info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Dilemat e ikjes dhe të kthimit…

Koment mbi romanin e John Updike – “Lepur, Vrapo”

Kur kërkoj një libër, zakonisht dua të njoh autorin. “Unë lexoj librat e atyre autorëve që kanë më shumë se 20 vjet që kanë vdekur”, thotë Haruki Murakami nëpërmjet personazhit të tij kryesor tek “Pylli Norvegjez”. Ndaj, kur kërkoja për John Updike para më shumë se 1 viti, nuk gjeta diçka të kënaqshme për të justifikuar famën dhe vlerësimet për të. Shumica e librave ishin për një “lepur”, pastaj ca libra me esse dhe kaq dhe përfytyrimi im ishte ky: që John Updike qënka autor shumë i mirë për fëmijë. Ç’marrëzi!

Fundvitin e 2020, nga shtëpia botuese “Albas” nxoli në treg “Lepur, vrapo” dhe mendimi i parë që më erdhi ishte: do mundohem ta gjej, me kismet. Kur them “ta gjej” do të thotë “ta blej”, sepse unë nuk lexoj libra që nuk janë në pronësi timen. Kështu që, ta merrja dhuratë këtë libër për festat e fundvitit nga stafi i “Albas” ishte një kënaqësi e veçantë dhe vendosa që ky do ishte libri im i parë për 2021.

Herri Engstrëm, një djalosh 26 vjeçar, i martuar dhe baba i një djaloshi 2 vjeçar, kthehet një ditë nga puna dhe befas ndjehet larg gjërave që dëshiron në jetë. Në këtë gjendje, thuajse instinktivisht, i hipën makinës dhe largohet. Pamja e parë që marr unë si lexues është ajo e një djaloshi që përgjegjësitë në një moshë të re e kanë rënduar më tepër se mund të mbajë. Por a është kjo?

Në këtë braktisje, Herri futet në një udhëtim sa real dhe imagjinar në atë që ka qënë dikur: një lojtar shumë i mirë basketbolli. Por kjo kohë nuk është më. Takimi me ish trajnerin e tij ia shton edhe më tepër nostalgjinë, mirëpo këshillat që merr janë: kthehu në shtëpi, kthehu tek gruaja. Ai nuk është i bindur se cila është e mira dhe dilemat e tij janë një varg i gjatë zgjedhjesh që herë i bën vetë dhe herë ia bëjnë të tjerët. Ky konfuzion atë e dërgon vetëm në një drejtim: atë të plotësisë personale, të epshit, të emocioneve. Ndaj, djaloshi me nofkën “lepur”, vetëm vrapon sa nga njëra anë në tjetrën në kërkim të vetvetes. Aq sa ndihet përgjegjës për fatkeqësitë që i ndodhin, aq ndihet edhe mospërfillës ndaj tyre.

Autori Updike fillimisht na jep një panoramë thuajse “pragmatiste amrikane” të viteve 50-60 të shekullit të kaluar, por pastaj futet thellë në shpirtin dhe ndjenjat e këtyre njerëzve, duke ekploruar kështu hapësira të pazakonta që kushtëzojnë sjelljen dhe jetën tonë të përditshme.

Nga fundi i librit, rrëfyesi thotë për Lepurin: “Ndërsa mbyll derën, ka ndjesinë se gjithë jeta i ka ikur duke hapur dhe mbyllur këtë derë”.

A ka frikë Herri po aq sa një lepur që e bën të hidhet sa nga një vend në tjetrin, sa nga një njeri në tjetrin, sa nga një kohë në tjetrën? Ai vetëm vrapon, vrapon, vrapon. Ndërsa unë, duke përgëzuar shtëpinë botuese “Albas” dhe përkthyesin Granit Zela për punën mjeshtërore, uroj vetëm që kjo tetralogji të vijë sa më shpejt e gjitha në shqip.

 

Burimi: arratisje.al

Lexo 30 faqet e para “Lepur, vrapo”,
ose blije këtu
botuar nga “Albas”

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

five × 5 =

X