info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Një peizazh nga Castigat

Ftesa e lexuesit, pas dhe gjatë qasjes me librin Castigat, do të ishte pyetja e drejtpërdrejtë: a qeshët ndopak me pandreqshmërinë e zakoneve tona sociale? Nëse Bergson-i do të inicionte të qeshurën si funksion frikësues të poshtërimit, Castigat-i promovon ese dhe rrëfime mbështetur mbi këtë aksiomë tragji-komedike të luajtur nga protagonistët e vendit tonë: ne populli. Le të lexojmë ku ishim dhe ku po darovitemi, të qeshim pasi hallet janë bërë kapicë dhe nga dengu lipset pak të sistemohet, e fill pas të reflektojmë mbi humorin që mbulon komunitetin tonë shumëngjyrësh.

Përmbledhja e eseve dhe rrëfime vjen e kohë-shtrirë në vite. Castigat fare mirë mund t’i shëmbëllejë një herbariumi, ku njerëzit presin të qeshim me mall apo vrer me fotot e harruara, nga fëmijëria, zakonet, rutina, jeta dhe njerëzit të cilët mes halleve frymojnë rrymën e tensionit, luftës, veseve dhe humorit. Ndërron faqen dhe papritur lexon “si të vrasësh një bankier”, apo “shitblerjen” ku një riosh nxjerr në ankand mamanë për ca para shtesë. Kredhja në satirë diku rrugës përlyhet pas aforizmave të shkrimit “Besëtytni”. Padyshim, ironia argëton çdo zemër që lipset për komedi. Fjalët gatuhen me mjeshtëri nga autori, i cili fort lingustigën e përqafon. Ardian Vehbiu dashurinë për fjalët e ruan edhe matanë oqeanit të flakët, sikurse me kthimet në rrugët e vendit të tij të ndryshuar, në një tjetërsim të cilin as lufta s’do e kishte mundësuar.

Humori ftillon mendjet drejt kurorëzimit të vëzhgimit pa barriera. Refleksioni pas leximit të çdo tregimi vë në diskutim qasjet ndaj njeriut, sistemit dhe tjetrit në një kaurdisje origjinale të një dëshmie parë nga sytë rrëfimtarë. Në këtë vazhdë, dëshirimi ndaj leximit vjen i magnetizuar, edhe kur ndeshesh me rrënojat e komunizmit të mbijetuar në kohë-hapësirë, edhe kur beftas trazohesh si lexues nga notat shurdhuese të shoqërisë sonë  sociale, kryekëmbë të pështjelluar. “Si folje e shqipes, zhvdes përdoret shumë rrallë; edhe pse me të zhvdekurit Shqipëria është mësuar tashmë.”

Castigat-i është skena e teatrit me bufonë të njohur të aktualitetit dhe zhonglerë të situatave politike, ku drama mbyllet me një akt. “ Baje, zot, andërr, tha gomari, kur ujku, që e kish mbërthyer nga poshtë, po ia shqyente tashmë zorrët.” Në kursin e fatalizmave të sistemeve qeverisëse teatri kthehet i pambarimtë. Mjaft të lexosh “Ajo kërmë fenomenale”, apo “ Dëshmi të një lufte të palajmëruar”.

 Shkrime kaq të bujshme, që jetojnë në mendjet e njerëzve me kohë, pasi shija është kurdoherë e njohur falë gjuhës, janë pasuri e shtuar e kulturës sonë. Esetë mirëfillti sot në Shqipëri shërbehen disi të vagullta, porsi ‘filma që priteshin”, duke i kthyer njerëzit më të uritur ndaj leximeve të thella, ku e vërteta të ofrohet e paprerë nga elogje blerëse. Ankesat janë të dhimbshme, kur lexojmë shkrime nga njerëz që pak të shkruajnë dinë, apo shqipen gjetkë e përlyejnë me të tjera gjuhë ndjellëse dhe kthyer shqipen në barabare, për të krijuar njëfarësoj një letërsi hibride, të ngjitur e të shqepur nga pjesë vdekatare, ngjashëm me krijesën e Frankenshtajnit. Kështu, dalim në pikën ku pyetjet ia ftojmë vetes si kërkues: sa e promovojmë bukurinë e gjuhës sonë në tekstet e shkuara? Castigat-i  na fut në një tunel ku pështjellimi mes fjalëve të mirëshkruara shqip dhe termave të ardhur nga të tjera gjuhë, na lë të endemi kuturu. Përse autori zgjedh përdorimin e kaq shumë termave qëllimisht? “Si i treti që jam, flas edhe shqip, edhe gjuhën e Tjetrit armik. Sa kohë që tokën e heroit dhe ndoshta timen e ka shkelur i huaji, unë bashkoj në vetvete të pabashkueshmet: mundësinë e një bote ku zaptuesi dhe i zaptuari nuk po kacafyten” shprehet autori në esenë “Dy tradhtitë”.

 Kontakti i drejtpërdrejtë me librin afekton të vërtetën e rrëfimit. Paralelisht me librat, idetë e autorit Ardian Vehbiu farkëtohen në një komunitet më të mbyllur, tërësisht online, ku gjuha e gjen një lëngëzim nga trajta primordiale e leximit. Në hapësirën virtuale “Peizazhe të Fjalës” çdo lexues lehtësisht njihet me ese, shkrime, kritika, rrëfime të shkurtra, si reflektim i vijueshëm i kulturës sonë.  

Mozaiku i formuar pas mbarimit të librit i ngjet kopertinës  kaotike, ku gjallon njeriu mes krijimeve të tij herë absurde, e herë fataliste, për ta mbyllur siparin me një komike  groteske, ku qesh i shtrënguar me plagët e tua si njeri. “Çfarë është jeta vetë, në mos një orvatje plot mirëbesim për të harruar se nga vijnë e se ku po shkojmë?”.

Nga Xhoana Jaku

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

seven + three =

X