“Lepuri kthehet” (1971) është romani i dytë i katër romaneve të John Updike për Herri “Lepur” Engstrëmin. Romani “Lepur, vrapo” kishte të bënte me një bashkëshort të ri, i cili prej një shtyse të çastit braktis gruan, që ka nevojë për të, dhe fëmijën, por ndeshet me një ndërlikim më të madh dhe kufizim të mëtejshëm të lirisë së tij personale. Sepse nuk ka liri absolute. Ne nuk jemi të lirë nga nevojat e trupit tonë, nga shtrëngesat detyruese seksuale dhe emocionale, apo nga njerëzit e tjerë. Kur çlirohemi nga një grup ndërlidhjesh, ne futemi verbtas në një rrjet tjetër marrëdhëniesh dhe Lepur Ensgtrëm zbulon, në fund, se liria është një ndjesi e çastit, një vrap drejt askundit.
Updike nuk kishte ndërmend t’i rikthehej personazhit të Lepurit. Megjithatë, shumë lexues e pyesnin vazhdimisht se çfarë ndodhi me të pas përfundimit të romanit, kur zemra e tij, që rrihte fort dhe e shqetësuar, për një çast tretet në ekstazën e vrapimit për në askund, kështu që dhjetë vjet më vonë mendoi ta ringjallte, si një shtegkalim për në Amerikën e zakonshme në fund viteve gjashtëdhjetë, pasi ai nuk mund ta kthente projektin për presidentin Xhejms Bjukenën në një roman. Ky ishte bllokimi më i famshëm i shkrimtarit në karrierën e Updike, ndërsa kritikët më vonë do ta përshëndesnin “Lepuri, kthehet” si “libër i madh” me tema të fuqishme dhe ide politike.
Në vend që thjesht të vazhdonte situatën e Herri “Lepur” Engstrëmit nga pika ku ai përfundoi, te “Lepur, vrapo”, Updike vendosi për një projekt më të guximshëm, duke rinisur vijimin e romanit dhjetë vjet më vonë, sikur Lepuri të kishte pasur një ekzistencë të vazhdueshme që nga viti 1960. Kjo rihyrje “në kohë reale” e Lepurit do t’i detyronte lexuesit të plotësonin kohën e munguar dhe të pyesnin veten se si dhe pse Lepuri kishte ndryshuar që nga romani i parë, duke e bërë më të dendur përvojën e leximit, pasi Lepuri dhe lexuesi do të testoheshin njëkohësisht, për të kujtuar atë që kishte ndodhur në librin e mëparshëm.
Si vazhdimësi e romanit të parë, “Lepuri kthehet” është befasues. Nëse romani duket me tension, kështu ishin edhe kohët. “Lepur, vrapo” u zhvillua në vitin 1959, por nuk kishte të bënte me Ajzenhauerin apo ngjarjet publike, për të cilat flitet në një episod të shkurtër, në radion e makinës së Lepur Engstrëmit. Dhjetë vjet më vonë, lajmet ishin zhvendosur nga televizorët në vatrat e shtëpive amerikane dhe nuk mund të shpërfillej lufta, protesta, lëvizja për të drejtat civile, ulja në Hënë, droga dhe shthurja seksuale që po gjenin përkrahje në shtresën e mesme. Zhvillimet kryesore kombëtare e prekin mikrokozmosin e personazhit, shtëpia e vogël e Herrit “pushtohet” nga një adoleshente e arratisur e shtresës së lartë dhe një zezak, avokat i pushtetit të zezakëve, të cilët së bashku vënë në skenë në shtëpinë e tij.
Vendosja në vitet 1960 i mundësoi Updike ta bënte romanin vatër dhe mishërim të emocionit dhe pështjellimit të asaj dekade. Lepuri është dëshmitar i viteve 1960, por lëngata e tij ishte krijuar nga kthimi i tij te Xhenisa në qershor 1959. Po të përdorim fjalët e Updike, shtëpia e Lepurit “bëhet Amerika, e cila befas lejon në shtëpi një të arratisur dhe një radikal zezak”. Kundërshtimet e furishme të Xhenisës nuk kanë asnjë efekt dhe Lepuri merr pjesë në mbrëmjet e organizuara nga Xhilli dhe Skitëri si “mësime”, të cilat kishin për qëllim t’i zbulonin atij se si ai ka menduar se ka mbështetur një sistem politik më pak shtypës. Është e dukshme që Lepuri identifikohet kaq plotësisht me vlera të tilla amerikane, saqë nuk ndien asnjë kërcënim nga idetë e Xhillit dhe Skitërit. Skitëri ka nevojë për sigurinë e Zotit se ai do të jetë Mesia i Zi, i destinuar të udhëheqë një revolucion, lufta e Vietnamit është beteja e parë. Skitëri kështu parodizon ambicien e Lepurit te “Lepur, vrapo” për të gjetur dritën e brendshme.
Kur Xhilli mbërrin në shtëpinë e tij, ai thjesht e sheh atë si dikë që ofron seks në këmbim të dhomës dhe ushqimit dhe shpërfill pasojat për Nelsonin. Nëse Xhenisa ishte serioze në përpjekjen për të kërkuar një “identitet të vlefshëm”, gatishmëria e Lepurit për ta lejuar Skitërin dhe Xhillin të jetonin në shtëpinë e tij tregon një dëshirë për hakmarrje ndaj Xhenisës dhe mbrojtje të një “identiteti të pavlefshëm”, një lloj dëshire për vdekje.
Lepuri i përgjigjet erotizmit të sinqertë dhe hapjes së Xhillit me hakmarrje ndaj grave, dashurisë dhe seksit. Ai nuk preket nga rrëfimet e Skitërit për historinë amerikane, në të cilën zezakët u lanë jashtë Revolucionit Industrial për t’i mbajtur të skllavëruar. Lepuri i ka ndier kaq shumë vuajtjet e tij, saqë refuzon çdo përgjegjësi për vuajtjen e zezakëve. Megjithatë, Xhenisa e detyron të rishqyrtojë situatën e tij, Xhilli i mundëson që të tregohet i përulur para asaj, Nelsoni i kujton rolin e tij edukues.
Dalja vonë në skenë e motrës së tij, Mimit, ka sfiduar pikëpamjet e tij për seksin, Vietnamin dhe Zotin. Mimi e këshillon Lepurin që të jetë i vetëdijshëm për brezin e ri në Perëndim që kanë zhvilluar një filozofi që i ka bërë ata krejtësisht të pandjeshëm ndaj dhembshurisë. Lepuri, megjithatë, i reziston kësaj, ai ende kërkon Zotin, ndien se fantazma e Xhillit është kthyer dhe pranon vërejtjen e Xhenisës se “jo gjithçka” është faji i tij.
Megjithatë, veprimi qendror mbetet ai familjar: besnikëria martesore dhe përgjegjësia prindërore janë ende çështje të romanit, dhe Nelsoni, tani dymbëdhjetë vjeç duke mbushur të trembëdhjetat, proteston me fjalë më shumë dhe është më sfidues, sesa ishte në gjendje të bënte, kur ishte vetëm dy vjeç. Të katër gjyshërit janë ende gjallë në këtë pikë dhe gjyshi Springer përmend blerjen e së drejtës së tregtimit të Tojotas, fakt që do jetë qendror në dy romanet e ardhshme. Por tani për tani, Herri punon si daktilograf, operator linotipi, dhe për Updike kishte diçka heroike te kjo gjë, një rast për ta nxjerrë nga kujtesa e ditëve të tij, kur rrinte ulur për të shkruar.
Sipas Updike, tetralogjia ka të bëjë, dhe jo vetëm në librin e fundit, për marrëdhënien e një njeriu me vdekjen e tij të ardhshme. Dhe bëhet fjalë për një sërë gjërash të tjera, që ai nuk ka mundur t’i formulojë veçse në thurimën e brishtë tekstore. Në letërsi nuk është vetëm lexuesi që shpreson të befasohet nga kuptimi; është edhe shkrimtari. Ai besonte se diçka në ndërgjegjen kolektive puritane amerikane këmbëngul, se për t’ia vlejtur të shkruash romanet, përveç fakteve, duhet të ketë edhe një përmasë të personales, rrëfimit të brendshëm, atë që është e domosdoshme shpirtërisht. Është pikërisht kjo që kërkojnë shkrimtarët përmes personazheve, kjo cilësi e paprogramueshme e dëshmisë, ‒ e ngjarjeve të jashtme që bëhen shenja të brendshme – gjë që pak personazhe si Herri “Lepur” Engstrëm e bëjnë të mundur.
Nga Granit Zela
Shto një koment