info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Ftesë për të dashuruar…

Një ditë nuk mjafton, kur vjen puna për shprehjen e dashurisë. Nevoja për ta shprehur dashurinë shpesh na vendos në dilemë mbi dhuratën për personin e zemrës. Duke nisur nga lulet, kujdesi personal, seti fotografik, veshje, darkë në restorant, udhëtim, bizhuteri etj, sondazhet tregojnë se librat lihen të fundit në listë në vendin tonë, krahasuar me vendet e tjera. Simbolika e librit është përjetësimi në vite. Një dedikim romantik në libër do të mbijetonte në kohë për të mishëruar një kujtim të paharruar. Dhuro një libër në takimin e parë, apo në përvjetorin tënd të dashurisë, poezia, gjuha dhe arti janë rruga për secilën zemër njerëzore…  

ALBAS vjen me disa sugjerime për këtë Shën Valentin.  

 

  1. Nga dëshira digjem… SAPFO

Nga antikiteti grek, poezitë e Sapfosë ngjallin magjinë e hershme për lavdet e thurura ndaj bukurisë së dashurisë. Një rikthim në vargjet tensionuese dhe estetike të kohës kur muzat këndonin ethshëm mbi dashurinë. Ky libër me poezi lirike prezanton një shumësi mesazhesh ideale për festën e të dashuruarve:

Sepse, sapo të shoh, zëri më mpaket

dhe atëherë

edhe gjuha më ngjitet,

menjëherë trupin ma përshkon

zjarri, sytë s’më shohin më,

veshët më buçasin,

djersë e ftohtë më mbulon dhe veç dridhem,

e gjora,

më e blertë se bari bëhem,

dhe duket se një hop më ndan

nga vdekja.

 

  1. DASHURIA, HYJNORJA, KRIJIMI – Meditime poetike

Poezitë shpirtërore janë sugjerimet e duhura për Shën Valentin. Vargjet e shkruara nga poetët lindorë dhe jo vetëm, të frymëzuara nga mistika, shkrimet e shenjta, natyra, e bukura dhe meditimi. Një rrugëtim shpirtëror mbi dashurinë, hyjnoren dhe krijimin përmes meditimeve poetike.

Më duket sikur t’kam dashuruar ty me mijëra trajta, mijëra herë…

Jetë pas jete, epokë pas epoke, përgjithmonë…

Sot ka ardhur te këmbët e tua, të ka gjetur më në fund,

dashuria e ditëve të burrit, atij dje dhe atij të përjetshëm,

hare e përbotshme, brengë e përhershme, jetë e amshuar.

Kujtimet e të gjitha dashurive shkrihen në këtë dashuri tonën,

Të gjitha këngët e poetëve të përjetshëm, të sotëm dhe të shkuar.

 

  1. Libri i dashurisë – RUMI

Magjia e vargjeve të poezive të Rumit do të ndizte pa dyshim çdo zemër njerëzore. Humanizmi i Rumit rrëmben imagjinatën e lexuesit, për të evokuar ndjesi të thella e të bardha mbi vlerën e shtuar që na bën të ndihemi kur jemi të dashuruar. Në poezitë e Rumit dashuria shfaqet e pakufi, pa komb dhe pa etni, duke u dhuruar me përshkrime joshëse.

Dashuria shkruan me bukurshkrim të tejdukshëm,

ndaj në faqen e zbrazur, shpirti im arrin të lexojë dhe të sjellë

ndër mend.

 

  1. KËNGA E KËNGËVE TË SOLOMONIT

Këngët e Solomonit thuren këndshëm, porsi të ishin melodi. Dashuria kumbon si notë melodike në secilën nga poemat duke dhuruar paqe dhe gëzim në çdo varg të lexuar. Dhuro  energji pozitive përmes mesazheve të thella e të ndjera nga faqet e librit.

… Unë flija, por zemra ime rrinte zgjuar.

Është zëri i të dashurit tim që troket:

Hapma, motër dhe mikja ime,

Pëllumbesha ime, e përsosura ime!

 

  1. Rumi i ndaluar

Poezitë e “ndaluara” të Rumit flasin për dashurinë, herezinë dhe dalldinë. Asgjë nuk mund ta ndalë zemrën njerëzore së ndieri, sepse dashuria prek çdo zemër njerëzore nëse mirëpritet ngrohtë. Dimensionet e dashurisë jepen për njeriun, për të bukurën, për hyjin, natyrën dhe jetën. “Dashuro me forcën e një heretiku” është ftesa e ardhur nga Rumi.

Dashurues të dashurisë.

Zhvishini rrobat e vetëdijes.

Asgjësohuni duke vështruar fytyrën e Bukurisë së Përjetshme.

 

Nga ALBAS

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

one × four =

X