Rreth nesh

Shtëpia botuese ALBAS është krijuar në vitin 2000. Që në fillimet e saj ALBAS-i ka pasur dhe vazhdon të ketë si parësore, botimet shkollore. Me seli në Tiranë, Tetovë, Prishtinë dhe Preshevë, ALBAS-i jo vetëm që e sjell tekstin shqip sa më afër nxënësve në hapësira të ndryshme gjeografike, por edhe e përpilon atë sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në këto vende.

ALBAS-i e drejtoi potencialin e saj për botimin e teksteve shkollore fillimisht në Maqedoni (2001), në Kosovë (2004), e më pas, me fillimin e reformës së Altertekstit, në Shqipëri (2005 dhe në vazhdim), ku operon me një numër të madh tekstesh shkollore, si dhe gjatë viteve të fundit në Preshevë, ku janë miratuar nga Ministria e Arsimit linjat e teksteve të Gjuhës shqipe dhe të teksteve të Historisë. Për lëndët me rëndësi kombëtare, si Gjuha shqipe dhe Historia e shqiptarëve ALBAS-i ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me grupe pune, ku bëjnë pjesë autorë të njohur të këtyre trevave, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.

Një nga projektet më të mëdha të ALBAS-it, (i përuruar së pari në panairin e librit në Tiranë (në nëntor 2009) dhe në Prishtinë (mars 2010) është përgatitja e paketës “Abetare mbarëkombëtare” e hartuar nga një ekip pune me specialistë didaktë e gjuhëtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova, një paketë kjo nga më të realizuara deri më sot për mësimin gjuhës amtare. Kjo paketë përdoret nga shumë mësues në Maqedoni, Kosovë, Preshevë, si dhe është mirëpritur në Diasporë.

Një prioritet i Albas-it vitet e fundit është projekti “Botimet për ciklin parashkollor”. Ky projekt ka nisur në vitin 2008 me botimin e paketave të ndryshme mësimore që realizojnë objektivat e programit shkollor për fëmijët e kësaj moshe. Në këtë projekt ALBAS-i po bashkëpunon me disa shtëpi botuese perëndimore për të sjellë te fëmijët e vegjël mjaft seri që lidhen me tema aq aktuale: Të mbrojmë planetin; Le të flasim hapur; Sjelljet më të mira etj., apo dhe libra të tjerë artistikë e shkencorë.

Projekt tjetër në vazhdim dhe që po plotësohet me një numër i konsiderueshëm titujsh, është dhe botimi i librave universitarë; librave psikologjikë, artistikë e studimorë.

Viteve të fundit ALBAS-i e ka shtuar numrin e titujve që vijnë si bashkëpunim i saj me botues nga vende të ndryshme, si Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Kroacia, Anglia, Rusia, Amerika etj.

Një historik i shkurtër

Për herë të parë Albas u shfaq në treg me revistën mujore për fëmijë “ALBA” (2000) duke realizuar shumë numra të saj. Kjo revistë u ndoq me interes nga lexuesit e vegjël në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Më pas hodhi në treg kolanën “LeximPlus”, me pjesë të zgjedhura dhe komente për veprat më të njohura letrare që trajtoheshin në programet mësimore.

Dy nga veprat më kryesore të fillimeve të shtëpisë botuese kanë qenë “Letërsia moderne shqiptare” (Sabri Hamiti Tiranë, 2000), e cila përfshin zhvillimet e letërsisë shqiptare në gjysmën e pare të shek. XX, dhe “Letërsia bashkëkohore shqiptare” (A.Aliu, Sh.Sinani…Tiranë 2001). Vlera e botimit të këtyre librave ishte se ato për herë të parë sollën trajtime të moderuara të letërsisë shqiptare, të cilat mungonin në treg në fillim të viteve ‘90. Nga ana tjetër, këto tekste u bënë një mjet i domosdoshëm pune për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë, të cilët shumë vite nuk kishin asnjë tekst që të trajtonte letërsinë shqiptare të kësaj periudhe.

Në konkurset e para (2004) të organizuara nga MASH-i në Shqipëri, ku u ftuan shtëpi botuese private, ALBAS-i fitoi tekstin e parë alternativ “Letërsia dhe gjuha shqipe 10”, në të cilin u bënë përpjekjet e para për një integrim ndërlëndor, ndërsa në vitin 2005 fitoi tekstet “Gjuha shqipe 2”, “Gjuha shqipe 6” dhe “Historia 6”, të cilat sollën një frymë krejtësisht të moderuar në trajtimin shkencor e metodik të këtyre lëndëve.

Kur nisi reforma arsimore në Shqipëri në drejtim të teksteve shkollore (2006), ALBAS-i ka qenë ndër të parat shtëpi botuese që u bë pjesë e rëndësishme e kësaj reforme dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot. Tekstet e saj u kthyen në model në drejtim të përmbajtjes, konceptimit shkencor e metodik bashkëkohor të lëndës; në drejtim të dizajnimit modern dhe të cilësisë së shtypit, duke ia ndryshuar krejtësisht fytyrën teksteve shkollore të përdorura deri në atë kohë në Shqipëri dhe duke u kthyer në model për shumë botues të tjerë.

Gjithashtu, shtëpia botuese Albas ka meritën e krijimit të rrjetit të distribucionit të teksteve shkollore që operon në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Albas-i ishte ndër të parat shtëpi botuese që politikën e saj të botimit e drejtoi në krijimin dhe plotësimin e linjave të teksteve shkollore, si dhe në botimin e librave të mësuesit, zbërthime planprogramesh e objektivash, teste, mjete mësimore etj. Kontaktet e Albas-it nëpër seminare me mësues të ndryshëm kanë ardhur duke u shtuar dhe veçanërisht nëpërmjet web-site, ku mësuesve u janë krijuar mjaft mundësi për të shfrytëzuar falas materiale ndihmëse.

Synimi kryesor i ALBAS-it ka qenë dhe është të krijojë një bashkëpunim profesional me mësuesit, i cili ndikon si në përmirësimin e cilësisë së teksteve, ashtu dhe në përmirësimin e një mësimdhënie bashkëkohore. Kjo ka bërë që tekstet e ALBAS-it të jenë nga më të vlerësuarat dhe më të përzgjedhurat nga mësuesit. Shtëpia botuese ALBAS ka një numër të madh bashkëpunëtorësh: studiues, pedagogë, punonjës shkencorë e didaktë, mësues të kualifikuar, të cilët kanë sjellë në botime koncepte bashkëkohore, shkencore dhe didaktike.

Themelues të shtëpisë botuese Albas janë LATIF AJRULLAI dhe RITA PETRO.

Presidenti i firmës Albas-grup:
Latif Ajrullai (i diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magistër i Farmacisë, për shumë vite ka punuar profesor i kimisë; përkthyes i disa librave psikologjikë dhe shkencorë; autor i disa teksteve shkollore)

Drejtoresha e botimeve:
Rita Petro (e diplomuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë shqipe-letërsi; e specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë greke); në vitet 1985 – 2000 ka punuar si redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor; gjatë viteve’95 –’97 ka dhënë një ndihmesë mjaft të ndjeshme për hartimin e planprogrameve dhe teksteve të përbashkëta mes Shqipërisw dhe Kosovës. R. P është bashkautore në mbi 35 teksteve shkollore, të cilat përdoren në të gjitha trevat shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë); poete e 4 vëllimeve me poezi, shumë prej të cilave janë përfshirë në disa antologji të letërsisë botërore bashkëkohore.

Drejtor për degët në Maqedoni dhe Kosovë:
Driton Ajrullai: me një eksperiencë të gjatë në fushën e drejtimit të kompanive të shtypshkrimit; i trajnuar dhe i kualifikuar për menaxhim si dhe për Artdizajn.

Përgjegjëse e redaksisë:
Natasha Pepivani (e diplomuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë shqipe-letërsi; në vitet 1985 – 2000 ka punuar si redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor; për shumë vjet ka punuar mësuese në shkollë të mesme, si dhe drejtuese në arsim; ka afro një përvojë 28 vjeçare në redaktimin e teksteve shkollore; pjesëmarrëse në grupe pune për hartimin e programeve të gjuhës shqipe; autore e shumë teksteve shkollore të gjuhës shqipe.

Përgjegjëse e sektorit të dizajnit:
Eva Kukaleshi ka një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e dizajnimit të teksteve shkollore; është e kualifikuar në disa qendra trajnimi të huaja për Artdizajner me synim didaktik.

Shtëpia botuese Albas ka një staf profesionist, i cili ka një përvojë të gjatë në përgatitjen e teksteve shkollore.

ekipi

Vizioni i shtëpisë botuese ALBAS
Edukimi i komunitetit në përputhje me standardet bashkëkohore.

Misioni i shtëpisë botuese ALBAS
Shtëpia botuese ALBAS është bërë lider në tregun e librit shkollor. Kjo për arsye se vizioni i saj përputhet me vizionin e një biznesi që synon siguri dhe besueshmëri në të ardhmen.

Filozofia e shtëpisë botuese ALBAS
Edukimi i komunitetit në përputhje me standardet bashkëkohore.

  • Lidershipi: Guximi për të përballuar çdo sfidë që lidhet me politikat arsimore; vendosmëria për të mos prishur rregullat e tregut konkurrues; synimi për ta mbështetur gjithnjë biznesin tonë mbi cilësinë, që siguron besueshmërinë.

  • Besueshmëria: Ne nuk prodhojmë dhe nuk tregojmë thjesht libra. Përpiqemi që njohuritë shkencore në tekste t’i sjellim me metoda bashkëkohore dhe me një frymë moderne që synon një emancipim kulturor gjithëpërfshirës të brezit të ri.

  • Bashkëpunimi: Jemi të hapur ndaj të gjitha vërejtjeve; i reflektojmë të gjitha ato që janë të arsyeshme. Jemi të hapur ndaj të gjitha sugjerimeve të mësuesve dhe i mbështesim ata me materiale bashkëkohore të mësimdhënies dhe trajnime”.

  • Pasioni: Të përkushtuar me mish e shpirt, duke e quajtur nxënësin jo thjesht një klient çfarëdo, por një fëmijë të shtrenjtë e të rëndësishëm, nga i cili varet e ardhmja e vendit.

  • Risia: Gjithnjë jemi me parimin që të mos flemë mbi atë çka kemi arritur; motoja jonë është: “Kërko, imagjino, studio, krijo gjithnjë gjëra të reja”.

  • Cilësia: Çfarë ne bëjmë, e bëjmë mirë

  • Slogani i shtëpisë botuese ALBAS
    “Me ne më pranë dijes”.

    panairi

    ALBAS në Facebook

    pino

    Tituj të rinj