info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Romani “Infiniti blu” i Mimoza Hafizit

“Infiniti blu” i Mimoza Hafizit, romani artistiko-shkencor që zbulon të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen tonë

 

Romani “Infiniti blu” do t’ju japë përgjigje, sa herë t’ju ngacmojë ndonjëra nga pyetjet rreth pafundësisë dhe përjetësisë…

Bëhet fjalë për botimin më të ri të dalë në treg, me autore astrofizikanen e njohur Mimoza Hafizi. Personazhet e këtij romani popshkencë, disa gra e burra, vajza e djem, bija e bij inteligjentë të planetit tonë të brishtë, nuk do të ngurrojnë t’ju përfshijnë edhe juve në kërkimin kurajoz të PAFUNDËSISË. Për më tepër ju ftojmë në intervistën që ne kemi zhvilluar me autoren…

 

Romani më i ri i botuar nga Shtëpia Botuese Albas është “Infiniti blu”. Teksa e merr në dorë, titulli të bën kureshtar menjëherë. Që në faqet e para lexuesi afrohet dhe tërhiqet prej një stili letrar artistik përshkrues, ndërkohë që krejt papritur romani të çon në pafundësinë e shkencës, të vetë ekzistencës, botës, Universit… Kështu lexuesi kupton se në dorë mban një roman krejt të veçantë, ku ndërthuret thrilleri artistik me shkencën. Ky roman pa dyshim është “krijesa juaj” zonja Hafizi dhe, për hir të së vërtetës, në letrat shqipe ky lloj romani shkencor është lëvruar shumë pak. Mos ndoshta ishte kjo arsyeja nga e cila u nisët për ta shkruar atë, apo patët një moment tuajin frymëzues?

Romani “Infiniti blu”, ashtu si dhe romani im i parë “Pika trëndafil”, janë rezultat i dëshirës së madhe që ndiej për të ndarë me të tjerët dijen shkencore.

Progresi aktual i shkencës është marramendës në të gjitha fushat, e veçanërisht në njohjen e Universit dhe në përpjekjen kurajoze për ta dominuar atë. Shekulli që jetojmë po shënohet me vulën e makinave hapësinore, të cilat shqyrtojnë sinjalet më të hershme mbërritur nga origjina e botës; të instrumenteve me saktësi përtej çdo limiti të imagjinuar. Arritjet janë kaq emocionuese, sa kushdo prej nesh që i rrok ato dimensione, mund t’i shijojë tërësisht vetëm nëse i ndan me të tjerët.

Por, si ta ndash dijen shkencore me dikë që nuk është profesionist i fushës? Përmes thjeshtëzimit, përmes asaj që ka marrë emrin popshkencë, ose shkencë popullore. Shkencëtarët më në zë janë përpjekur e përpiqen të shkruajnë libra të tillë të thjeshtëzuar, që hera-herës kthehen në bestseller e “përpihen” nga publiku.

Në këtë linjë ndodhet edhe libri im, i cili besoj se është i veçantë jo vetëm në letrat shqipe, por edhe në letërsinë botërore, për arsye të zhanrit të vet. Kam zgjedhur të shkruaj roman, sepse përmes faqeve të tij mund të transmetoj dijen e të kem njëkohësisht si personazhe pikërisht lëvruesit e dijes, njerëz realë, që jetojnë sot apo që kanë jetuar në epoka të tjera, si dhe njerëz imagjinarë, të cilët punojnë në qendra reale shkencore. Liria e këtij zhanri artistik më lejon të endem nëpër përsiatje e refleksione që u përshtaten karaktereve të ndryshme, formimeve të ndryshme; më lejon të ndërthur bashkë me shkencën edhe histori personale njerëzore, ku secili mund të gjejë diçka nga jeta e vet.

Përmes faqeve të një romani çdo informacion kalon më lehtë e më këndshëm.

 

“Infiniti blu”, pse ky titull?

Infiniti është një koncept i lëvruar që në kohërat antike, mijëra vite të shkuara. Ka qasje filozofike për të, ka qasje fetare, ka qasje letrare e artistike dhe, pa dyshim, qasje shkencore, fizike, matematike. Një copë infiniti mban edhe secili prej nesh brenda vetes. Ky i fundit është shumë personal, por gjithsesi lidhet ngushtë me prirjen tonë të natyrshme drejt pavdekësisë e përjetësisë. Unë secilës prej këtyre qasjeve të infinitit i kam veshur një ngjyrë, te një pikturë që njëri nga personazhet e romanit, Davidi, ia kushton Marinës adoleshente. Ka formën e një pikëpyetjeje të madhe, në skajin e poshtëm të së cilës, “si një krijesë pa ligje e rregulla, rrëshqet i dalldisur në lirinë e vet, infiniti i fundit. Me ngjyrë blu!”… “Ai është subjektiv, i turbullt, misterioz, sekret. Buron nga mentaliteti kolektiv, por ka lirinë për t’iu përshtatur personalitetit të gjithsecilit, të formuar në gëzimet e dhimbjet, humbjet dhe fitoret e një jete të gjatë”. Ju lë ta zbuloni, në faqet e romanit, por edhe brenda vetes suaj!

 

Kur saktësisht filluat të mendonit për këtë libër dhe sa kohë ju është dashur ta përfundonit atë? Çfarë mund të thoni për bashkëpunimin e redaksisë botuese Albas për realizimin e tij?

E kam marrë vendimin diku rreth janarit 2019. Kam lexuar shumë rreth subjektit dhe kam krijuar skicat e para deri nga vera e një viti më parë. Më pas, kam filluar ta shkruaj. E kam përfunduar në fund të qershorit 2020. Bashkëpunimi me Albas ka qenë i shkëlqyer. I jam mirënjohëse Ritës, Tashës, Evës, Eldionit, të gjithëve, për komunikimin dashamirës e mbështetjen morale që një shkrimtar duhet me patjetër të gjejë te shtëpia botuese. Kanë qenë profesionistë, miqësorë, cilësorë e shumë të shpejtë.

 

Këtë roman dimë që ia kushtoni babait tuaj, keni një motiv specifik apo marrëdhënia juaj i përngjau një infiniti… të çfarë ngjyre?

Unë kam pasur një lidhje shumë të fortë me tim atë. Ikja e tij më ka shënuar çarjen e kufirit mes jetës dhe vdekjes. Ndoshta edhe se prej dy prindërve të mi, qe i pari që u largua nga jeta.

Por, besoj se pak a shumë e tillë është lidhja e çdokujt me prindin e vet. Nuk dyshoj se në ato faqe, ku Marina nuk resht së kërkuari “t’i flasë edhe një herë” babait të vet, duke qëmtuar çdo shenjë nga pafundësia, shumica prej nesh gjen diçka nga vetja. Ngjyra blu përcjell melankolinë, nostalgjinë, kujtimet e njerëzve që i kemi humbur, e megjithatë janë këtu, mes nesh, në thyerje të ligjeve strikte të shkencave ekzakte.

 

Çfarë mund t’u thoni lexuesve që do të kenë në duar romanin “Infiniti blu”?

Dua t’u jap një orientim. Çdo situatë në libër, pra çdo ngjarje është komunikuar dy herë. Herën e parë vjen përshkrimi letrar dhe njerëzor, të cilin e kam quajtur Recto, ku personazhet e mia janë njerëz të zakonshëm, të fortë apo të brishtë, hezitues a të vendosur, realistë apo ëndërrimtarë. Sapo mbaron Recto nis Verso. Është e njëjta situatë, me të njëjtët njerëz, që këtu shfaqin profesionin e tyre. Janë shkencëtarë, njerëz të ditur, që posedojnë një informacion të cilin duan ta ndajnë me ju.

Në këtë mënyrë, secili nga lexuesit ka mundësi edhe të zgjedhë në “menynë” e ofruar për të shijuar infinitin.

 

Po atyre të cilët janë më të pasionuar prej astronomisë dhe fizikës? A do të marrin ata përgjigje për të gjitha pyetjet shkencore dhe ekzistenciale? Cila është përshtypja juaj për sa i përket reagimit të tyre?

Unë besoj se në faqet e romanit do të gjejnë shumë nga çka dihet deri sot rreth pyetjeve për infinitin. Këto pyetje i kam formuluar në faqet e para, në një stil që përafron me mënyrën se si njëri nga fizikanët më në zë të shekullit tonë, Stephen Hawking, i ka shtruar. Ato pyetje, në fakt, ekzistojnë prej mijëra vjetësh, por pata dëshirë që lexuesve t’u përafroj variantin Hawking, për arsye të madhështisë që ky dijetar shfaq në sytë e mi. Me mënyrën se si shpirti i tij ka arritur të dominojë trupin, më duket si një sintezë e përpjekjes së llojit tonë, njerëzve, për të kapërcyer vogëlsinë dhe brishtësinë e planetit tonë drejt pafundësive drithëruese.

 

Ju vetë, e keni studiuar fizikën; po kështu keni mësuar dhe u keni dhënë dije shumë brezave në këtë fushë. A do t’u shërbejë ky libër studentëve/nxënësve edhe për dijet e tyre në shkollë, jo vetëm në aspektin e pasurimit të mendjes, por dhe materialisht të bibliotekës së tyre?

Besoj se ky libër do t’i shijojë kujtdo që është i prirur të mendojë e të kërkojë përgjigje rreth çështjeve më ekzistenciale; kujtdo që pati shansin të vijë në këtë botë e nuk do që të ikë prej saj pa kuptuar atë që mendjet më të larta gjurmuan e shpjeguan.

Këta lexues mund të jenë nxënës e studentë, filologë e filozofë, shkencëtarë ose jo, njerëz të zakonshëm të çfarëdo profesioni. Libri është shkruar me qëllim që të kuptohet nga kushdo, duke filluar nga mosha e adoleshencës, pavarësisht nga drejtimi i formimit.

 

Është verë dhe pushimeve u shkon një libër i mirë. Por, në të vërtetë, ku mendoni se do t’u shkonte më për shtat lexuesve që ta lexonin këtë roman të veçantë? Për shembull, ndërkohë që lexojnë për yjet, a duhet të jenë ata jashtë, buzë detit a në një kodër, mal, që ta hedhin vështrimin nga një blu që fundin nuk ia dimë, apo të shohin dritat qiellore që shkëlqejnë aq bukur mes një nate vere të kthjellët; ose ndoshta romanin mund ta lexojnë brenda dhomës së tyre teksa fantazojnë për Universin tonë të pafund? 🙂

Kudo qoftë! Mendja e njeriut është shumë e aftë të imagjinojë, të fantazojë, të kërkojë. Periudha e pushimeve është një moment i mirë që njerëzit të çlirohen nga e përditshmja dhe ta lënë veten në pushtetin e imagjinatës. Si thoshte Ajnshtajni? “Imagjinata është më e rëndësishme se dija. Dija e ka një kufi, kurse imagjinata përqafon tërë botën”.

 

Dhe në fund, çfarë na bën neve, si qenie njerëzore, të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, në këndvështrimin shkencor që e gjejmë dhe në romanin “Infiniti blu”?

Unë besoj se ne, njerëzit, jemi të jashtëzakonshëm. Një mrekulli e natyrës. Mënyra se si prej mijëra vjetësh jemi munduar të kapërcejmë hapësirat e pamasa, duke shtruar pyetje e duke kërkuar përgjigje, është e mahnitshme. Mes njëri-tjetrit mbase ndihemi të zakonshëm. Por në dimensionet e një bote gjigante, të cilën po arrijmë ta njohim ditë pas dite, shfaqen tiparet tona të jashtëzakonshme.

Personazhet e romanit tim janë njerëz të zakonshëm, por vepra tyre është e jashtëzakonshme. Dhe këtë vepër do ta gjeni të përshkruar në mënyrë të thjeshtë e pasionante. Ky pasion më buron nga bindja se secili prej nesh meriton ta dijë se deri ku ka mbërritur fuqia jonë e pandalshme.

 

Faleminderit! Shumë urime dhe suksese!

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

one × 5 =

X