Seria: Klasikët për të vegjël (mbi 8 vjeç)

Klasikët e mëdhenj, të përshtatur për lexuesit vegjël. Këta libra i njohin fëmijët mbi 8 vjeç me botën e bukur të letërsisë, nëpërmjet personazheve më të njohur dhe më të dashur nga të gjithë. Historitë që të gjithë i njohim, vijnë të ritreguara plot humor dhe mjeshtëri, të shoqëruara nga ilustrime fantastike.

Tituj: 8
Faqe: 80, me ngjyra
Formati: 140 x 180 mm
Kopertina: e plastifikuar, 350gr
Çmimi: 560 lekë; 4 euro; 240 den (për libër)

Aventurat e Tom Sojerit

Djaloshi çapkën, Tom Sojeri dhe miku i tij, Hak Fini, rikthehen me aventurat e tyre në brigjet e Misisipit. Gardhit i duhet një dorë bojë, por Tomi përton si dreqi. Si do të shpëtojë ai nga kjo angari? Aventura me piratë, shpella si labirint dhe thesare të fshehura i presin lexuesit e vegjël në faqet e këtij libri.

Sandokani, tigri i Malajzisë

I fuqishëm dhe i egër si një tigër, Sadokani dhe aventurat e tij në detet e Malajzisë rikthehen në këtë ritregim të ri. A do të arrijë të bashkohet me të dashurën e tij, ledi Marianën? Me çfarë rreziqesh do të përballet? Me në krah mikun e tij, Janezin, dhe shokët e tij, tigrat besnikë, Sandokani do të luftojë për liri, drejtësi dhe dashuri.

Ishulli i thesarit

Thesari i kapitenit Flint, piratit më gjakatar të të gjitha kohërave, ka qëndruar i fshehur në një ishull të largët. Harta e thesarit i bie në dorë Xhim Hokinsit, një djaloshi që punonte në bujtinën e prindërve. Bashkë me doktor Livsin, kavalier Trelaunin dhe një karakter të dyshimtë të quajtur Xhon Silveri i Gjatë, ata do të vihen në kërkim të thesarit. Çfarë të papriturash e presin të riun Xhim?

Udhëtimet e Guliverit

Lemuel Guliveri dhe udhëtimet e tij plot të papritura rikthehen të treguara për lexuesit e vegjël. Guliveri, mjek anijeje, niset për një udhëtim në inditë lindore, por rastësia e bën të përjetojë aventura të mëdha në tokën e Liliputëve dhe në mbretërinë e Bordbingnagut.

Rreth botës për 80 ditë

Filias Fogu vë një bast dhe niset në një udhëtim rreth botës, të cilin duhet ta kryejë për 80 ditë. I shoqëruar nga maxhordomi Paspartu, e bukura Auda dhe nën vështrimin dyshues të inspektorit Fiks, ai përshkon të gjithë rruzullin tokësor. Vepër e penës së Zhyl Vernit, “babait” të fantashkencës, kjo aventurë vjen e ritreguar për fëmijët.

I mrekullueshmi, Magjistari i Ozit

Ndiqni Dorotinë dhe qenin e saj Toto në aventurën e tyre në mbretërinë e Ozit. Aty ata miqësohen me Dordolecin, Druvarin prej teneqeje dhe Luanin frikacak. Por Dorotia do të rikthehet në Kansas. Prandaj ajo kërkon ndihmën e Magjistarit të Ozit, por rrugës përballet me vështirësi të mëdha dhe një shtrigë të pabesë.

Hajdi

Vogëlushja Adelajde, ose siç e thërrasin të gjithë, Hajdi, jeton në malet e Zvicrës me gjyshin e saj. Asaj i pëlqen të luajë me mikun e saj, Peter dhe me kopenë e dhive. Hajdi shkon edhe në qytet, ku takon një mikeshë të re, Klarën. Por atë e merr malli shumë për gjyshin dhe shtëpinë. A do të rikthehet Hajdi në mal?

Kopshti sekret

Meri është një vajzë e llastuar që jeton në Indi. Por fatkeqësia e godet, dhe një sëmundje i merr jetën të dy prindërve të saj. Prandaj Meri detyrohet të kthehet në Angli dhe të jetojë në Misëlthuejt Manor, në shtëpinë e xhaxhait të saj. Aty takon Dikonin, një djalosh mjaft i çuditshëm, mik i të gjitha kafshëve, dhe kushëririn e sëmurë, Kolin. Bashkë me ta ajo do të ripërtërijë kopshtin sekret të vilës, i goditur edhe ai nga fatkeqësia, njëlloj si vogëlushja Meri.



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj