info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Një libër për një mik – Dita e Miqësisë

Më 30 korrik 1919, kompania e kartolinave “Hallmark” organizoi për herë të parë “Ditën e Miqësisë”. Qëllimi ishte shitja e sa më shumë kartolinave… por askush nuk e mendonte që kjo ditë do të shënohej në kalendar. Sot e gjithë bota feston ditën e miqësisë…
Sa rëndësi ka miqësia në jetën tonë, por akoma më shumë në jetën e fëmijëve… Që kur janë të vegjël ata përballen me mjedisin jashtë mureve të shtëpisë (familjes), një ambient i cili është për ta një aventurë e re… mbushur me emocione. Përveç miqve të kopshtit dhe shkollës, ambienti u ofron “qenie” po aq vogla, të ngjashme dhe aq të ndryshme sa ata, të cilët me pak kurajë mund t’i kthejnë në miqtë e tyre më të shtrenjtë. Miqtë e lojërave dhe të ëndrrave të tyre… Ja, pse kemi vendosur t’ju sugjerojmë disa tituj mjaft interesantë… për vogëlushët/et tuaj/a.

Për më të vegjlit këshillojmë “SHOQJA IME KA SINDROMËN DAUN”
Ky libër rrëfen historinë e dy vajzave që takohen në një kamp veror dhe zënë miqësi të ngushtë; pavarësisht se njëra prej tyre ka sindromën Daun. Të dyja vajzat tregojnë se janë të afta të bëjë mirë diçka dhe kjo e ndihmon secilën të kapërcejë frikën dhe vështirësitë, duke arritur sukses. Libri “Shoqja ime ka sindromën Daun” jep mesazhin se të gjithë fëmijët meritojnë t’u jepen mundësi për të shfaqur të gjithë potencialin e tyre dhe për të krijuar marrëdhënie shoqërore afatgjata.

BENI DHE ANA
Është një roman për fëmijë mjaft i këndshëm. Aty flitet për dashurinë fëmijërore mes Anës dhe Benit, për prindërit e tyre, shokët e shoqet e klasës së tyre, mësuesin aq simpatik Zajbman etj. Romani trajton një anë të veçantë të marrëdhënieve të fëmijëve, si dhe dashamirësinë dhe taktin që tregojnë ndaj tyre si prindërit, ashtu edhe mësuesit.

HAJDI
“Hajdi” është një histori që ndoshta nuk është e vërtetë, ndoshta ka ndodhur vetëm në imagjinatën e autores, por është kaq e besueshme. Hajdi është një vajzë 5-vjeçare, simbol i mirësisë, i dashurisë për njerëzit më të afërt të familjes, por jo vetëm për ta. Gojëmbël, çamarroke, e padjallëzuar, admiruese e kafshëve, luleve, e të gjitha qenieve frymuese, e bukurisë natyrore dhe njerëzore, të gjitha këto veçori autorja i vë në shpirtin e një fëmije trupvogël dhe jo rastësisht ajo e dërgon atë nga një vend në tjetrin. A ia doli Hajdi, që me dëlirësinë dhe mirësinë e saj, t’i ndryshojë njerëzit me të cilët ndeshet gjatë udhës së saj? A triumfoi mirësia e saj, në një botë ku ligësia, thashethemet, varfëria dhe djallëzia bashkëjetojnë? A mundi ajo t’u thotë të gjithë fëmijëve, se jeta është më e bukur dhe kuptimplotë, nëse e do me gjithë shpirt gjithçka që të rrethon?

Seria e “Koni dhe shoqëria” i kushtohet shoqërisë së adoleshencës, me problemet dhe shqetësimet e saj, por edhe me momentet e paharrueshme që ofron ajo…

KONI DHE SHOQËRIA
Më në fund Koni hyn në gjimnaz. Por, në fillim, me klasën e re nuk është aq e thjeshtë sa kishte menduar. Shkolla i duket kot! Mësuesja e re kujdestare i ka sytë si të një zvarraniku. Të tjerët tashmë njihen mes tyre që nga shkolla fillore.
Por gjëja më e keqe në klasën e saj të re është një grup vajzash, që udhëhiqen nga Xhaneta. Klasa e saj do të bëjë një ekskursion. Koni nuk dëshiron të udhëtojë me mësuesen e saj që i ngjan një zvarraniku dhe me bandën e Xhanetës. Përpjekjet e saj për të mos shkuar në këtë udhëtim dështojnë. A “do t’i mbijetojë” ajo këtij udhëtimi me klasën? Por… ky udhëtim sjell aventura dhe të papritura për Konin dhe klasën e saj.

KONI, PAULI DHE PROBLEMET ME SHOQËRINË

Shkollat 9-vjeçare po stërviten për Lojërat Rinore Mbarëkombëtare. Koni është pjesëtare e skuadrës së atletikës të shkollës së saj. Kjo i dhuron kënaqësi, por i merr edhe shumë kohë. Ajo nuk dëshiron as të heqë dorë nga stërvitja, por as të lërë pas dore shoqet e saj dhe Filipin. Teksa ajo përpiqet t’i përballojë të gjitha këto, Paulit i duhet të luftojë me problemet e tij.
Koni dhe shoqet e shokët e saj e kuptojnë që ai ka nevojë për mbështetjen e tyre, edhe pse ai i refuzon. A do të munden ata ta ndihmojnë Paulin?

SYRI I UJKUT – DANIEL PENNAC

Dy histori alegorike, njëra e një djali të quajtur Afrikë dhe tjetra e Ujkut Blu, ujkut të robëruar të Alaskës, që ka vetëm një sy, bashkohen në këtë përrallë të pazakontë nga autori francez Daniel Pennac: djali dhe ujku komunikojnë vetëm përmes syve. Djali shfaqet në mënyrë të mistershme në kafazin e ujkut. Qëndron pa lëvizur, i heshtur. Vetëm sytë e tij lëvizin: ndjekin ecejakun e ujkut përgjatë rrjetës së kafazit. Djali qëndron çdo natë, derisa ujku fle dhe kthehet para se të zgjohet. Një ditë Afrika mbyll njërin sy dhe kjo tret dalëngadalë mosbesimin e ujkut, dhe të dy i rrëfejnë historinë e tyre njëri-tjetrit përmes imazheve. Djali dhe ujku krijojnë një lidhje emocionale, duke ndihmuar njëri-tjetrin të shërohet. Në syrin e ujkut shfaqet Veriu i Madh, aventura, përndjekja e vazhdueshme nga njerëzit, ndërsa në syrin e djalit të të vogël, afrika, zjarri, leopardi, antilopa, deveja… Stili i rreptë i rrëfimit, si dhe ilustrimet tërheqëse në tonet e hijshme të qymyrgurit përforcojnë përzierjen e këndshme të ngjarjeve reale dhe sureale.

JETA E NJË QENI – DANIEL PENNAC

Qeni! Aspak i bukur, por me një dëshirë të madhe për të jetuar! Pothuajse i mbytur gjatë lindjes, i lënë për i vdekur në një gropë plehrash dhe i përndjekur nga “kapësit” e qenve. Pa dyshim, jeta e qenve është e vështirë. Ç’kërkon vallë ky qenush? I vetëm në botë, ai vendos që është koha për të gjetur një pronar, dikush që ta dojë dhe ta stërvitë. Por qeniet njerëzore mund të jenë krijesa të paqëndrueshme, të paparashikueshme, dhe kush do të merrte një endacak të shëmtuar dhe të egër si ai? Pastaj, papritmas, Molla, një vajzë kokëfortë nga ato të pashoqet hyn në jetën e tij. A mund të jetë ajo pronarja të cilën po kërkon ai? Apo Qeni do ta gjejë sërish veten në rrugë?

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

19 − sixteen =

X