Përurohet libri autobiografik "Muza e Parë e sopranos Jorgjia Truja në Kuvendin e Shqipërisë

Ky libër që mban logon e shtëpisë botuese Albas u promovua në dt. 30 prill 2014 nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë aktivitetit morën pjesë Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, akademikë, muzikologë, figura të njohura të muzikës dhe të letërsisë, miq dhe të afërm të artistes së madhe Jorgjia Truja.


Në fjalën përshëndetëse Meta shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij aktiviteti në mjediset e Kuvendit për këtë pioniere të artit dhe të muzikës operistike shqiptare. Ai tha: “Jeta e saj vjen përmes një libri të kuruar me kujdes dhe me dashuri nga familjarë të saj dhe ekspertë të muzikës, vjen si një kujtim i një kohe së shkuar, që nisi në vigjiljen e shekullit të shkuar dhe që hyn në duet edhe me kohën tonë.
Botuesja e librit, znj. Rita Petro u shpreh se muzika për artisten Jorgjia Truja ka qenë udhërrëfyesja e çdo kohe që nga fëmijëria deri në fund të jetës. “Ndihem shumë e nderuar sot dhe e emocionar kur sapo hymë në këtë sallë dëgjuam zërin e ngrohtë e të mrekullueshëm të saj,”- e nisi fjalën e saj ajo.

Rita Petro
Jorgjia Truja - këngëtorja gryk-argjendë


Teksa e lexon librin “Muza e parë” të duket sikur pranë veshit të vjen zëri i Jorgjia Trujës që rrëfen e njëkohësisht sikur këndon...prandaj, në mënyrë figurative do ta quaja këtë libër në tepër një autobiografi muzikore. Me një stil mjaft të rrjedhshëm, të ngrohtë, aq komunikues dhe me një sinqeritet, ndonjëherë deri në një bukuri naive, libri të rrëmben që në faqet e para, e veçanërisht pjesët e shkruara në vetën e parë nga autorja. Siç shprehet dhe vetë Jorgjia muzika është udhërrëfyesja e saj e çdo kohe që nga fëminija e deri në fund të jetës. Muzika për të ka qenë angazhim. Kur kthehet pas studimeve në atdhe dhe shkon te kërkojë punë te ministri Hilë Mosi, ai i thotë: “Bo bo ç’të të bëjmë ty tani?! Ajo thjesht i kërkon të jetë mësuese. Jorgjia luajti rolin e një artisteje të angazhuar në kohërat më të vështira të atdheut gjatë luftës, gjatë kohës së diktaturës dhe më pas...me ardhjen e demokracisë...kur ishte tepër e moshuar, ajo do të shprehet në epilogun e saj:

“Megjithatë këmbët, lëvizjet, shqisat kanë filluar të më lënë. Unë mundohem t’i kap informacionet e reja, t’i gëzohem lirisë së mendimit, lirisë së komunikimit, kënaqësisë së dyerve që hapen e do të hapen përpara krijuesve, këngëtarëve, instrumentistëve përpara kulturave dhe eksperiencave botërore. Kjo është kënaqësia e re që m’u dha mua tashti, pjesëmarrja e tyre në konkurse bëjnë që unë ta ndiej të renë. Unë jetoj me ta. Faleminderit Demokraci.”.

Por nga ana tjetër, jashtë angazhimit, Jorgjia si artiste besoi dhe u mbështet te muzika si forma më e lartë dhe më e pastër e shprehjes dhe e kënaqësisë njerëzore. Në këtë rast është arti që ngrihet mbi angazhimin.

Jorgjia e nisi jetën artistike në vitet më të begata të artit shqiptar që janë vitet ’30 kur shkruanin kolosët e letërsisë shqipe si Fishta, Faik Konica e Lasgush Poradeci dhe kur u hodhën bazat e artit modern shqiptar të ndikuar nga Perëndimi. Lasgushi e quan Jorgjinë këngëtore gryk-argjendë dhe zërin e saj me valë të florinjtë..dhe ajo këndoi këngë të frymëzuara mbi vargjet e tij.

Jorgjia nuk është vetëm një dashuruese e muzikës shqiptare, por dhe e gjuhës shqipe: “Shqipja jonë e bukur tingëllon aq e bukur në të folur sa edhe në të kënduar”. Këtë e dëshmojnë dhe faksimilet e dorëshkrimeve të saj të shkruara me një kaligrafi dhe gjuhë të përsosur.

Një libër autobiografik është jeta dhe vepra e një njeriu. Dhe një libër i tillë e ka brenda mesazhin mjaft të madh për lexuesin e çdo kohe... të mos harrojmë se jeta e një libri është shumë më e gjatë se jeta reale e një personi... Duke u nisur nga kjo, do të doja të rikthehesha në faqet e para të rrëfimit kur Jorgjia shkruan se pas vdekjes së babait nëna e saj i lutej cdo mbrëmje zotit ta ndihmonte të rriste fëmijët e saj. Dhe papritmas një natë në muzgun e mbrëmjes dikush troket në derë dhe i zgjat nënës së saj një zarf e zhduket. Zarfi kishte 5 stërlina... “Për tërë jetën kjo enigmë mbeti pa përgjigje dhe mbeti në konkluzionin se ishte vetë Engjëlli i Zotit!”. Por Jorgjia nuk do ta pranonte asnjëherë që fati vinte vetëm nga ndihma e Zotit.

“Natyra më kish dhuruar zërin – thotë ajo. Kënga për mua ish gëzimi i jetës!.... dhe në të vërtetë u kthye në burimin e jetës së saj.

Jorgjia Truja ishte dhe mbetet e para artiste lirike, e para regjisore e operas shqiptare, e para vajzë nga qyteti që shkoi për studime jashtë shtetit...e para... e para... në shumë gjëra... Ne gratë e sotme e kemi shumë më kollaj dhe të hapur rrugën nga gratë si Jorgjia Truja. Jeta mjafton për të realizuar ëndrrën, nëse guxon dhe lufton për të.

Akademiku z.Vasil Tole që u përkujdes për botimin e këtij libri tha se “atë ç’ka e bën të rëndësishme për të gjithë, është që përmes jetës së Jorgjie Trujës, ne mund të kuptojmë historinë e Shqipërisë të këtyre 80 viteve të fundit, pasi Jorgjie Truja, Tefta Tashko, Marie Kraja, janë zbatues në terren të ëndrrës së rilindësve shqiptarë.

Muzikologia e njohur, znj. Suzana Shuteriqi e vlerësoi artisten Jorgjia Truja si lajmëtaren e emancipimit të gruas shqiptare. “Kam nderin të flas këtu, në këtë tempull ku ajo ishte deputete për 6 legjislatura për një grua të rrallë, e cila edhe nga leximi i librit del e tillë. Një grua që bëhet e admirueshme, për kurajën, për optimizmin, për forcën e karakterit, përkushtimin me të cilat iu dha profesionit të saj, por edhe për rolin e saj në emancipimin e gruas shqiptare.

Në emër të familjes, vajza e artistes dhe njëkohësisht në rolin e autores që u përkujdes për të gjithë dokumentacionin e librit, znj. Takuina Truja Adami, falënderoi Kryetarin e Kuvendit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për botimin e këtij libri në nder të artistes së madhe Jorgjia Truja.

Foto Ceremonia
 
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj