info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Romancieri i shek.XX John Updike

John Updike ishte shkrimtar, poet, kritik letrar dhe një nga romancierët më të mirë amerikanë të gjysmë së dytë të shek. XX.

Ai lindi më 18 mars 1932 në Reading, Pensilvani. Updike ishte fëmija i vetëm i Wesley Updike, mësues matematike, dhe i një shkrimtareje, Linda Grace Hoyer. Pasioni i nënës së tij ndaj shkrimit, pati një ndikim shumë të madh te Xhoni. Ai shpesh kujton tryezën dhe makinën e shkrimit dhe fletët e pastra të letrës së nënës së tij. Një ditë, ai shpresonte t’i zotëronte të gjitha këto. Updike shkoi në Shkollën e Mesme Shillington. Ishte president i shkollës për brezin e viteve 1950 dhe mbajti fjalimin në ditën e ceremonisë së diplomimit. Më pas u regjistrua në Harvard. U diplomua në vitin 1954, për gjuhë dhe letërsi angleze, me rezultate shumë të larta.

Dëshira fillestare e Updike ishte të bëhej karikaturist. Për të ndjekur këtë qëllim, ai hyri në “The Ruskin School of Drawing and Fine Arts” (Shkollë e Arteve të Bukura), të Universitetit të Oksfordit. Pas përfundimit të shkollës, ai u kthye në Amerikë ku filloi të kontribuonte në “New Yorker”, duke filluar në këtë mënyrë një karrierë të shquar në të shkruar. Historia e tij e parë për këtë revistë u quajt “Miqtë nga Filadelfia”. Në këtë të përditshme, ai punoi për rreth dy vjet. Shkroi kolonat “Biseda e qytetit”, si dhe poezi apo tregime të shkurtra. Disa nga këto histori u bënë baza për librat e tij të mëvonshëm me poezi, të tillë si “The Carpentered Hen” (1958) dhe “The Same Door” (1959). Romani i tij i vitit 1968, “Çiftet” bëri shumë zhurmë, duke portretizuar marrëdhëniet e çifteve të reja të martuar dhe ndërlikimet në jetën e tyre.

Si poet, ai u dallua për disa vëllime të suksesshme me poezi, të tilla si “Telephone Poles and Other Poems” (1963), “Midpoint” (1969) dhe “Tossing and Turning” (1977). Ky i fundit konsiderohet si një nga veprat e tij më të mira. Updike gjithashtu kaloi një krizë të thellë shpirtërore, të cilën e kapërceu duke lexuar veprat e teologëve Karl Barth dhe Soren Kierkegard. Ky udhëtim fetar gjithashtu ndikoi në shumë prej librave të tij.

John Updike ka qenë gjithnjë një shkrimtar shumë popullor, por vepra që e bëri të njohur ishte “Lepur, vrapo”, botuar në vitin 1960.  Nga kjo vepër lindi një nga personazhet më të njohura amerikane të shekullit XX; Herri (Lepuri) Engstrëm.  Vetëm njëzet e gjashtë vjeç, heroi kryesor i këtij romani, Herri “Lepur” Engstrëm është një burrë-fëmijë, i zënë në një luftë midis instinktit dhe mendimit, vetvetes dhe shoqërisë, kënaqësisë seksuale dhe detyrës familjare. Frika se mos humbet në rutinën e jetës konvencionale shoqërore dhe fetare e bën të vrapojë dhe t’ia mbathë nga një situatë pa rrugëdalje në tjetrën. Herri bën atë që di të bëjë më mirë, të vrapojë. Ky personazh fiton shumë simpati nga publiku dhe këtu qëndron aftësia e Updikes. New York Times e quajti romanin “Lepur, vrapo” një “tragjedi të paqartë të brendshme”, por gjithashtu edhe një “triumf të dukshëm të inteligjencës dhe dhembshurisë”. Veçoritë stilistike të veprës janë të përkryera. Richard Gilman e përshkroi romanin  si një “alegori groteske të jetës amerikane, me mitin e saj të lumturisë dhe suksesit”, dhe një “epikë të vogël të shpirtit që ka etje për hapësirë dhe për të qenë vetvetja”.

Tri romanet e tjera të serisë janë vazhdim i historisë së jetës së Lepurit: “Rabbit Redux” (1971), “Rabbit is Rich” (1981) dhe “Rabbit at Rest” (1990). “Rabbit is Rich” ka fituar çmimin “Pulitzer” në vitin 1982. Saga e Lepurit zë vend qendror në opusin e veprës së shkrimtarit dhe shënon arritje të përveçme në të gjithë letërsinë amerikane.

Shkrimtari numëron 23 romane, histori të panumërta, ese dhe disa vëllime me poezi. New Yorker e shpalli atë “një nga më të mëdhenjtë e të gjithë shkrimtarëve modernë amerikanë”.

 

Përktheu: Parajsa Shtini

Lexo 30 faqet e para “Lepur, vrapo”,
ose blije këtu
botuar nga “Albas”

Burimi: https://www.famousauthors.org/john-updike?fbclid=IwAR14esqYkBf0z0FI2Ufx_TtdLAQ9iR8MSGOYDAE3iLrJaVPA-BQ5PLFnBVY#google_vignette

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

thirteen − 2 =

X