info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Pse e shkrova romanin “Kerol”?

Patricia Highsmith tregon

Frymëzimin për ta shkruar këtë libër e pata nga fundi i vitit 1948, kur jetoja në Nju-Jork. Ngaqë kisha mbetur pa të ardhura, nisa një punë si shitëse në një dyqan të madh, në Manhatan; ishte piku i blerjeve në atë vigjilje Krishtlindjesh.

Mua më caktuan te seksioni i kukullave. Ishin aq të shumë shumtë blerësit, saqë e kisha të pamundur të ulesha nga ora tetë e gjysmë e mëngjesit deri në pushimin e drekës. Por edhe atëherë, edhe pasdite, ishte po njësoj.

Një mëngjes, në mes të këtij kaosi, hyn një grua bionde me pallto prej pelushi. Ajo eci drejt banakut të kukullave me një shikim të pasigurt. Më duket se mbante një palë doreza në njërën dorë. Ndoshta e pikasa sepse ishte e vetme, ose prej pelushit, një veshje e rrallë; apo ndoshta se ishte bionde? Ajo shkëlqente. Me atë pamje të menduar bleu një kukull, një nga dy-tri kukullat që i tregova. Shkrova emrin dhe adresën e saj në faturë, sepse kukulla duhej dërguar në një shtet tjetër. Ishte një veprim rutinë, gruaja pagoi dhe u largua. Por unë u ndjeva çuditshëm, gati e vilanosur, por njëkohësisht e ekzaltuar, sikur të kisha pasur një vegim.

Si çdo ditë, u ktheva në apartamentin tim, ku jetoja e vetme. Atë pasdite hodha një ide në letër, një fabul, një histori për gruan bionde elegante me pallto prej pelushi. Shkrova rreth tetë faqe me shkrim dore në bllokun tim të shënimeve. Kjo ishte e gjithë historia e Kerolës. Rrodhi nga stilolapsi im, si prej askundit – fillimi, mesi dhe fundi. M’u deshën dy orë, ose ndoshta më pak, për t’i shkruar.

Nëse do të shkruaja një roman për një marrëdhënie lesbike, a do të më quanin shkrimtare librash lesbikë? Mundej, edhe pse nuk do të kisha më kurrë frymëzim për të shkruar një libër tjetër të atillë.

Në vitin 1951, e kisha përfunduar librin së shkruari. Për dhjetë muaj nuk e lija dot mënjanë dhe nuk shkruaja dot asgjë tjetër.

Kerol u botua në vitin 1952 dhe pati vlerësime të mira. Por suksesi i vërtetë erdhi një vit më vonë, kur u botua si libër xhepi, i cili u shit në rreth një milion kopje dhe u lexua nga shumë më tepër.

Më kujtohet se, për muaj me radhë, nga lexuesit më vinin vazhdimisht letra. I jam përgjigjur shumicës së tyre, por nuk mund t’iu përgjigjesha dot të gjithëve.

Ndoshta protagonistja ime e re, Tereza, paraqitet si një vajzë tejet e tërhequr në librin tim, por ato ishin kohëra kur baret e gejve ishin në vende të fshehta në Manhatan. Ata që donin të shkonin në bare të tilla zbrisnin nga metroja një stacion përpara ose pas atij të duhurit, pasi nuk donin të binin në sy që ishin homoseksualë.

E bukura e Kerol është se pati një fund të lumtur për të dyja personazhet kryesore, ose, të paktën, ato do të përpiqeshin të ndërtonin një të ardhme së bashku. Përpara këtij libri, homoseksualët meshkuj dhe femra në romanet amerikane vetëndëshkoheshin.

Me sa mbaj mend, kishte po aq letra nga burrat sa edhe nga gratë, gjë që e pashë si shenjë të mirë për librin tim. Letrat vazhduan për vite me radhë, madje edhe tani vjen herë pas here ndonjë letër nga ndonjë lexues.

Nuk shkrova më libër tjetër si ky.

 

Shkëputur nga “Epilogu” i romanit  “Kerol”,
përkthyer nga Olta Canka,
botuar nga “Albas”

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

13 + 4 =

X