info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Një histori e habitshme e një dashurie të pakurorëzuar…

Botimi më i fundit i shkrimtarit Luan Rama, nga ALBAS, “Gruaja që vinte nga mjegulla”

Ngasje për romanin është një fakt i vërtetë. Në vitin 1990, në prag të ndryshimeve politike në Shqipëri, Laura Simoni, një ish-soprano italiane, lexon rastësisht një reportazh në “La Corriere della Sera”. Në të thuhej se në një fshat të Jugut shqiptar, një italian, për të cilin mendohet se ka mbetur atje që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, këndon arie të operave italiane. E trazuar shpirtërisht nga ky fakt, ajo takon gazetarin italian që ka shkruar reportazhin dhe e pyet nëse di diçka më shumë rreth kësaj historie. Mirëpo gazetarit i ishte dashur të largohej shpejt dhe nuk kishte mundur të zbulonte më shumë detaje.

Pse gjithë ky interesim i Laura Simonit për këtë reportazh?! Pse u trondit ajo aq shumë, aq sa të niset për në Shqipëri që të mësojë më shumë?

Gjithçka që e nxiti atë, janë hamendësimet dhe mëdyshjet për dashurinë e dikurshme, në rininë e saj, për tenorin Alberto Saviani, me të cilin ishte njohur në Konservatorin e Milanos. Dihej vetëm se gjatë luftës ai ishte plagosur në malet shqiptare e më pas asnjë shenjë prej tij… ishte harruar…

Gjithë boshti i rrëfimit është një tërësi ngjarjesh, ku e tashmja ndërthuret me retrospektivën, një pështjellim e përplasje ndjesish, në dukje të harruara në kujtesën e një gruaje, por që i japin asaj gjithë forcën dhe kurajën që të niset drejt së panjohurës, në kërkim të së vërtetës… si një mision i papërmbushur, ndoshta, në rininë e saj.

A do mundet ajo ta gjejë Savianin? Çfarë i ka ndodhur në të vërtetë atij?

Pas ankthit të kërkimit, a do të lehtësohet shpirti i saj?

Ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën, rrëfyer me një gjuhë të thjeshtë, duke mos shuar për asnjë çast kërshërinë e lexuesit për të kuptuar se çfarë do të ndodhë më tej.

Nuk mungojnë përshkrimet, jo vetëm të natyrës, por edhe të personazheve të Jugut shqiptar, duke vënë në pah thjeshtësinë shpirtërore dhe të mënyrës së tyre të jetesës.

Vendosja përballë e personazheve që jetojnë në vende me zhvillim dhe mendësi ndryshe, duket si një gjetje e autorët, për të treguar qartë kontrastin e thellë. Por ajo që del në pah, është vërtet domethënëse: NJERËZORJA.

Një histori e habitshme, e paimagjinueshme, por që jeta papritur ta ofron rastësisht, duke trazuar e duke rikthyer paqen e një dashurie të pakurorëzuar

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

13 − eleven =

X