info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Dilema e zotit Sadëll

Dilema e zotit Sadëll

Linda Keli ka vite që punon si mësuese e lëndës së Fizikës, në kolegjin privat “Harri Fultz”. I shoqi i saj është një amerikan me trup të hollë dhe me favorite të trasha, Fin Sadëll, i cili punon si përgjegjës i turnit të natës në Ambasadën Amerikane. Çifti kalon shumë pak kohë së bashku, si pasojë e angazhimeve në punët përkatëse, e megjithatë, si duket, aq mjafton që martesa e tyre të mos pësojë ndonjë krisje serioze. Duke qenë se nuk kanë fëmijë, ata kanë vendosur të mbajnë në shtëpi një qenushe. Ajo është një kone e një race të veçantë aziatike, me gëzof të bardhë dhe të dendur, me trup të vogël dhe këmbë të shkurtra, të cilën z. Sadëll e ka quajtur Brixhinë. Znj. Keli nuk e ka shumë për zemër këtë kafshëz. Ajo i duket tepër e brishtë, grindavece e plogësht dhe nuk i fal asnjë lloj kënaqësie. Përkundër, z. Sadëll është shumë i përkushtuar dhe thuajse lë mendtë pas Brixhinës. Aq sa çdo mbrëmje, kur është duke kryer shërbimin, nuk harron të telefonojë mbi dy–tri herë në shtëpi, për t’i kujtuar të shoqes orarin e nevojave të qenushes. Znj. Keli, ç’është e vërteta, këto telefonata nuk i ka fort për zemër, madje duhet thënë se e bezdisin së tepërmi. Kështu që ajo shtrihet në shtrat e vetme, kryqëzon duart e nervozuar ose luan me gërshetin e flokëve të saj të verdhë dhe s’i mbetet gjë tjetër, veçse të presë momentin kur do të bjerë zilja e telefonit. Në fillim, ajo pret që zilja të bjerë një herë… dy herë… tri herë, për t’i dhënë të kuptojë të shoqit se është mjaft e zënë me punë. Pastaj, nëpër dhëmbë e gjithë mllef thotë plot fjalë të ndyra, nga ato që nuk para përdorin femrat, dhe e ngre receptorin duke e tjetërsuar zërin aty për aty. I shoqi i di të gjitha këto marifete. Pritja e nervozon për një çast, mirëpo ëmbëlsia e zërit të saj e çarmatos në moment dhe ai harron ta qortojë. Ia nis menjëherë nga pyetjet më të zakonshme, të cilat znj. Keli i ka mësuar përmendsh.

– Zemër, a e hëngri Brixhina të gjithë ushqimin?

– Duket e lumtur apo e trishtuar?

– Zemër, a nuk mendon se Brixhina ka nevojë për një banjë, para se nesër ta dërgoj për kontroll te veterineri?

– Zemër, a po fle Brixhina? Po fle në kanistër apo mbi divan?

– Zemër… a mund t’ia dëgjoj të lehurën në tel?

Gruaja bëhet spec e kuq nga inati, mirëpo nuk ka se ç’bën. Asaj i duhet të presë me durim, derisa i shoqi ta përfundojë vetë telefonatën.

* * *

Ngjitur me apartamentin e tyre, në qoshkun tjetër të hapësirës së korridorit jeton zoti Filip. Filipi është një burrë i shkuar në moshë. Gati dy herë më i plakur në vite se zoti Sadëll, por shumë më i fisshëm dhe më i kuruar në pamje. Me flokë të zinj, të qethur shkurt dhe mjekër të rruar taze, ai mbahet për bukuri. E shkuara si ushtarak e ka shndërruar në një njeri me sqimë në kujdesin që tregon ndaj vetes. Ky beqar i shkuar në moshë jeton në apartament vetëm me maçokun e tij të zi, të quajtur Luçiferr. Ai është shumë i lidhur me çiftin. Sidomos me znj. Keli, së cilës i pëlqen të zhvillojë herë pas here biseda të ndryshme me plakun. Ata flasin për librat, për luftën dhe për dashurinë pa kurrfarë droje.

Ajo e adhuron edhe Luçiferrin. Të dielave, kur çifti qëllon të jetë në shtëpi, z. Filip pasi lyen me kujdes favoritet me bojë të zezë, për të mos i rënë në sy thinjat e moshës, i viziton rregullisht. Ai merr me vete edhe maçokun. Z. Sadëll e gëzojnë përherë vizitat e plakut, sepse ato sjellin një atmosferë ndryshe, por nga ana tjetër, nuk e duron maçokun trazovaç. Ai ka një antipati aq të madhe ndaj asaj kafshe, sa të thuash ndien edhe njëfarë përbuzjeje ndaj së shoqes, e cila ka dëshirë ta marrë maçokun në prehër për ta përkëdhelur. Adhurimi i gruas për maçokun e z. Filip, nga ana tjetër, i ngjall edhe habi. Ai nuk e ka parë kurrë atë të tregojë as gjysmën e një kujdesi të tillë ndaj kones së tij të vogël. Madje kur ndodh që Luçiferri të shkaktojë ndonjë potere me veprimet tinëzare karshi qenushes grindavece, dhe kjo e fundit rreket të lehë si e tërbuar, znj. Keli nuk kursehet të shfryjë inatin mbi kafshëzën e preferuar të bashkëshortit, pa rezervuar as edhe një fjalë qortuese për maçokun. Madje e merr në prehër dhe e vendos mbi shtratin e saj të butë. Aty nga ora nëntë, kur fqinji e mbaron kafenë dhe vendos të largohet, burri ndien një lloj kënaqësie dhe lehtësimi!

Tani në shtëpi ka rënë qetësia dhe ndodhet vetëm me gruan. Për znj. Keli, qëndrimi pas mbrëmjeve të së dielës vetëm për vetëm me të shoqin është momenti më i trishtë i javës. Pavarësisht kujdesit të tepruar dhe dashurisë së pakufishme që tregon ai për të, asaj i duket njeri fare pa shije. Sidomos atëherë kur, përpara se të shtrihet për të fjetur, vesh ato pizhamet plot lulka dhe vendos në kokë kapuçin e leshit. Burri e ndien vështrimin shpotitës të së shoqes, por kupton se është vonë për ta korrigjuar gabimin, kështu që tërheq batanijen nga vetja dhe fle thuajse pa lëvizur, gjersa zbardh mëngjesi. Kështu kalon edhe një e diel. Mëngjesi i së hënës është një çlirim për të dy. Java ka nisur nga e para dhe e diela tjetër duket larg. Ajo niset për në punë që herët në mëngjes, ndërsa ai qëndron në shtëpi, në pritje të turnit të mbrëmjes. Më pas është radha e tij për të shkuar në punë dhe ajo, si zakonisht, mbetet e vetme në shtëpi. Ndihet e lehtësuar përnjëmend. Ato mbrëmje ajo i kalon duke menduar për bisedat e gjata të së dielës me zotin Filip. Kështu e kalon edhe një natë nën mungesën e bashkëshortit. Ky, pasi vjen të nesërmen, e puth i lumtur në faqe. Tashmë ajo është ngritur dhe është bërë gati, sepse duhet të niset për në punë. Ndërsa ai ndihet i lodhur dhe vendos të flejë. Shtrihet në të njëjtën anë që ka fjetur gruaja, pasi i pëlqen të ndiejë në jastëk aromën e saj. Qëllon shpesh që mbi jastëkun e bardhë të gjejë ndonjë qime të shkurtër të zezë.

“Janë prej gëzofit të Luçiferrit”, – mendon dhe fillon të ndiejë sërish një përbuzje të madhe për gruan.

16 qershor 2019

tregim i shkëputur nga libri “Të vdesësh nën diell”, Ervin Nezha, botuar nga Albas

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

9 − seven =

X