dy grupe sipas cikleve ku u bë interpretimi i përmbajtjeve mësimore në tekstet: Gjuha shqipe nga klasa II deri në klasën VIII. Ligjërues ishin autorët e teksteve të gjuhës shqipe.                       Qëllimi i seminarit ishte rritja e cilësisë dhe efektivitetit të mësimdhënies të lëndës së gjuhës shqipe, mbështetur në Planin dhe programin e mësimit shqip në shkollat e Luginës. Në pjesën e parë të seminarit u zhvilluan seanca trajnimi nga autorët e teksteve duke u ndalur te:

  • Zbërthimi i informacionit letrar e gjuhësor në klasa të ndryshme;
  • Struktura tërësore e çdo teksti dhe e çdo njësie mësimore;
  • Struktura didaktike - rubrikat e çdo njësie mësimore, përmes të cilave bëhet gërshetimi i informacionit të ri me rimarrjen e njohurive të mëparshme, si bazë për formimin e kulturës së përgjithshme gjuhësore;
  • Integrimi i njohurive letrare me ato gjuhësore, duke mbajtur parasysh moshën e nxënësve;
  • Dhënia e modeleve didaktike, si metoda e teknika të mësimdhënies etj.

Në pjesën e dytë të seminarit u shkëmbyen ide dhe përvoja ndërmjet pjesëmarrësve, për një mësimdhënie sa më cilësore të gjuhës shqipe dhe në gjuhën shqipe.

Në fund për pjesëmarrësit u shpërndanë certifikata kualifikimi. Ajo që na ra në sy ishte pritja shumë e ngrohtë si nga organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit e seminarit. U shkëmbyen mendime, përvoja, u trajtuan çështje didaktike dhe të zbërthimit të planit mësimor.

Shpresojmë që ky seminar i parë, që u zhvillua edhe në atmosferën e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, të jetë fillimi i seminareve dhe shkëmbimeve të vazhdueshme të marrëdhënieve të shtëpisë botuese ALBAS me përdoruesit e të gjitha teksteve që boton ajo.

 
 
 
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj