Albas, fitues i çmimit për botimin më të mirë studimor

Shtëpia botuese Albas ishte e pranishme në Panairin e 16-të të Librit të zhvilluar në Tiranë, një nga panairet më të rëndësishme për librin në gjuhën shqipe. Ishin të shumtë lexuesit që vizituan stendën e Albas-it, të cilët vlerësuan cilësinë e librave, si nga ana e përmbajtjes, ashtu dhe nga cilësia e shtypshkrimit. Albas-i solli këtë vit mbi 10 tituj të rinj universitarë dhe mbi 30 tituj të rinj për fëmijë, si dhe tituj të rinj të serive ekzistuese.

Foto Ceremonia
 
 
 
 
 
 

Më 15 nëntor, në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve u përuruan dy libra studimorë: “Sistemi poetik i Sabri Hamitit” me autor Ibrahim Rugovën dhe “Zef Pllumi” me autor Sabri Hamitin. Në takim ishin të pranishëm ministrja e kulturës Znj. Mirela Kumbaro, zëvendësministrja e Arsimit Znj. Nora Malaj, akademikët Znj. Floresha Dado e Z. Ali Aliu, si dhe pedagogë, studiues e studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Për vlerat e librit të Rugovës folën studiuesit Mark Marku dhe Agron Tufa, ndërsa për veçantinë e stilit studimor të Sabri Hamitit në veprën për Zef Pllumin foli studiuesi Agron Gjekmarkaj. Takimi më pas vazhdoi me një bashkëbisedime mes autorit Sabri Hamiti dhe studentëve të letërsisë, të cilët u përqendruan te analiza e sistemit të mendimit dhe të veprimit të misionarit të kulturës shqipe At Zef Pllumit.

Foto Ceremonia
 
 
 

Shtëpia Botuese Albas fitoi çmimin e Panairit për librin më të mirë studimor me autor studiuesin e mirënjohur Sabri Hamiti me motivacionin: “Për librin studimor “Zef Pllumi”, në të cilin rigoroziteti dhe eleganca shoqërojnë përkufizimin e një figure madhore për “sui generis” të letrave shqipe.” Është hera e tretë që Albas-i fiton çmimin e Panairit për veprën më të mirë.

Foto Ceremonia
 
 
 

Në stendën e Albas-it u përuruan librat për fëmijë të autorëve shqiptarë, Rudina Çupi me poemën “Pica, pica, vetëm pica”; Natasha Poroçani me vëllimin me tregime: “Pa e vrarë mendjen” dhe Sazan Goliku me tregimin “Fluturimi i Markut”. Në veprimtaritë argëtuese të organizuara me këtë rast, lexuesit e vegjël kontaktuan me autorët dhe i morën librat të nënshkruara prej tyre. Gjithashtu u përuruan dhe seritë Fletoret gjigante, Të lexojmë për 5 - 10 - 15 minuta, për lexuesit fillestarë, si dhe seria Përralla që tregohen nga të rriturit dhe lexohen nga të vegjlit. Fansat e revistës Grupsat, ishin si gjithnjë të pranishëm, të interesuar për abonimet e vitit të ardhshëm, si dhe për aktivitetet në prag të festimeve të fundvitit.

Foto Përurimet
 
 
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj