info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Mesazhi i fundit i Ana Frank

Tek fshihej në “aneksin e fshehtë”, Ana shkroi ditarin që do të bëhej një nga rastet letrare më të bujshme në historinë e kohërave të fundit, një dëshmi tronditëse e tmerreve të së shkuarës dhe një paralajmërim serioz dhe i ashpër për brezat e ardhshëm.

Ana e kishte parë dhuratën që dëshironte për trembëdhjetëvjetorin e lindjes te shkresoria prapa shtëpisë së saj, në Amsterdam. Ishte një ditar në formë katrore, me një kapak të këndshëm ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Ia dhanë pak kohë para se persekutimi nazist të trazonte jetën e saj dhe atë të shumë hebrenjve të tjerë. Familja Frank e kishte pasur një eksperiencë të tmerrshme që disa vite më herët, kur u ishte dashur të largoheshin nga Frankfurti, ku kishte lindur Ana, dhe të shkonin në Holandë për t’iu shpëtuar ligjeve antisemite të Adolf Hitlerit. Por kur Gjermania pushtoi Vendet e Ulëta, ishte e qartë se persekutimi dhe dëbimi i hebrenjve do të niste së shpejti edhe aty. Dhe, në fakt, në korrik të vitit 1942, pak javë pas ditëlindjes së Anës, ajo dhe familja e saj (babai Otto, mamaja Edith dhe motra e madhe Margot) u shpërngulën në një strehë që kishte gjetur Otto, një apartament sipër zyrave të firmës ku punonte, i cili kishte një hyrje të fshehtë pas një rafti librash që hapej duke e rrëshqitur anash. Kaluan dy vite aty, pa asnjë kontakt me botën e jashtme, me shpresën se lufta do të mbaronte herët a vonë. Gjatë asaj kohe, Ana e përdori dhuratën e ditëlindjes për të nisur një rrëfim të jetës së saj, të shkruar për një shoqe imagjinare, Kitty-n. Nga fundi i vitit 1942, i kishte mbushur të gjitha faqet tashmë dhe vazhdoi të shkruante në blloqe shënimesh dhe fleta, deri në fund të atyre dy viteve tragjike. Ditari i saj është një përshkrim i detajuar i ekzistencës së përditshme të dy familjeve (aty fshihej edhe familja Van Pel dhe Fritz Pfeffer), të cilave iu desh të ndanin një hapësirë prej pak metrash katrorë: veçoritë e tyre, konfliktet dhe debatet; shakatë, të qeshurat dhe humorin e keq; dhe, mbi të gjitha, terrorin e vazhdueshëm se mos zbuloheshin.

Miqtë që u çonin fshehurazi ushqime dhe sende të tjera të nevojave kryesore, shpunë edhe libra për Anën, të cilët ajo i priste me padurim dhe i lexonte e etur, duke kultivuar talentin e lindur për të shkruar. “Ji e sjellshme dhe plot kurajë”, shkroi ajo në faqen e fundit të ditarit, më 1 gusht 1944… dhe, më pas, asgjë tjetër. Tri ditë më vonë, familja Frank u zbulua dhe u arrestua. Ana me motrën e saj, Margot, u internuan në kampin e përqendrimit Bergen- Belsen, ku vdiqën nga tifoja. Ditari u ruajt nga një mik i saj dhe, në fund të luftës, iu dorëzua babait të Anës, Otto Frank-ut, i cili kishte mbijetuar në një kamp përqendrimi; ai dha autorizimin për publikimin e tij, duke hequr vetëm fragmentet më private. Për herë të parë, ditari i Anne u publikua në vitin 1947, me titullin “Het Achterhuis” (“Aneksi sekret”). Që nga ajo kohë janë shitur mbi 30 milionë kopje, duke dëshmuar tmerret e Holokaustit më shumë seç do të mund ta bënin ndonjëherë një mijë procese Nurembergu.

 

Shkëputur nga albumi “50 gratë më me ndikim të epokës sonë

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

2 × two =

X