Seminari "Mënyrat didaktike për ta afruar fëmijën me librin"

Shtëpia botuese ALBAS organizoi më datën 11 maj 2013, në mjediset e Hotel Grand-it në Prishtinë, seminarin për mësueset e arsimit parashkollor me temë “Mënyrat didaktike për ta afruar fëmijën me librin”.

Kjo veprimtari u ndoq me shume interes nga më shumë se 200 mësuese të arsimit parashkollor të Kosovës e të Preshevës, si dhe prindër.

Vlen të përmendet edhe pjesëmarrja dhe interesi i veçantë që u tregua për punimet e këtij seminari nga përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, zj. Labëri Luzha, specialiste e arsimit parashkollor; znj. Mevlude Aliu, z. Bashkim Aliazemi dhe përfaqësues të tjerë nga Institutit Pedagogjik. Ata përmes fjalës së tyre theksuan politikat që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka për arsimin parashkollor, shprehën konsideratat e tyre për punimet e seminarit, si dhe vlerësimet për botimet e shtëpisë botuese Albas.

Seminarin e hapi nj. Kosovare Kelmendi, redaktore në shtëpinë botuese Albas, dega Prishtinë, e cila ia dha fjalën znj. Rita Petro, drejtoreshë e Shtëpisë botuese ALBAS. Znj. Petro i njohu pjesëmarrësit me politikat e botimeve të kësaj shtëpie botuese, në ndihmë të edukimit të hershëm të fëmijëve. Ajo theksoi se materialet mësimore-edukative për arsimin parashkollor nga mosha 3 deri në 6 vjeç, synojnë:

  • a. të ndihmojë mësueset dhe prindërit për formimin gjuhësor, social, shkencor, fizik e artistik të fëmijëve në mënyrë sa më të natyrshme, duke iu ofruar atyre informacion të larmishëm, argëtues dhe sa më pranë botës së fëmijëve, në përputhje me programet dhe standardet e miratuara nga MASH;
  • b. të pasurohen bibliotekat e kopshteve dhe të familjeve me libra cilësorë nga përmbajtja dhe forma, që të kultivojmë që në moshat e hershme dashurinë për librin dhe që të reflektojnë bashkëkohësi e kulturë.

Gjithashtu, znj. Petro dha një panoramë të gjerë të botimeve dhe lodrave të shumta për fëmijë, që kjo shtëpi botuese vë në dispozicion, si dhe shpjegoi risitë që sjellin këto botime, të cilat sjellin veç botës fantastike të përrallave, botën e gjallë me problematikën e gjerë që realiteti sjell para fëmijëve, duke e dhënë atë përmes gjuhës së fëmijës. Po kështu, auditorit iu bënë të njohura edhe botimet e reja që do të dalin së shpejti.

Në fjalën e saj, znj. Lirdona Krasniqi, edukatore në kopshtin “Klea”, Prishtinë, solli përvojën nga puna me paketën “Një hap drejt shkollës”, kurse edukatorja Shkurte Vitia foli për paketën “Hop Hop”. Ato theksuan vlerat e këtyre paketave dhe treguan konkretisht si i përdorin ato në kopshtet e tyre.

Në seancën e dytë, pas një pushimi kafeje, autore të paketave dhe teksteve të mësuesit:

- Znj. Natasha Pepivani për paketën “Një hap drejt shkollës” të grupit III,
- Znj. Rita Petro për librin “9 Miqtë e mi” të grupi II,
- Znj. Mirela Tërova për paketën Hop-Hop të grupi I,
- Znj. Rudina Çupi për rolin e mjeteve didaktike dhe të librave për zhvillimin e fëmijëve

shpjeguan në mënyrë konkrete nëpërmjet prezantimit në Power Point, të metodikave mësimore për zhvillimin gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor të fëmijëve për secilin libër. Referueset bënë zbërthimin e informacionit, dhanë shpjegime për strukturën tërësore të çdo teksti e të çdo njësie mësimore, për elementet didaktike - rubrikat e çdo njësie mësimore, përmes të cilave bëhet gërshetimi i informacionit të ri me rimarrjen e njohurive të mëparshme etj. Gjithashtu ato theksuan se teksti didaktik, si mjeti efikas për realizimin e objektivave të programit për secilën grupmoshë, duhet të plotësohet e të pasurohet edhe me libra argëtues të përshtatshëm për moshën, si dhe lodra e lojëra.

Në përfundim të pranishmit bënë pyetje dhe shkëmbyen sugjerime, mendime, përvoja, si dhe përgëzuan për punën dhe nismën e zhvillimit të këtyre seminareve, të dobishme për të gjitha palët. Në fund pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata.

Duke marrë shkas nga ky seminar, jemi të hapur të zhvillojmë aktivitete të tilla bashkëpunimi të dyanshme me të gjithë ju që jeni përdoruesit e teksteve që boton Shtëpia botuese ALBAS, duke ju ftuar të na sugjeroni vendin, datën dhe tematikën e seminareve që juve ju nevojiten.

 
 
 
 
 



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj