Historiku
Shtëpia botuese ALBAS është themeluar në vitin 2000 dhe që në fillimet e saj ajo ka pasur si politikë botimet shkollore. Me seli në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë, ALBAS jo vetëm që e sjell tekstin shqip sa më afër nxënësve në hapësira të ndryshme gjeografike, por edhe e përpilon atë sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në këto vende.
Në listën e botimeve të ALBAS-it përfshihen mbi 80 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, mbi 30 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe 20 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë. Për lëndët me rëndësi kombëtare, si gjuha shqipe dhe historia e Shqipërisë, ALBAS bashkëpunon me autorë të njohur të këtyre tri vendeve, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.
Kur nisi reforma arsimore në Shqipëri në drejtim të teksteve shkollore, ALBAS-i ka qenë ndër të parat shtëpi botuese që mori pjesë me një numër të konsiderueshëm tekstesh shkollore. Në vitin 2004 ajo fitoi për herë të parë tekstin alternativ, Letërsia dhe gjuha shqipe 10, ku u bënë përpjekje për integrimin e lëndës së gjuhës shqipe me letërsinë dhe kulturën e të shkruarit dhe të folurit.
Gjatë viteve 2004-2009 ALBAS ka synuar të plotësojë linjat në disa nga titujt më të rëndësishëm të kurrikulave arsimore, si: Gjuhë shqipe, Matematikë, Dituri natyre, Biologji, Kimi, Histori, Edukatë shoqërore, Fizikë etj. Tashmë ajo operon në tregun e teksteve shkollore me 70 tituj shkollorë.
Po kështu, ALBAS-i u vjen në ndihmë mësuesve me materiale ndihmëse, libra mësuesi, zbërthime planprogramesh e objektivash, teste tremujore etj. Përveç kësaj ALBAS-i ka një numër të madh botimesh ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit; ku hyjnë librat e mësuesit dhe seria e botimeve enciklopedike; atlaset, lexime plus, fleta pune etj., të cilat përfshijnë të gjitha lëndët që zhvillohen sot në shkollë.
Shtëpia botuese ALBAS ka një numër të madh bashkëpunëtorësh: studiues, pedagogë, punonjës shkencorë e didaktë, mësues të kualifikuar të cilët kanë sjellë në tekste koncepte bashkëkohore, shkencore dhe didaktike. Sot ALBAS-it ka një sërë botimesh, të cilat janë profilizuar në disa drejtime kryesore:
- Tekste shkollore
- Botime ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit
- Botime universitare
- Seria e atlaseve
- Kolana e Lexim Plus
- Botime të ndryshme artistike e studimore
- Botime psikologjike etj.