Para ca kohësh një financiere, në moshën tridhjetëvjeçare, u paraqit te unë duke u ankuar se kishte disa kohë që e zvarriste punën. Ne analizuam ndjenjat që ushqente ajo ndaj autoritetit në përgjithësi dhe, veçanërisht, ndaj prindërve; studiuam qëndrimin e saj ndaj punës dhe suksesit, raportet e tyre me jetën bashkëshortore, identitetin seksual, dëshirën e kënaqësisë me burrin dhe të frikës së saj ndaj kompetencës së burrit. Por me gjithë këtë punë të lodhshme analitike nga të dyja palët, ajo vazhdoi të jetë jo e rregullt në punë. Më në fund, vendosëm të ballafaqohemi me problemin:
“I doni ëmbëlsirat ?” – e pyeta unë.
“Po,” – u përgjigj.
“Cilën pjesë të ëmbëlsirës pëlqeni më shumë – e pyeta më pas – Ëmbëlsirën apo kremin?”
“Oh, kremin, sigurisht,” – u përgjigj me entuziazëm.
“Si e hani ëmbëlsirën”? Pas kësaj pyetjeje, e ndjeva veten si psikiatri më trap në botë.
“Unë më parë ha kremin,” – u përgjigj.
Nga mënyra se si ajo e hante ëmbëlsirën, kaluam në analizën e shprehive të saj në punë. Dhe, siç e parandjeva, ajo çdo ditë merrej me punët e lehta dhe gjashtë orët e tjera mendonte se si do të fillonte punën e vërtetë. I propozova ta detyronte veten që në fillim të mbaronte pjesën e vështirë të punës, pastaj t’i kalonte me kënaqësi gjashtë orët e tjera, që ishin më të lehta. Ia vlente një orë mundim në krahasim me gjashtë orët e tjera kënaqësi. U pajtua me mua dhe, meqenëse ishte grua me vullnet të madh, filloi të hiqte dorë nga mënyra e vjetër.
Pra, më parë përballohemi me vështirësitë për t’i kapërcyer ato dhe kështu i krijojmë vetes kushte për kënaqësi. Kjo është e vetmja mënyrë për një jetë normale.
Këtë mënyrë apo proces të organizimit, shumë fëmijë e mësojnë herët në jetë, ndonjëherë dhe në moshën pesë vjeçare. P.sh, kur fëmija luan me shokun e vet, i propozon atij që të ndërrojnë rolet. Në fillim i mundëson shokut që të zgjedhë i pari, me qëllim që vetë të kënaqet kur t’i vijë radha. Në moshën gjashtë vjeçare fëmjët, fillimisht, hanë ëmbëlsirën, pastaj kremin. Kjo aftësi e hershme për të zgjatur kënaqësinë, vazhdon gjatë arsimit 8-vjeçar, veçanërisht lidhet me krijimin e shprehive për kryerjen e detyrave të shtëpisë. Në moshën dymbëdhjetë vjeçare disa fëmijë ulen për të bërë detyrat pa detyrimin e prindërve, që të shohin më pas me kënaqësi televizor.
Në moshën pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeçare një sjellje e tillë është normale. Ndonëse shumica e zotëron aftësinë e zgjatjes së kënaqësisë, disa prej adoleshentëve nuk e kanë këtë aftësi. Këta janë nxënësit problematikë. Edhe pse kanë një inteligjencë mesatare apo mbi mesataren, ata marrin nota të dobëta ngaqë nuk punojnë; shpesh herë i lënë orët e mësimit apo nuk shkojnë fare në shkollë; janë impulsivë dhe ky impulsivitet përfshin tërë jetën e tyre; shpeshherë provokojnë zënka, përdorin drogë dhe futen në konflikt me policinë. Motoja e tyre është: Kënaqu tani, paguaj më vonë!
Kështu prindërit e tyre mendojnë se ata kanë nevojë për psikolog apo për trajtim psikoterapeutik. Në shumicën e rasteve ndërhyrja është e vonuar. Këta adoleshentë kundërshtojnë çdo ndërhyrje, madje dhe kur me ta veprohet me shumë ngrohtësi apo miqësi nga ana e psikologut. Ky kundërshtim është aq i fortë, sa e bën të pamundur procesin psikoterapeutik. Kur vijnë për terapi, ata i largohen krejt asaj çka është e vështirë për ta, por e rëndësishme. Në përgjithësi përpjekja për ndërhyrje përfundon me dështim dhe këta fëmijë lënë shkollën që të vazhdojnë një rrugë, e cila shpeshherë mbaron në martesa katastrofike, në spitale psikiatrike apo në burg.
Pse ndodh kështu?
Shumica e adoleshentëve e zhvillon aftësinë e zgjatjes së kënaqësive, kurse një numër i vogël njerëzish nuk e fitojnë këtë aftësi deri në fund të jetës. Përgjigjja nuk është e panjohur shkencërisht. Këtu hyn dhe faktori gjenetik. Shumë elemente të çojnë në mënyrën se si ndikojnë prindërit te fëmijët.
Burimi: Scott Peck “Rruga në të cilën rrallë shkohet” botim Albas
Shto një koment