Konferenca për gjuhën Shqipe

Më 29 mars, shtëpia botuese "Albas” mori pjesë në konferencën kombëtare "Gjuha dhe letërsia në shkolla në prag të reformës", organizuar nga Universiteti i Vlorës. Në këtë konferencë, ku morën pjesë personalitete të gjuhës e letërsisë, studiues, autorë e mësues u trajtuan një sërë çështjesh për gjuhën dhe letërsinë në shkollat tona. Me kënaqësi vumë re se pati kumtesa ku tekstet e gjuhës shqipe të shtëpisë botuese “Albas” u vlerësuan si tekste shumë të mira, madje të krahasueshme denjësisht me tekste evropiane.

Znj. Rita Petro dhe znj. Natasha Pepivani në kumtesën “Procesi i decentralizimit të kurrikulës dhe i teksteve të Gjuhës shqipe përballë mendësisë centralizuese”, që u ndoq me mjaft interes nga të pjesëmarrësit, theksuan vlerën demokratizuese të reformës së Alterteksit, “e cila solli prurje të mira e origjinale edhe në tekstet e Gjuhës shqipe. Por, ndërkohë, botimi i alternativave u pasua edhe me problematika të reja e debate mes specialistësh, një prej të cilëve, më i përhapuri, është ai i integrimit të gjuhës me letërsinë.

... Kur themi se studimi i Letërsisë si disiplinë më vete nuk duhet të ngatërrohet as me Gramatikën dhe as me Edukimin tekstor, kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër integrimit, përkundrazi jemi të vetëdijshëm se integrimi lëndor dhe ndërlëndor është parimi numër një i metodologjisë didaktike në arsimin e sotëm bashkëkohor. Ne jemi kundër zgjidhjes arbitrare që kërkon të shkrijë disiplinat e Gramatikës apo Edukimit tekstor me Letërsinë pa marrë parasysh objektin e studimit të secilës prej tyre”.

Një problematikë me interes që u trajtua në këtë kumtesë ishte dhe ndarja e gjuhës me letërsinë: “Përvoja e kurrikulave të vendeve të përparuara Gjuhën amtare e sheh si një lëndë të vetme dhe brenda kësaj kurrikule përfshihen të realizuara fusha të veçanta që lidhen me Letërsinë, Njohuritë gramatikore, Kulturën dhe historinë e gjuhës, Dialektologjinë e Leksikologjinë, Edukimin tekstor, Teorinë e komunikimit etj., të cilat mund të jenë në libra të veçantë ose në një libër me kapituj të ndryshëm”.

Foto Konferenca
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj