info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
“… Sa u tunt jeta”

Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj! Me mua ju doni të dënoni Rilindjen. – ishin fjalët e Musine Kokalarit gjatë  vetëmbrojtjes  në gjyq.

Shkrimi në faqet e zhubrosura të letrave apo fletoreve ishte mburoja e forcës kur jeta tundej me amplitudë terrori. Autorë si Musine Kokalari (në Shqipëri), apo Ana Frank (në Amsterdam), vijnë si dëshmitare të një periudhe të errët të njerëzimit ku fjala censurohej, njeriu zhvishej nga liritë dhe pasionet, për të qenë vartës të sistemit. E drejta për t’u rebeluar vinte me kosto: me jetën e individit. Data 10 shkurt shënon lindjen e Musine Kokalari (1917), si dhe ditën e ndarjes nga jeta të Ana Frankut (1944). Të ngecura mes dy botëve, realitetit të egër dhe kultivimit të pasioneve në fshehtësi, këto dy qëndrestareve shumë të dashura për lexuesit vijnë si fanarët e dritës gjatë luftës së pambarimtë.

Populli thoshte: “U bë dasëm, sa u tunt jeta”. Periudha e totalitarizmit i privoi nga gëzimi dhe hareja sociale. Njerëzia asokohe u brengos nga frika, kësisoj arti dhe kultura jetonin të kuadruara thellë në mendjet e individëve, pa dalë në botën e madhe.

Ditari intim i Ana Frankut përshkruan dëshminë e vërtetë të jetës mes katër mureve. Çdo ditë e jetuar ishte një gëzim i pamotivuar  në kursin e mbijetesës. Në këtë katrahurë të pakuptimtë, një vajzë adoleshente shkruante me përkushtim qasjen ndaj jetës, ëndrrave, familjen, miqësinë, dramat, humorin dhe shakatë, si dhe planet pas daljes nga lufta, pasi thellë-thellë Ana ishte optimiste se lufta do mbaronte, dhe ditët e jetës paqësore do ktheheshin. Shkrimi ia kanalizonte fuqitë e ëndrrave dhe ia mbante të pazbehura. Ana Franku këmbëngulte ta ushqente veten me bukurinë e shkrimit dhe ideve mbi të ardhmen. Asgjë nuk mund ta prangosë një mendje. Madje, edhe fjalë e fundit të shkruar në ditarin e saj përpara se të zbulohej nga gestapo dhe të internohej në kamp, ishin: “Ji i sjellshëm dhe plot kurajë”. Ajo mund të shkruante mbi ligësinë e mendjeve njerëzore, mbi frikën, ankthin, vdekjen dhe makabritetet e dëgjuara, e sërish zgjodhi të ruante emocionin entuziast se një ditë, dalja nga lufta do t’i shpinte njerëzit drejt të qenit “të sjellshëm dhe plot kurajë”.

Në biografinë e shkrimtares Musine Kokalari, torturat dhe jeta e persekutuar nuk njohën fund gjer ditën kur ajo mbylli sytë përgjithmonë. Musineja u dënua nga sistemi totalitar për idetë përparimtare; u dënua pasi shkroi për një komb me frymë demokratike me liri dhe të drejta. Vitet e burgut e mbushën me dhimbje fizike, por edhe plagë shpirtërore, kur njoftohej mbi humbjen e familjarëve. Musineja konsiderohej armike e lartë e shtetit, kështu izolimi dhe vëzhgimi i rreptë ishte një burg brenda burgut, pa lirinë e shprehjes se mendimit, as me të burgosurit e tjerë. Vitet e fundit të jetës, Musineja shkroi me pasion. Sikurse në rastin e Ana Frankut, edhe Musineja mund të shkruante me gjuhë urrejtje për mendjet e liga që e sprovuan me dhimbje dhe tortura, ku, siç e dimë, shkonin deri te çjerrjet e trupit nga macja brenda një thesi të mbyllur. Musineja zgjodhi të mos e prangoste mendjen dhe zemrën me urrejtjen ndaj humanes, edhe kur ishte e sëmurë në prag vdekjeje. Musineja mund të hakërrehej për akuzat e pavërteta, për vitet e marra padrejtësisht nga sistemi. Në fund i qëndroi mendimit se:

“Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë, përçarja e marrëzia na poshtërojnë e na mjerojnë”.

 ALBAS-i, përmes serisë “Më quajnë… ” na sjell biografitë e rrëfyera për të vegjël të Ana Frankut dhe  Musine Kokalarit.

 

Nga Xhoana Jaku

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

16 − one =

X