info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Dalia, një metaforë dashurie!

Si mund të shndërrohet urrejtja në dashuri? Dhe për më tepër, midis dy grave që duhet të ndajnë mes tyre të njëjtin burrë të caktuar me dhunë nga shoqëria? Vallë, a mundet që dashuria t’i përballojë sistemet shoqërore, cilatdo qofshin dhe t’i sfidojë ato jo vetëm në shoqëritë e vjetra ku sundonin ligjet e maleve, por gjer dhe në shoqëritë moderne të lirisë dhe të barazisë?

Dalia është historia e një gruaje që përpiqet të ngërthejë në vetvete universalen, historia e një gruaje që i vdes burri nga rrufetë dhe që mbetet me një fëmijë jetim. Por, sipas Kanunit, ajo është e detyruar ose të braktisë fëmijën e të kthehet në familjen e dikurshme të saj, ose të qëndrojë dhe të martohet me vëllanë e burrit, i cili, në fakt, sapo është martuar. Ç’duhet të bëjë kjo grua? Të braktisë fëmijën e mëkuar me aq dashuri e përkushtim, gjakun e saj, e të shkojë dhe të rifillojë një jetë të re, apo të qëndrojë dhe të bashkëjetojë me ta? Një dilemë tragjike dhe e jashtëzakonshme rrënjët e së cilës i gjen që në kohët antike e më pas. Aq sa të ngjan se edhe pas dy mijë vjetësh natyra njerëzore ka mbetur po ajo, e pandryshuar, me ngjarje që janë kthyer tashmë në mite të parapëlqyera të botës moderne, me historitë e Edipit, Klitemnestrës, Medeas e shumë të tjerave.

Janë katër personazhe që vërtiten në vorbullën e urrejtjes dhe të dashurisë: Dalia me Sadin, djalin e vogël, dhe Mara me Rexhën, të cilët ende nuk e kanë shijuar frytin e dashurisë. Askush nuk e dëshiron një përballje të tillë. Sadi i vogël të përkujton së largëti Hamletin me ungjin e tij, edhe pse këtu s’kemi te bëjmë me pushtetin, por me diçka më të thellë ngjizur në shpirtin njerëzor. Fëmija nuk mund ta falë që, me vdekjen e babait, ungji të ndajë shtratin me nënën e tij. Dhe drama është e madhe: vetëm mali, furtunat, ujqërit e dëbora e madhe mund ta qetësojnë shpirtin e kësaj fëmije.

Ç’ndodh vallë me dy gra që duhet të ndajnë të njëjtin burrë? Të ndajnë mes tyre netët e shtratit dhe seksin? Drama, si një fat i keq suprem, i përfshin të gjithë. Shtrati kthehet në një mëkat të madh, ku Rexha jeton me hijen e vëllait të vdekur duke pritur i pafuqishëm mallkimin e Zotit.

E megjithatë, është jeta e vështirë që vendos ndryshe dhe ku sfidat e saj dalëngadalë i shuajnë stuhitë e urrejtjes, hakmarrjen, dëliret; janë mbijetesa, lindjet e fëmijëve të tjerë, lufta kundër natyrës që do t’i afrojnë këta njerëz. Është pikërisht ndjenja humane që triumfon mbi të gjitha dhimbjet dhe mallkimet drejtuar qiellit, Zotit dhe botës. Një dashuri e re lind. Dy gratë kthehen kështu pothuaj në një personazh të vetëm, ku është e pamundur t’i veçosh. Është dashuria për njëra-tjetrën që i ka ngjizur, ku bota e tyre intime, e dashurisë dhe e shtratit, është e përbashkët.

E kështu, pas vdekjes së Marës plakë në një botë mjegulle, është Dalia që na tregon këtë rrugëtim për tek ajo, këtë dhimbje e dashuri, këtë transformim të jashtëzakonshëm të urrejtjes në dashuri…

 

Nga Luan Rama

Romani  “Dalia”,
botuar nga “Albas”

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

1 × 5 =

X