Seria: Miushi Lexues (mbi 3 vjeç)

Seria “Miushi lexues” është për vajzat dhe për djemtë e moshës mbi 3 vjeç. Librat tregojnë ndodhitë e dy personazheve, Konit dhe Maksit, se si ata zbulojnë botën përreth, por edhe aftësitë e tyre.

Tituj: 14
Faqe: 24, me ngjyra
Formati: 190 x 190 mm
Kopertina: e butë
Çmimi: 350 lekë; 2.5 euro; 150 den (për libër)

Koni bën një udhëtim

Koni dhe familja e saj bëjnë një udhëtim. Nuk mungojnë edhe gjyshërit dhe kushëriri i saj, Mikeli. Një shëtitje në pyll, piknik në fushë, akullore dhe udhëtim me tren. Një ditë me të vërtetë e bukur! Deri kur Koni humb arushin e saj....

Koni bën pica

Mami ka gatuar pure patatesh me spinaq. Konit nuk i pëlqen fare dreka, ndaj vendos të gatuajë vetë. Së bashku me shokun e saj, Simonin, ata bëjnë pica shumë të shijshme. Një aventurë të re për Konin, por edhe për fëmijët që pëlqejnë t’i bëjnë vetë picat, duke lexuar udhëzimet në fund të librit.

Koni feston ditëlindjen!

Gëzuar, Koni! Më në fund, erdhi dita e shumëpritur! Koni hap dhuratat e saj të ditëlindjes dhe ha ushqime që i pëlqejnë. Por, gjëja më e bukur është festa e saj. Ajo e feston ditëlindjen edhe në kopsht, edhe në shtëpi me miqtë e saj.

Koni fiton medaljen e notit

Koni mëson të notojë. Nuk është aq e thjeshtë të lëvizësh këmbët dhe krahët për të qëndruar mbi ujë. Por, ama, Koni ia del mbanë dhe fiton medaljen “Kali i detit”. Një libër për të gjithë fansat e Konit dhe adhuruesit e notit.

Koni luan futboll

Koni nuk humbet asnjë orë stërvitjeje, që kur bën pjesë në një ekip futbolli. Aty ajo mëson çdo gjë rreth futbollit. Ajo mezi po pret të luajë në një ndeshje të vërtetë, por, papritur, sëmuret. A do të shërohet në kohë për të luajtur dhe a do ta përballojë dot lojën?

Koni mëson të kërcejë

Koni shkon në një kurs baleti. Sa qejf është të kërcesh bashkë me fëmijët e tjerë, të hidhesh si mace dhe të lëvizësh nën ritmin e muzikës! Koni dhe grupi i baletit kërcen në një shfaqje të vërtetë para spektatorëve...

Koni shkon në floktore

Koni luan “floktoresh”. Por bigudinat me lapsa dhe çamçakëz kanë ngecur keq te flokët. Këtë punë e zgjidh vetëm gërshëra. Por ajo nuk ka qenë kurrë më parë në floktore. A të dhemb kur i pret flokët?

Maksi bëhet kampion futbolli

Maksi dhe Paulina luajnë futboll. “Gol!” thërret Maksi. “Ne jemi kampionë bote!”. Por fqinjit të tij, Timit, i duket se më të fortët në futboll është ai dhe shokët e tij. Kështu, ata vendosin të bëjnë një ndeshje futbolli mes dy skuadrave. Kush do ta fitojë “Kupën e Botës”?!

Maksi mëson biçikletën

Gati?! NISU! Maksi merr vrull me biçikletën e tij lodër. Por tani ai është rritur. Maksit i duhet një biçikletë e vërtetë! Bashkë me mamin ai vendos të rregullojë biçikletën e vjetër të vëllait të tij, Feliksit. Pastaj duhet të mësojë, të mësojë, të mësojë... dhe, shumë shpejt, Maksi fillon të marrë kthesat e para.

Maksi mëson të notojë

Shoqja e ngushtë e Maksit, Paulina, sapo ka marrë medaljen “Kali i detit”. Edhe Maksit do t’i pëlqente të mësonte notin. “Ti nuk e merr dot atë medalje, se nuk je adhurues i ujit”, - i thotë vëllai i tij i madh. Tani i takon Maksit të tregojë ç’është i zoti të bëjë!

Maksi do një lepurush prej vërteti

“Unë jam gati katër vjeç!” - thërret Maksi. Dhe mendon se kushdo që bën 4 vjeç mund të dëshirojë një lepurush prej vërteti për ditëlindje. Por... duhet të nxitojë, sepse lepurushi i zi më i bukur në botë mund t’i shitet dikujt tjetër...

Maksi fle te shtëpia e Paulinës

Urra! Maksit i japin leje të flejë një natë te shtëpia e Paulinës. Ai bën gati çantën sa hap e mbyll sytë: pizhamet, furçën e dhëmbëve dhe, sigurisht, elektrikun e dorës. Por, a mund të flejë Maksi pa puthjen e “Natës së mirë”?!

Maksi dhe dhëmbi i qumështit

Për të qenë një superpërbindësh i vërtetë, duhet të keni dhëmbë që ju kanë rënë. Sa keq që Maksi ka vetëm një dhëmb që është duke i rënë. Dhëmbi nuk bie që nuk bie... Nuk ndihmojnë as këshillat e Feliksit dhe as takimi me dentisten. Kështu, Maksi vendos të presë, kur papritur... fiu! Në vend të dhëmbit, mbetet një gropë!

Maksi ndërton një anije piratësh

Maksi dhe Paulina ndërtojnë një anije piratësh, ama prej vërteti. Por nuk është dhe aq e thjeshtë. Për fat të mirë, në garazh gjejnë materialet që u duhen, për të ndërtuar “tmerrin e deteve”...



ALBAS në Facebook

pino

Tituj të rinj