info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Kush është Federik Rreshpja?

Edhe pse ka vite që nuk jeton më, përsëri ka vend për pyetjen: kush është Rreshpja?

Kur pashë se njëri ndër poetët më të njohur arbëreshë të sotëm, me dashamirësinë për të promovuar letërsinë e vendit të origjinës, paraqiste në rrjetet sociale një poezi të Rreshpjes, të përkthyer në italisht dhe të vendosur në faqet kulturore të atij vendi, por poezia nuk qe e poetit në fjalë, arrita të komunikoja me përkthyesin, që më tha se jo vetëm që e kishte parë si të tijën, por edhe të lavdëruar nga një poet i njohur, mik i hershëm i poetit të vdekur. E dija se kishte një ngatërresë në rrjetet sociale, po nuk e prisja që puna të shkonte deri këtu, edhe pse Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot dhe se prirja për ta përkthyer ka marrë përmasa të mëdha. Thuhet se romani “Pedro Paramo” i Juan Rulfos, “një kryevepër e vërtetë”, sipas buzëhollit Borges, nuk e mori famën që meritonte, sepse qe përkthyer dobët. Por, nëse një autor e paraqesim për një tjetër çfarë do të ndodhte? Ishte e habitshme rezistenca e personave të portaleve për të mos e korrigjuar ngatërresën. Ma konfirmuan edhe persona të tjerë që e kishin hasur këtë problem. Kulmi qe kur një person të cilit ia paraqita të gjitha faktet se si qëndronte e vërteta, më tha se poezia X qe e Rreshpjes, pasi një miku i tij e kishte marrë prej vetë dorës së autorit!!!

Ka ardhur koha që prej poetit të vdekur të merret pak lavdi, por kjo prirja për ta marrë si e duan dhe jo si është, mbetet mënyra më e mirë për ta vrarë. Sidomos kur atij nuk i është dhënë ende vendi që meriton dhe poezitë e ngatërruara rezultojnë më të brohoriturat nga ky rreth njerëzish, edhe pse autori i vërtetë as që është në dijeni të këtij “suksesi”. Është e vërtetë që Rreshpja gjithmonë ka dashur të jetë ndryshe nga çfarë mbizotëronte në realitetin shqiptar, por jo të ekskomunikohej. Shkëputja prej 15 vjetësh nga poezia dhe ngritja e saj e përnjëhershme në stad të lartë, flasin për një dukuri përtej shqiptares, për një njeri të vetëdijshëm për atë që mund të bënte. (Arshi Pipa ka një tezë, që thotë se letërsia shqipe vuan nga cilësia, sepse shkrimtarët e saj nuk prodhojnë në moshën e pjekurisë.) Rreshpja e shfrytëzon pjekurinë artistike si një Kavafis, Yeats apo Montale. Ndryshe nga ç’kishte qenë moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. Në vitin 1992, thotë për një media të Kosovës (Zëri, Prishtinë 1992): …më shqetëson shumë përsosja e formës, fryma kombëtare dhe preciziteti… Përsosja e formës së poezisë më ka mbetur një ëndërr e parealizuar. Por këto deklarata nuk mjaftuan për të tërhequr vëmendjen ndaj tij.

Poezitë e kësaj periudhe i botoi më 1994 te libri “Erdhi ora të vdes përsëri”. Mania që kishte për përsosmërinë, e bëri që të reflektonte dhe dy vjet më vonë të botonte vëllimin “Lirika të zgjedhura”. Në këtë periudhë kohe që vazhdonte të jetonte në Shkodër dhe kam pasur rastin të shoqërohem gjatë me të, kur po kërkonte për titullin e librit, më tha nëse mund t’i jepja ndonjë ide. I çova një letër format të mbushur plot me lojëra nga metaforat e tij. I pëlqeu ato, por qe e qartë se kërkonte diçka tjetër. Diçka më të zhveshur. Ishte për titullin “Diku, kudo”, sepse nuk mund të përdorte titullin “100 lirika”. Kjo donte të thoshte që, si rezultat i konsekuencave të tij, edhe pse në kulmin e krijimtarisë, nuk mund të realizonte aq lirika.

Te libri ‘Lirika të zgjedhura”, la jashtë rreth 15 poezi nga libri i mëparshëm dhe shtoi diçka më pak. As kthimi te poezia e hershme nuk e ndihmoi për të arritur numrin 100. Mori 6-7 poezi. Siç ndodh shpesh, ndoshta kjo prirje për përsosmërinë qe një nga gjërat që e la jashtë vëmendjes. Ai bënte kompromis vetëm me vokacionin e tij. I zhgënjyer, nuk botoi më dhe nuk e organizoi më veprën e vet ashtu siç do të donte ai, me 100 lirika. Padyshim, në një kohë kur reklamoheshin me çmime kombëtare e përkthime gjëra të papërfillshme, ky mbetet një nga trishtimet më të mëdha.

Vetëm një vit para vdekjes dalin librat “Vetmi” dhe “Në vetmi”, secili i konceptuar krejt ndryshe nga tjetri, që do të thotë se, para entuziazmit të adhuruesve ndaj veprës së tij poetike, dora e tij, prej të sëmuri dhe plaku, ndihej pak. Botuesit aktivizuan shumë poezi që ai i kishte lënë jashtë në përzgjedhjen e tij, të cilat u shtohen të rejave, duke e zgjeruar kështu prodhimin e tij poetik, që tashti shfaqet në libra pak më të trashë se më parë. Meqë ishte gjallë, mund t’i marrim si të aprovuar prej tij, gjë orientuese për botimet e reja. Përveç të tjerash, ata paraqesin interes për punën e tij me variantet. Sidomos për këtë.

Se çfarë ka botuar në gazeta e revista, të asaj periudhe, nuk është e lehtë të orientohesh. Pyetjes se pse botonte në disa organe jashtë letërsisë së vërtetë, njeriu që jetonte vetëm për poezinë, m’i qe përgjigjur që në “Drita”, e cila vazhdonte të ishte e vetmja gazetë letrare në Shqipëri, nuk mund të botonte kur të donte. Drejtuesit e saj, te të cilët vazhdonte të mbizotëronte ideja e kohës së realizmit socialist se çdo fshat i Shqipërisë e kishte krijuar shkollën e vet poetike, i qenë përgjigjur se “duhet pak gjeografi”. Megjithëse çdo gjë e kishte kundër, do të botonte herë pas here nga ato gjëra që do të shfaqeshin në librat e vitit 2014. Por edhe ndonjë gjë që nuk hyn atje. Në një intervistë (Drita, 18 qershor 2000), ndër të rrallat që duhet parë me kujdes, sepse te të tjerat vetëm argëtohej, përgjigjet që ka në dorë dy romane. Dhe shton: Kam edhe librin “100 lirika”. Apo: Kam vënë re se tani poezinë e shkruaj më me pasion se kur kam qenë 20 vjeç. Apo: pëlqen të vazhdoj rrugën e Poradecit (është më i larti).

 

Nga Gazmend Krasniqi

Shkëputur nga libri “100 lirikat

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

1 × two =

X