info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Çifti “para se të martoheshim”

Ndodhi të vërteta nga jeta në çift

Klementina dhe Aleksi u takuan dhe u dashuruan. U martuan dhe nisën të jetonin tek Aleksi. Djalë nga familje e mirë, i zgjuar, i dashuruar pas librave dhe kompjuterit. Klementina, vajzë universitare, e lezetshme, studioze, por më e pavarur. I pëlqente shumë të ndërmerrte nisma. Si edhe për shumë zonjusha të tjera rreth 20-vjeçare, ambicioze dhe të vendosura, martesa dukej si zgjidhja e vetme për të shpëtuar nga problemet e shtëpisë së vet. Aleksi e plotësonte për bukuri ekuacionin e ëndjes.

“Përpara se të martoheshim, – thotë Klementina, – mezi prisja që të rrija pranë Aleksit aty te kompjuteri. Ky objekt, sot, po më bën të luaj nga mendtë e kokës! Se dëshiroj edhe ndonjë gjë tjetër, përveç lojërave, korrespondencës, kulturës. Vjehrra ime është një grua, së cilës nuk ke se çfarë t’i gjesh për t’u ankuar. Mamaja e Aleksit, – thotë Klementina, – na i bën të gjitha. Ajo na gatuan, na vesh, na këshillon, na thotë se do të bëjmë fëmijë, na përgatit për të ardhmen. Gjithë kjo përkujdesje prej dadoje më luan mendsh. Dëshiroja një burrë… dhe ja ku kam një vjehërr dhe një djalë, për të cilin, në qoftë se nuk i jap gji si e ëma, as që ekzistoj.

…Përpara se të martoheshim, Aleksi më premtonte se do të jetonim më vete, pa mamanë, pa babanë, se do të bënim qejf sa herë që të na tekej! Tani, kur ia kujtoj këto, i duket fare pa kuptim që të mos pranojmë ndihmën që i ofrojnë prindërit e tij. Kurse të mitë e kanë kuptuar: po t’u kërkoj ndonjë gjë, ma japin; nëse jo, jo. Pikë. Dhe kam përshtypjen se prindërit e Aleksit nuk kuptojnë asgjë. Ata kuptojnë vetëm që Aleksi është një fëmijë i jashtëzakonshëm, që do të bëjë karrierë dhe pranë të cilit unë do të jem e lumtur. Unë dëshiroj të jem e lumtur me të, jo pranë tij.

…Përpara se të martoheshim, më betohej se gjithë jetën do të ishim vetëm ne. Por kjo ne ka tani një nuancë tjetër. Më vjen rëndë ta them, por… as për sa i përket dashurisë nuk rrimë mbi trëndafila. Vjehrra ime i flet gjithnjë veç për të rinj që janë rraskapitur sapo janë martuar.

…Përpara se të martoheshim u lodhëm së kënaquri. Dhe askush nuk na thoshte asgjë. Shumë keq! Aleksi dëshiron të bëjë karrierë. Ashtu si mamaja e tij, si babai i tij. Këtë ia kanë thënë që kur ishte në pelena dhe që kur i blenë kompjuterin. Sepse ia morën kompjuterin me kohë. Nuk duhet të jesh gjenial, që ideja se do të bëhesh dikush, thënë përditë, të japë fryte!

…Përpara se të martoheshim, Aleksi më thoshte se do të mësonim shumë gjëra së bashku. Në kompjuter. Dhe ashtu ndodhi për njëfarë kohe. Por unë dëshiroja edhe diçka tjetër. Të bënim edhe një fëmijë. “Fëmijë! – kërceu si e përvëluar vjehrra ime. – Ti nuk e kupton që Aleksi ka nevojë për qetësi, që të plotësojë misionin e tij në këtë botë?! Nuk e kupton se ç’do të thotë për Aleksin net pa gjumë, në vend që të punojë në kompjuter? Edhe për ty nuk do të ishte mirë, tani kur ke tërë ato provime. Shkolla e jetës nuk të fal.” – “Mirë, por do të rri te mamaja ime, e cila mund të më ndihmojë”, – i them. “As të mos e mendosh një gjë të tillë, – proteston mamaja e Aleksit. – Aleksi do të jetë gjatë gjithë kohës i shqetësuar, duke menduar çfarë bëni ju, si ndiheni. Madje, edhe unë do të jem shumë e shqetësuar. Ki pak durim!” – e mbylli bisedën vjehrra.

…Përpara se të martoheshim, Aleksi më thoshte se kishte prindër të jashtëzakonshëm, që duan nipër e mbesa. Atëherë kjo ide më trembte. Mos, vallë, Aleksi dëshironte të kishte një grua që t’i bënte shumë fëmijë, që t’i lumturonte prindërit e tij? Mund të them se pata fat. Vjehrra na bëri t’i mbanim frenat fort. Sikur më hodhi dikush një brokë me ujë të ftohtë në fytyrë. Isha një lloj lodre seksuale dhe, kulmi, për njëfarë kohe më pëlqeu të isha. Por tani jo, nuk më pëlqen. Dhe nuk më pëlqen as Aleksi, i cili është një djalë mamaje. Kur dalim për të shkuar gjëkundi, i telefonon mamasë, që të justifikohet; kur nuk dalim, i telefonon që të japë shpjegime. Nuk po e kuptoj ç’bëhet me jetën tonë!

…Përpara se të martoheshim, Aleksi u besonte iluzioneve që m’i shiste mua: se do të ishim të lumtur, edhe ashtu, me mamanë e tij, se “do t’ia dilnim në krye”, se do të kishim një fëmijë lozonjar e ku di unë se çfarë. Pse mamaja e Aleksit shikon vetëm neuronet e djalit të saj, kurse unë për të jam vetëm një vagjinë, e shumta një mitër, një shilarës për fëmijë? Dhe, vallë, pse Aleksi nuk mund të shikojë asgjë tjetër përveç asaj që shikon e ëma?

…Përpara se të martoheshim, kisha përshtypjen se Aleksi ishte burri hyjnor. Ku dreqin e gjeta, ë?!”

 

Shkëputur nga albumi “Shtrati martesor na ndan a na bashkon?

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

2 + seventeen =

X