Po marr guximin t’ju shkruaj…
Ç’do deshit më veç shpirtit tim?
Romantizmi përmes letrave të shkruara krijon një simbol të lartë ndaj dashurisë. Letra është akti i shfaqjes së dashurisë. Në letra takohen të dashuruarit. Në letra emocionet rrjedhin lumë, sikur të ishte destinuar të jetoni mes vargjeve. Letra ruan besnikërisht dëshirat… letra pritet me entuziazëm, përqafohet, puthet, lexohet, preket, rilexohet, zhubroset nga hareja e çastit, apo lotët e mallit… letra është mirëbesuesja e çdo të dashuruari. Romantizmi i shekullit XIX i afirmonte letrat e shkëmbyera si simbolin fisnik mes një çifti.
Njerëzit dashurojnë si të ishin perëndi… përmes shtrëngatave dhe bukurive, duke sprovuar barrierat fizike drejt përpjekjes drejt kurorëzimit të dashurisë.
Ja si i drejtohej Lasgush Poradeci vajzës që donte:
Shqipe e ëmbla ime fort, u mendova kësaj here se më s’ duhet të të shkruaj, thashë le të le të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të le unë ty, po mua vetë – nuk më le mua zemra për ty, s’më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç’të të them?….
Shqipkë, engjëlli im, ëmbëlsia e kësaj jetës s’ime. “Si” të dua? Të dua me gëzim e dhembje, me shpresë dhe frikë.
Kur katapultohemi në të tashmen, qasja ndaj dashurisë transformohet me ndryshimet kohore. Teknologjia shërben si një krah i tretë, duke na ardhur në ndihmë në shumë fusha. Rrjetet sociale në thelb u krijuan për të ndërlidhur njerëzit në distanca dhe kohë reale. Sa të lidhur ndihemi si komunitet? Prirja moderne e njerëzve për të përzgjedhur më të mirat nga sfidat për ndjenja si dashuria, nëpërmjet teknologjisë, është një tregues i qartë i fatalizmit të dashurisë. Në faqet virtuale gjenden slogane, këshilla apo manuale udhëzuese mbi “Si të gjeni dashurinë e përsosur?”, ose “Mësoni si të dashuroni pa dhimbje dhe probleme”. “Dashuria duhet rishpikur”, thoshte poeti francez Arthur Rimbaud. A qëndron ky argument?
Problematika e teknologjisë është një fenomen me karakter shpërqendrues nga thelbi i konceptit real të dashurisë, si dhe shumë ndjenjave të tjera. Programimi i kësaj ndjenje vetëm sa formon një hibrid artificial të emërtuar si dashuria, por të ndarë nga thelbi i ndërtimit kohor. Dashuria në këtë rast formohet e plogësht, jashtë kornizimit universal dhe në aspektin e kënaqësive fizike, duke shpënë në zbehjen e shpejtë të marrëdhënies. Këto plagë të dashurisë kultivohen nga përpjekjet e egoizmit njerëzor për krijimin e një dashurie të butë, pa dhimbje, pa komplikime, pa angazhime, pa mall, pa distanca, pra një zhveshje kjo nga çdo karakteristikë e vetë thelbit të maratonës sfiduese dhe emocionuese të dashurisë.
Përpjekjet njerëzore duhet të orientohen mbi të vërtetën se: dashuria ndërtohet nga përpjekjet e çiftit në kohë. Për të mbrojtur dashurinë të mos kthehet në produkt konsumi në shkallë globale nevojitet një rishpikje aty ku dashuria është ngurtësuar dhe një mbrojtje aty ku mund të kërcënohet nga kjo premisë vetëm seksuale. Thënë më thjesht, sfidat e dashurisë janë pjesë jogjymtuese, por plotësuese.
Dashuria nuk ka të bëjë vetëm thjeshtë me takimin e dy njerëzve dhe lidhjen e tyre të vetme: ajo është ndërtim, një jetë që është duke u bërë, jo më nga perspektiva e Njërit, por nga perspektiva e të Dyve. – Alan Badiou, filozof francez.
Nga Xhoana Jaku
Shto një koment