Vetënjohja
E një burrë tha: Na fol për Vetënjohjen.
E ai u gjegj, tue thanë:
Zemrat tueja i njohin në heshtje të fshehtat e ditës dhe natës.
Por veshët tuej eshken për tingullin e njohunive të zemrës tuej.
Do të dinit me fjalë atë që ngahera keni ditë me mend.
Do të preknit me gishtërinj kurmin e zhveshun t’andrrave tueja.
E kështu do t’ishte mirë.
Bunari i fshehun i nevojave të shpirtit tuej duhet me çelë dhe rrjedhë tuj
murmurue kah deti;
Dhe thesari i thellësive të pafundme tueja do t’i shpaloset syve t’juej.
Por mos të ketë kandar me peshue këtë thesar të panjohun;
E mos kërkoni thellomat e njohunive tueja me hunj a jehues.
Pse, vetja asht një det i pakufi dhe i pamasë.
Mos thoni: “Kam gjetë të vërtetën”. Porse: “Kam gjetë një të vërtetë.”
Mos thoni: “Kam gjetë shtegun e shpirtit.” Porse: “Kam takue shpirtin
tue ecë shtegut tem.”
Pse shpirti ecën nga tana shtigjet.
Shpirti nuk ecën drejt, e as nuk rritet si xunkth.
Shpirti shpalos veten, si një zambak uji me petale të panumërta.
shkëputur nga libri “Profeti & meditime poetike”,
përkthyer nga Sait N. Saiti,
botuar nga “Albas”
Imazhi nga Kahlil Gibran: “Femrat zbulojnë natyrën”
Shto një koment