info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Camaj dhe Koliqi: Mite të rreme?!!

Koliqi dhe Camaj e kanë vendin e vet në Letërsinë shqipe. Të pazëvendësueshëm. Ata studiohen në shkolla (në arsimin parauniversitar dhe universitar) për kontributet e çmuara në krijimtarinë e tyre dhe për veprimtarinë e pasur në kulturën shqipe. KAQ MJAFTON.
Askush nuk e zhbën dot më një gjë të tillë.
A kanë të drejtë hulumtuesit, historianët të gërmojnë nëpër arkiva e të nxjerrin në dritë fakte, qofshin brenda apo jashtë konteksteve historike? Mendoj se po.
Po qëllimi? A ka të drejtë një hulumtues i ftohtë të ironizojë këto dy figura të kulturës shqiptare, aq më tepër kur thekson se nuk është kompetent për shqyrtimin e vlerave letrare të veprave të tyre? Kurrsesi.
Në aspektin e etikës, a është i mjaftueshëm ky justifikim?
Sikur në artikull të mos akuzoheshin dy Ministritë e Kulturës (e Shqipërisë dhe e Kosovës), si kontribuese në krijimin e miteve të rreme me figurat e Koliqit dhe të Camajt, “si dy kalorës të mohuar të letrave shqipe”, si “dy shqytarë kalorësiakë” qëllimi i hulumtuesit do të ishte shumë i pastër; hulumtimi dhe nxjerrja në dritë e fakteve.
Është pikërisht ironizimi që e tradhton qëllimin e hulumtuesit dhe njollos këto dy figura që i janë mohuar pa të drejtë afro gjysmë shekulli lexuesit shqiptar, shkollës shqipe, pasi kontributi i tyre është i pamatë në kulturën tonë, ndonëse brenda një konteksti tepër kompleks historik. Mungesa e tyre dhe e autorëve të tjerë avangardë të letërsisë moderne shqipe, solli një edukim artistik skematik te breza të tërë lexuesish, që ende sot vuajnë nga nostalgjia e kronikave e të poetikave të realizmit socialist.
Është pikërisht kjo njollosje, që shumë njerëz të letrave i ka bërë të ndihen keq apo të acarohen e të mbushen me mllef, më tepër sesa faktet që parashtrohen në artikull.
Por, nga ana tjetër, do të thosha se nuk i bën nder Koliqit dhe Camajt gjuha e përdorur në mbrojtje të tyre, që kalon nga nuancat e viktimizimit deri te sulmet që ngjasojnë me retorikën e luftës së klasave (këlysh komunisti, si dikur këlysh ballisti apo fashisti). Kjo gjuhë anashkalon argumentin dhe mbyt kundërargumentin.
Unë për vete i dua dhe i shijoj këta autorë, pavarësisht se janë apo s’janë të vërteta faktet që sillen për jetën e tyre, aq më pak për atë private.
Camaj më ka mahnitur me palimsestin e tij, më ka bërë të mpreh vëmendjen, të gërmoj një pas një kuptimet, të ndaloj gjatë vetëm te një fjalë dhe të gjej lidhjen e saj me fjalën që nuk është shkruar, por është në mendjen e poetit për të gjetur “fillin e humbun të ndjesive”. Dhe aty ndodhet ai ngashërimi që vjen prej zbulimit, se ke shkuar në fund të palimpsestit dhe drita e shpirtit të poetit të ka ndriçuar deri në fund edhe ty, aty ku s’ke mundur të shkosh vetë pa këtë burim ndriçimi.
Më mrekullon kur e shoh në foto, këtë burrë të pashëm, që reflekton bukuri shqiptare përzier me një përndritje tipike intelektuale europiane.
Kaq më mjafton…
E dua Koliqin, tregimtarin e parë modern shqiptar që shkroi me gjuhën e instinktit, se ma ka zgjeruar horizontin e gjuhës së nënës. I shijoj ato kumbullat erëmira të kopshtit të fëmijërisë, ende më shpohen hundët nga aromat e bimësisë, e goja më mbushet plot lëng, e lëngu më rrjedh nëpër buzë e trupi më bëhet mornica kur e lexoj; mrekullohem nga bjeshkët hijerënda e autoritare dhe burimet e kulluara, zanat flokëgjata që vënë buzët në to; trembem për vdekje kur e gjithë kjo bukuri rrezikohet nga hijet e mentalitit të mykur, patriarkalizmi e gjakmarrja që vazhdon dhe në ditët e sotme. Sa të thella janë rrënjët e botëkuptimit të tij.
E adhuroj aq shumë foton bardhezi ku ky burrë i mençur është përkrah burrave të tjerë të kombit, Fishtës, Asdrenit, Poradecit, veri e jug bashkë, gegnishte e toskërishte bashkë.
Ashtu sikurse mua, çdo lexuesi (pasi shkrimtari për atë i shkruan librat, jo për studiuesit), nuk i bëhet vonë nëse shkrimtari paska qenë agjent apo ka bindje fashiste, komuniste; ka qenë imoral, pervers, homoseksual, apo ku di tjetër unë, nëse ka shkruar një vepër me art të mirëfilltë.
Dhe është e natyrshme, përderisa jeta e artit është e përjetshme, ndërsa shkrimtari, ai njeriu i vdekshëm, nuk kapërcen dot as një shekull.

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

fifteen − fourteen =

X