info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Femrat në historinë e letërsisë botërore

Edhe femrat kanë botuar apo kanë shkruar letërsi të mirë e të qëndrueshme. Ju prezantojmë me femra, të cilat me origjinalitetin, ndikimin dhe vizionin e tyre kanë lënë gjurmë në botën letrare e më gjerë.

Adrienne Rich

Adrienne është një shkrimtare feministe, e cila përmes poezive të saj të shkruara në vitin 1974 përshkruan dashurinë, luftën e brendshme të vetmisë, forcën e gruas me një ndjeshmëri të pastër. Edhe nëse nuk jeni lexues të rregullt, me siguri krijimtaria e saj do t’ju “tronditë”.

Alison Bechdel

Bechdel rrëfen fëmijërinë e saj përmes shënimeve në ditar. Ajo ballafaqon klasikët letrarë dhe veprat artistike me një ndjesi gotike. Vepra më e njohur “Një familje tragjikomike” rrëfen për marrëdhënien e saj me babanë dhe vdekjen e tij.

Amy Hempel

Amy Hempel nuk është nga ato shkrimtare që lexohet masivisht. Madje disa nga botimet e saj të hershme, vështirë se gjenden. Së fundmi, kemi një përmbledhje të tregimeve të saj. Hempel konsiderohet si një nga shkrimtaret më të mira amerikane. E vlerësuar për stilin minimalist, të mprehtë, ndërthurur me një humor shpesh tronditës dhe absurd.

Chimamanda Ngozi Adichie

Aftësia e Adichie për të shkruar me prozë të shkëlqyer për tema, si: lufta civile, grindjet politike, çështjet e imigracionit, raca, ndryshimet kulturore dhe dashuria i ka dhënë vlerësime të merituara nga kritika, si dhe shumë çmime. Në romanin e saj të fundit, ajo paralelizon përvojat si nigeriane që vjen në Amerikë për herë të parë për t’u futur në një kolegj. Duke alternuar të tashmen dhe të kaluarën, ajo përpiqet të përshtatet me shtëpinë e saj të re të përkohshme. Dhe mëson se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh një grua me ngjyrë në Amerikë. Por pasi arrin shumëçka “e vendosur” dhe me një karrierë të suksesshme, personazhi kryesor dëshiron të kthehet në Nigeri dhe të lërë gjithçka pas; pra të lërë ëndrrën amerikane. Një vështrim sa prekës, aq edhe humoristik. Nga perspektiva e një afrikaneje shikohet realiteti i ashpër amerikan. Është një vepër që nuk duhet humbur.

Clarice Lispector

Lispector, një autore dhe gazetare braziliane hebreje, e lindur në Ukrainë, është shumë e dashur në të gjithë botën, por fatkeqësisht ende e palexuar në Shtetet e Bashkuara. Vepra e saj e fundit dhe më e populluar, Ora e Yllit, u botua fillimisht në vitin 1977. Proza e talentuar e Lispector shpesh shkëlqen me një bukuri të pafajshme. Clarice është një shkrimtare, prej së cilës ka shumë për të zbuluar.

Donna Dart

Donna Dart është shkrimtarja që endet mes melodramës, të mbinatyrshmes dhe të përditshmes. Të gjitha romanet e Dart, kanë marrë nga një dekadë për t’u krijuar dhe përfshijnë personazhe të çuditshme. Romani më i njohur i saj është një trillim letrar “The secret history”, që flet për një grup studentësh kolegji, që fillojnë të kryejnë vetëvrasje, nën drejtimin e Dionisit, zotit grek të çmendurisë, qejfeve, verës. Pasi libri mbaron, zor se ju del nga mendja drama magjepsëse dhe humori i errët.

Edwidge Danticat

Temat e Edwidge Danticat flasin për marrëdhëniet nënë-bijë, të cilat kanë ritme ekzotike sa magjike, aq edhe tokësore. Ajo përshkruan dhe flet për familjet nga Haiti me shumë dashuri, humbje dhe mall. Romanet dhe tregimet e saj flasin për kujtime të hidhura dhe padrejtësi të shkaktuara nga dhuna shoqërore. E thjeshtë dhe komplekse, dërrmuese dhe e bukur, kështu është femra në sytë e Danticat.

Elizabeth Kolbert

Humbja e biodiversitetit të Tokës është tema themelore e Kolbert. Planeti ka pësuar ndryshime shkatërruese, saqë larmia e jetës ka rënë. Shuarja e Gjashtë e Kolbert është një vepër domethënëse. Ajo parashikon fatkeqësinë e së ardhmes sonë dhe synon të parandalojë dëmin që mund t’i shkaktohet planetit Tokë.

George Eliot

Eliot pa dyshim është nga ato shkrimtare që futet te “kolosët e letërsisë”. Studiohet në çdo shkollë. Ndërlikimet e natyrës njerëzore, personazhe që lundrojnë në gabime apo fatkeqësi, përbëjnë kryeveprën e saj.

Isabel Wilkerson

Nga viti 1915 deri në vitin 1970, gati gjashtë milionë afrikano-amerikanë u larguan nga Jugu në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe një cilësie më të lartë të jetës. Ishte një nga migrimet e brendshme më të mëdha në histori dhe pati një efekt të thellë në kulturën dhe politikën e këtij vendi. Për ta kuptuar më mirë këtë ngjarje monumentale të padokumentuar, gazetarja fituese e Çmimit Pulitzer, Isabel Wilkerson, kaloi pesëmbëdhjetë vjet dhe intervistoi më shumë se një mijë njerëz. Në këtë kryevepër të letërsisë artistike narrative, Wilkerson përqendrohet në tre individë dhe në historitë e tyre të hulumtuara dhe hartuara me përpikëri.

Jane Jacobs

Jacobs ishte një shkrimtare, aktiviste dhe vizionare, puna e së cilës pati një efekt të thellë në mënyrën se si ne i shikojmë zonat urbane. Vdekja dhe jeta e qyteteve të mëdha amerikane është një tekst thelbësor për arkitekturën urbane. Jacobs nuk është akademike, por një banore, e cila merr shumë kënaqësi nga të jetuarit në një peizazh urban. Shkrimi i saj është depërtues, i sinqertë dhe modest.

Joan Didion

Didion karakterizohet nga një stili i lirë, i pakuptimtë, por mënyra e saj e të shkruarit ka ndryshuar mënyrën se si ne e shohim letërsinë artistike. Panoramat që ajo ofron mbeten shumë të gjalla.

Karen Armstrong

Karriera e Armstrong filloi kur ajo shkroi dhe prezantoi një dokumentar mbi jetën e Shën Palit, i cili u transmetua në Channel Four të BBC-së. Një ish-murgeshë dhe një nga autoret më të shquara që shkruan mbi fenë krahasuese, Armstrong ka botuar mbi 20 tituj. Një histori e Zotit flet mbi origjinën e Krishtërimit, Judaizmit dhe Islamit dhe shpjegon se si koncepti ynë për Zotin ka ndryshuar gjatë gjithë rrjedhës së historisë. Një histori e Zotit, i jep lexuesit një pasuri informacioni mbi tablonë e plotë të fesë. Është një libër plot ide të mëdha, që ia vlen të lexohet.

Lydia Davis

Mund të jetë e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë i bën shkrimet e Lydia Davis kaq magnetike. Vëmendja ndaj një bote të rrëmujshme ka kaq shumë kuptim. Sensi i saj i humorit ngulitet në vëzhgimet e saj rreth absurditeteve të jetës.

Margaret Atwood

Atwood përcjell e peizazhit e brendshëm të personazheve, në mënyrën ë të mirë të mundshme. E adhuruar nga lexuesit dhe kritikët, ajo ka botuar mbi 40 vepra, përfshirë në to shumë libra me poezi, dhe ka fituar vlerësime të panumërta, përfshirë Çmimin Booker dhe Çmimin Arthur C. Clarke. Historia e Elaine, është historia e një piktoreje të famshme, e cila kthehet në qytetin ku u rrit për një ekspozitë. Kthimi pas e kthen atë në fëmijëri, ku duroi shumë mundime emocionale nga grupi i miqve. Fëmijët mund të tregohen mizorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, duke shkaktuar dhunë psikologjike që ngelet gjatë në kujtesë.

Mary Shelley

Në 53 vitet e saj të shkurtra, Mary Shelley shkroi romane, drama, tregime të shkurtra, ese, biografi dhe libra udhëtimesh, por nuk është për t’u habitur që ajo njihet më së shumti për romanin e saj Frankenshtajni. Është e vështirë të ndash idenë e përbindëshit të Frankenshtajn nga ikona popullore, në të cilin ai është shndërruar. Kryevepra gotike e Shelley-t, u botua për herë të parë kur ajo ishte vetëm 20 vjeç. Një vepër e shkruar me elegancë dhe thellësi, duke eksploruar në natyrën e së keqes. Hidhërimet na çojnë drejt krimeve tona, por refuzimi dhe pendimi janë tmerret më forta se çdo përbindësh tjetër.

Patricia Highsmith

Highsmith është një mjeshtre e prozës poetike, e vlerësuar për temat e saj të vrasjes dhe mundimeve psikologjike. Ajo është e njohur më së shumti për serinë e pesë romaneve Tom Ripley. Ashtu si historitë e Ripley-y, libri debutues i Highsmith, Të huajt në tren mbahet mend më shumë për ekranizimin e tij. Ishte Hitchcock, një regjisor i famshëm, që ndërtoi një film kompleks dhe të errët. Cila është vija ndarëse midis mendjes së shëndoshë dhe çmendurisë, është pyetja që shtrohet në veprën e saj.

Rebecca Solnit

Solnit është një nga zërat më elokuentë dhe inteligjentë që shkruan letërsi artistike. Gjithçka që ajo ka shkruar ia vlen të lexohet. Ajo eksploron misteriozen por pa e shkatërruar misterin, dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Susan Sontag

Sontag ishte e aftë për gjithçka që lidhej me gjuhën. Ajo shkroi romane, histori, drama dhe kujtime. Por përpjekjet më të mira të saj ishin esetë dhe shkrimet e saj kritike. Mbi fotografi është një nga veprat e saj thelbësore, ku ajo ripërcakton dhe shqyrton mënyrat e të parit. “Të mbledhësh fotografi, do të thotë të mbledhësh botën”.

Toni Morrison

E njohur për prozën e saj fuqimisht ndjellëse, përrallat madhështore, mistike të zhytura në histori të zeza, personazhet e saj të përhumbura, Morrison është një autore, puna e së cilës kërkon vëmendje. Romani i saj, Këngët e Solomonit është një histori epike. Dhuna dhe frika pushton njerëzit e këtij libri, të vendosur në Miçiganin e viteve 1930 deri në vitet 1960. Këngët e Solomonit është një libër zgjimesh dhe një përrallë e udhëtimit të njeriut nga sfida në veprim.

Virginia Woolf

Të lexosh Virginia Woolf është si të dalësh në një verandë, ku e gjithë bota shpaloset para teje me detaje verbuese. Aftësia e saj e pashembullt për të pikturuar një skenë kaq të larmishme, me një intensitet të lartë, është e jashtëzakonshme. Lufta e brendshme e personazheve, dilemat e tyre, vetmia e njeriut modern përbëjnë boshtin e krijimtarisë së saj.

 

Përktheu: Parajsa Shtini

Burimi:https://www.powells.com/25-women-to-read-before-you-die?fbclid=IwAR3fPo2DuP91RSXIbzKue7AmwzeiHvOBy9wE-66V-bPyAEEG2phH2oten8w https://www.robinsharma.com/article/important-growth-lessons-from-life-in-lockdown?fbclid=IwAR1Q-T1lSI8G_8maGS9uX6sLG11HPQuXgWraFbPoWVkTp0QJOic8hPVRkts

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

fourteen + fourteen =

X