info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
V. Woolf: Të sundosh botën e burrave

“Gruaja duhet të ketë para dhe një dhomë më vete, nëse dëshiron të shkruajë romane”

Ajo dëshironte të përfshihej në një botë që u përkiste vetëm burrave romancierë dhe ia doli mbanë. Strukturën tradicionale të romanit e zbërtheu copash, dhe në të shtoi materiale për t’u kujtuar grave rrënjët e luftës së tyre për pavarësi, të nisur jo shumë kohë më parë.

“E kush arrin që ta masë zjarrin dhe dhunën e zemrës së poetit, kur zihet e mbërthehet në trupin e një gruaje?” – pyeste veten Virginia Woolf në vitin 1929, në librin “A rom of One’s Own” (“Një dhomë më vete”), një ese ironike e, megjithatë, një libër i paepur mbi raportin e grave me artin e të shkruarit. Teza e saj është e thjeshtë: varësia ekonomike dhe psikologjia ndaj burrave ka kushtëzuar letërsinë e grave. “Gruaja duhet të ketë para dhe një dhomë më vete, nëse dëshiron të shkruajë romane”, ka deklaruar ajo. Por kjo ishte shumë më shumë se sa një teori. Ishte një deklaratë pavarësie, një himn për emancipimin, një akt rebelimi ndaj stereotipave të një shoqërie fanatike dhe mendjengushtë, ku “gratë kanë shërbyer […] si pasqyra që zotërojnë fuqinë magjike për të reflektuar fizikun e burrave sa dyfishi i përmasave të tyre natyrale”. Virginia Woolf i ktheu fjalët në vepra. Ajo u bë mikpritësja dhe shpirti i grupit Bloomsbury, një rreth intelektual i sofistikuar por jo konformist, ku dikush hynte me ide për të ironizuar, por dilte me mendje akoma dhe më të hapur pasi ishin diskutuar tematika themelore – letërsi, art, politikë, besim fetar, seks – me çiltërsi absolute. Kjo grua jashtëzakonisht e lirë jetoi pezull mes kontradiktave: ishte vazhdimisht e shqetësuar se mos nuk ishte veshur mjaftueshëm mirë; nuk e fshihte dashurinë për gratë, por, në të njëjtën kohë, ishte e lidhur ngushtë me të shoqin, Leonardin; kishte një humor therës dhe të shfrenuar që kulmonte me të qeshura me zë të lartë, të cilat pasoheshin nga kriza dëshpërimi të plotë. Ajo përpiqej të qetësohej duke bërë shëtitje të gjata e sfilitëse dhe seanca shkrimi që s’kishin fund. Të gjitha këto bëheshin pa u bërë shumë pyetje të kota e pa kërkuar përgjigje nga ata që kishte pranë. “Nuk njohim as shpirtrat tanë, lëre më ata të të tjerëve”, do të shprehej Woolf.

 

Shkëputur nga albumi “50 gratë më me ndikim të epokës sonë

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

11 − ten =

X