info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Katedralja – çështje të përkthimit

Dy fjalë për përkthimin e romanit “Katedralja Shën Mëria e Parisit”

Ky roman i njohur i letërsisë klasike vjen për herë të dytë tek ne në shqip, pra është një ripërkthim. Mendoj se ka qenë e detyrueshme përqasja me përkthimin e Bujar Dokos, i cili e ka sjellë romanin si premierë. Përkthimi i Dokos është dinjitoz, i pasur dhe i pasuruar me fjalë dhe mënyra të sjelljes së frëngjishtes së fillimshekullit XIX në gjuhën shqipe të fillimshekullit XX (pra fjalët e një gjuhe tjetër e të një kohe tjetër të asaj gjuhe, të vijnë në gjuhën e dytë të një kohe më të vonë).

Megjithatë kam qenë i detyruar për parim, dhe jo për vullnet diversifikimi që të ndjek një linjë tjetër në sjelljen e atmosferës së këtij romani. Që nga titulli kam menduar se duhet të ruhet edhe simbolika edhe emblematika e Katedrales së famshme të Parisit, e cila e bëri librin të famshëm, por edhe libri ia shtoi famën dhe spikamën që ajo ka. Përkthimi i titullit si Katedralja e Parisit krijon menjëherë një pështjellim jo të shëndoshë. Mesa di unë Parisi ka nja gjashtë katedrale, ndër të cilat edhe një tjetër të famshme, ajo e Zemrës së shenjtë në kodrat e Monmartrit.

Pra gjithsesi më duhej t’i mbetesha besnik origjinalit që e quan atë me një elips si Shën Mëria e Parisit, pa e pasur nevojën e fjalës “katedrale” për shkakun e famës proverbiale të kësaj ndërtese shekullore dhe qendrore në zemrën e Parisit. Kështu vendosa pra ta “fryj” pak titullin, në mënyrë që ai t’i përgjigjej edhe përmbajtjes së librit, i cili kaq me imtësi flet për arkitekturën dhe historikun e kësaj ndërtese emblemë për “qytetin e dritave”.

Problemi i dytë ka lidhje me atmosferën rreth kësaj katedraleje dhe me frymën e epokës dhe korrektësinë e përkatësive. Kjo Katedrale është një kishë katolike, pra që i përket krishtërimit perëndimor ose roman. Për fat të mirë, por edhe objektivisht, shqipja është gatuar fillimisht ndër tekste fetare dhe liturgjike, ku janë zgjidhur prej shekujsh të gjitha problemet e terminologjisë së shërbesave dhe të aksesorëve të këtij krishterimi. Më është dukur se përkthimi nuk mund të bëhej pa zgjedhur edhe termat që shpesh e dallojnë katolicizmin nga ortodoksia.
Kam përdorur fjalën “kelkshenjt” që ekziston vetëm në besimin katolik dhe kam qenë i kujdesshëm që në vend të fjalës “manastir” të përdor fjalën “klostër” ose “kuvend”, në vend të fjalës “rasë” kam përdorur fjalën “sotanë” ose “veladon”. Po ashtu e gjithë liturgjia dhe elementet e arkitekturës kanë specifika të veçanta të katolicizmit dhe duhet të gjurmoheshin fjalë përgjegjëse, të cilat ekzistojnë edhe te ne, sepse edhe ne i kemi katedralet në tokën tonë, madje edhe gotike, që më 1288, siç është fjala për katedralen e Shirqit dhe Bahtit në Shirq të bregut të Bunës, ndërtuar prej Helenës, bashkëshortes së Uroshit II të Serbisë. Kësisoj na rezulton se, kur disa punë nuk nisin ashtu sikurse duhet, ndodh që të krijohet një traditë, të cilën është vështirë ta kthesh më mbrapsht. P.sh., desha të shtoj se ekziston një formulë absolutisht adekuate për përkthimin po adekuat të titullit të këtij romani. Në hyrje të qytetit të Shkodrës, njëqind metra mbas urës së Bahçallëkut, është një kishë që quhet kasha e Zojës dhe Zoja është saktësisht “Notre Dame” ose Shën Mëria, nëna e Jezu Krishtit. Kësisoj libri ynë, ky libër pra, ndoshta do të ishte i përkthyer shumë korrekt, po të kthehej si Katedralja e Zojës së Parisit. Ky variant titulli do të ishte shumë i saktë dhe me ngjashmëri absolute me emrin zyrtar të katedrales me të njëjtin emër dhe me të njëjtin përkushtim në Paris.Dhe pastaj, po qe se do të donim të shkonim edhe më thellë prapa në nivele gjuhësore, po nga terreni shqiptar, do të gjenim edhe një model tjetër që mund të përdorej, sidomos nëse do të na pëlqente një gjuhë më e vjetër shqipe, mbase afër – ose edhe mesjetare e plotë. Në pellgun e Koplikut ndodhet një fshat me emrin Gruemirë. Kjo fjalë ka pasur kuptimin pikërisht të Shën Mërisë.

Pra adhurimi popullor e shihte atë si një “grue të mirë”, që e kthyer në shqipen e sotme fjala “grue” do të thotë edhe grua, por edhe zonjë. Kurse për poliseminë e shqipes mesjetare fjala “e mirë” do të thoshte “e bukur”, “e pastër moralisht” dhe “e shenjtë”. Pra, absolutisht përshkrimi ungjillor i figurës. Sipas kësaj logjike dhe po të mund ta ndërronim mendësinë e të shumtëve që gabojnë pa ditur dhe ngulin këmbë pasi e dinë, titulli i veprës që kemi në dorë do të tingëllonte shumë bukur sikur të ishte edhe Katedralja e Gruemirës së Parisit.

Për të përfunduar, e ndiej se duhet të themi se nismat e ripërkthimit janë gjithsesi pozitive. E para: se kjo ka ndodhur e ndodh në të gjitha gjuhët e mëdha të botës dhe përkthyesit kanë njëfarë gare pozitive që ua mban gjallë frymën e konkurrimit. E dyta: se veprat e mëdha përbëhen prej elementesh që shpesh nuk mund të zgjidhen të gjitha brenda një përkthimi, pra përkthimet simotra në tërësinë e tyre arrijnë të japin një pamje më të plotë të një origjinali. Mendoj se në këtë drejtim të ri të ripërkthimeve një ndihmesë të bukur ka dhënë e po jep shtëpia botuese ALBAS me drejtuesit e saj që, në mos tjetër, po i përditësojnë tekstet e përkthyera njëherë të klasikëve duke i krijuar shqipes shanse të reja për të treguar nivelet e saj zhvillimore dhe shpirtin e saj të sfidës në një shekull të ri.

 

Shkëputur nga “Katerdralja Shën Maria e Parisit”,
përkthyer nga Primo Shllaku,
botuar nga “Albas”

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

6 − three =

X