Mirënjohje për autorët e Abetares Mbarëkombëtare

Manifestimi në Tetovë me rastin e ditës së alfabetit shqip dhe 100 vjetorit të Pavarësisë

Më 22 nëntor, në orën 18.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt një manifestim madhështor me rastin e ditës së alfabetit shqip dhe 100 vjetorit të Pavarësisë. Ky aktivitet u organizua nga Qendra e Kulturës, Shoqata e Pedagogëve Shqiptarë të Maqedonisë, Universiteti Shtetëror i Tetovës, si dhe Biblioteka e qytetit. Në këtë aktivitet kishte mjaft të ftuar nga Prishtina e Tirana, politikanë, studiues, autorë tekstesh shkollore e mësues.

Kryetari i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë të Maqedonisë, Fadil Lushi, mbajti një referat kushtuar Kongresit të Manastirit. Pas recitalit kushtuar gjuhës shqipe, u ndanë “Mirënjohje” për autorët e abetareve në Maqedoni.

Një nga këto “Mirënjohje” i takoi shtëpisë botuese Albas për Abetaren mbarëkombëtare, të botuar në vitin 2009. Është e para abetare e hartuar nga një grup i përbashkët autorësh nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova (Rita Petro, Mirela Tërova, Natasha Pepivani, Flutura Çitaku, Vehbi Kadriu). Gjatë këtyre viteve kjo abetare përdoret në shkolla të këtyre trevave dhe ka qenë ndër më të kërkuarit nga mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.

Për të marrë fletën e “Mirënjohjes” u ftua në skenë autorja Rita Petro. Ajo falënderoi organizatorët e manifestimit, duke nënvizuar se ndihej mjaft e lumtur që ndodhej në këtë aktivitet dhe se kjo mirënjohje në radhë të parë i takonte shtëpisë botuese ALBAS, e cila që në vitin e saj të krijimit (2000) e drejtoi politikën e saj nga botimi i teksteve të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë. Tashmë ALBAS ndodhet me librat e saj në të gjitha trevat shqiptare, dhe, rasti më i fundit është miratimi i gjithë linjës së teksteve të gjuhës në Preshevë e Bujanovcë.

Manifestimi u mbyll me kantatën kushtuar Kongresit të Manastirit nga Orkestra e Qendrës së Kulturës, orkestra dhe kori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, si dhe nga Filarmonia e Shkupit, Tiranës e Prishtinës.

 
 
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj