info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Dy fjalë për librin tim, “Shtatë të çmendurit”

Një lexues më shkruan:

“I nderuar zotëri: kam marrë vesh se është botuar një roman juaji i titulluar “Shtatë të çmendurit”. Duke qenë se nuk kam shumë para për të investuar në libra, do t’ju falënderoja nëse më jepni disa të dhëna mbi të, për ta ditur në ia vlen apo jo, që të shpenzoj kohën dhe paratë për ta lexuar.”

Ngurrova një çast. Pastaj thashë me vete se, përderisa kam folur aq shumë për veprat e të tjerëve, e kisha gjithë të drejtën të shpjegoja se për çfarë bënte fjalë romani im. Mandej, nëse ka njerëz që kënaqen thjesht duke njohur argumentin e një romani, pa e marrë mundimin ta lexojnë apo të shpenzojnë do qindarka për ta blerë, atëherë unë do t’ua jap falas këtë argument lexuesve të mi.

Njerëz të këtij qyteti

Koha e ngjarjeve të romanit tim është e shkurtër. Përfshin tri ditë e tri net; marrin pjesë afërsisht njëzet personazhe. Nga këto njëzet personazhe, shtatë janë qendrore, domethënë, përbëjnë boshtin e rrëfimit. Thënë më mirë, shtatë boshte, që kulmojnë në një protagonist. Erdosaini, nyja e vërtetë e romanit.

Këta individë, të paskrupullt, të trishtë dhe ëndërrimtarë të poshtër njëkohësisht, i lidh ose i bashkon me njëri-tjetrin dëshpërimi. Dëshpërimi i tyre, më shumë sesa prej varfërisë materiale, është pasojë e një tjetër faktori: çorientimi, i cili, pas luftës së madhe, e ka trazuar ndërgjegjen e njerëzve, duke i zbrazur nga idealet dhe shpresat.

Burrat e gratë e këtij romani e refuzojnë të tashmen, qytetërimin dhe mënyrën se si është organizuar shoqëria. E urrejnë këtë qytetërim. Duan të besojnë në diçka, të përgjunjen përballë diçkaje, të dashurojnë diçka; por kjo dhunti besimi, “hiri i Zotit” siç  e quajnë katolikët, është e ndaluar për ta. Ndonëse duan të besojnë, nuk munden. Siç shihet, angështia e këtyre njerëzve lind prej shterpësisë së tyre të brendshme. Janë burra dhe gra të këtij qyteti, të cilët unë i kam njohur.

Argumenti

Argumenti është i thjeshtë. Njëri prej personazheve, i quajtur Astrolog, do të organizojë një shoqëri sekrete, me qëllim që ta revolucionojë dhe ta prishë rendin aktual. Për ta vënë në jetë planin e vet, i lypsen para. Në këto rrethana, Erdosaini i paraqet mënyrën për t’ia arritur. Bëhet fjalë që të rrëmbejnë një të afërt, i cili e ka goditur me shpullë.

Kjo që sapo rrëfeva përfshin ditën e parë të romanit. Në ditën e dytë kryhet rrëmbimi i personazhit të përmendur, dhe pjesa e tretë, ose dita dhe nata e fundit, përfshijnë jetën e brendshme të personazhit kryesor përpara se të kryejë krimin, ose të lejojë kryerjen e tij.

Tri aspekte

Në vetvete, romani paraqet tri aspekte: psikologjik, policor dhe imagjinar.

Organizimi i shoqërisë sekrete, ndonëse duket marrëzi, nuk është e tillë. Para pesëmbëdhjetë ditësh, telegramet e botuara në disa gazeta, njoftonin për arrestimin në Shtetet e Bashkuara të pjesëtarëve të një shoqërie sekrete që quhej “Urdhri i vulës së madhe”. Qëllimet e pjesëtarëve të kësaj shoqërie ishin identike me ato që u vishen personazheve të romanit tim. Domethënë, unë s’kam bërë asgjë tjetër veçse të riprodhoj një gjendje anarkie të mistershme që fshihet në gjirin e çdo të çorodituri dhe çmendaraku. Aspekti policor dhe juridik i romanit, apo dilogjisë; pasi e studiova rrëmbimin, u këshillova me një profesionist në fushën e krimit. Ky, mbasi i dëgjoi shpjegimet e mia, më pyeti, dhe vini re se sa e interesante është pyetja e tipit:

‒ Autorët e krimit, janë profesionistë apo fillestarë?

‒ Fillestarë.

‒ Shumë mirë. Nuk do shkonte, po të ishin profesionistë, ‒ tha dhe fill më pas hyri në shpjegimet teknike se përse shkonte të ishin fillestarë dhe jo të mos ishin të tillë.

Jeta e brendshme

Për mua, veprimet e një krimineli nuk paraqesin absolutisht kurrfarë interesi, nëse nuk shoqërohen nga një jetë e brendshme e çekuilibruar, e vrullshme, e ankthshme. Besoj se çdo fillestar në fushën e krimit, nëse ka një fije zgjuarsi, duhet të kalojë momente të skëterrshme.

Burrat dhe gratë, në rrjedhën e historisë së përmendur, jetojnë tmerrin e gjendjes së tyre. Prandaj edhe romani shtrihet në treqind e pesëdhjetë faqe. Duke hequr njëqind faqe veprimi, pjesa tjetër e librit s’bën gjë tjetër veçse përimton atë çka mendojnë këta jonormalë, atë çka ndiejnë, vuajnë, ëndërrojnë. Të gjithë ata e dinë fort mirë se e kanë të ndaluar lumturinë, por, si bisha në zinxhirë, rebelohen kundër këtij fataliteti. Duan të jenë të lumtur dhe, duke qenë se e mira ua ka mbyllur dyert, kanë mendime të përbindshme, të cilat ua shtojnë brejtjen e ndërgjegjes dhe nevojën për të kryer krime, me qëllim që ta mbysin britmën e ndërgjegjes së tyre të mallkuar.

Shkrimtari i madh rus, Dostojevski, thoshte: “Çdo njeri mbart brenda xhelatin e vet”. Jam munduar që ta bëj të dukshëm ketë realitet te veprimet e personazheve të librit, pasi ashtu është te jeta e njerëzve të këtij shekulli.

As të çmendur, as të arsyeshëm

Me pak fjalë: këta demonë nuk janë as të çmendur, as të arsyeshëm. Ata enden si fantazma në një botë të errët plot probleme morale dhe mizore. Po të ishin më pak frikacakë, do të vrisnin veten; po të kishin karakter pak më të fortë, do të ishin shenjtorë. Në të vërtetë, kërkojnë dritën. Por e kërkojnë të zhytur kryekëput në baltë. Dhe e ndotin gjithçka prekin.

Mua, si autor, nuk më pëlqejnë këta individë. Ama u mora me ta. Dhe çdo autor, për një çast, është skllav i personazheve të veta, sepse ata mbartin brenda tyre të vërteta mizore që ia vlejnë të njihen.

Si përfundim: në këtë vepër nuk ka asnjë martesë, asnjë ballo, asnjë deklaratë dashurie. Ndoshta gjinisë femërore mund të mos i interesojë.

 

Roberto Arlt

E mërkurë, 27 nëntor 1929

Përktheu: Erion Karabolli

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

3 × four =

X