Shkrimtari Darko Tuševljakoviç u lind në Zenica të Bosnje-Hercegovinës në vitin 1978. Si shkrimtar ai ka lëvruar romanin dhe tregimin, teksa është i pranishëm në jetën letraro-artistike sllave prej vitit 2002.
Ai është botuar në revista letrare dhe antologji në Serbi dhe kudo në Ballkan. Në vitin 2004 ka marrë çmimin “Lazar Komarčić” për tregimin. Deri më sot, ai është autor i dy romaneve dhe i shumë tregimeve të botuar në periodikë të ndryshëm. Librat e tij kanë qenë në konkurrim dhe kanë arritur deri në përzgjedhjen e ngushtë për disa nga çmimet më të njohura kombëtare serbe.
Në vitin 2016, romani “Humnera” (fituesi i Çmimit Evropian për Letërsi) ishte në përzgjedhjen e ngushtë të Çmimit “NIN”, çmimit letrar më të njohur në Serbi, si romani më i mirë i vitit. Ai është përkthyer në disa gjuhë. “Humnera” është romani i tij i parë në shqip dhe hap dritaren e parë të autorit me publikun shqiptar.