info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Jeta e shkencëtares shqiptare

Një grua e suksesshme në familje dhe në profesion

Një jetë me ty, të pandarët, botimi më i ri i Albas-it, është një libër me kujtime i profesoreshës së njohur Luljeta Bozo, e cila u bë aq e dashur dhe e kërkuar në ditët e vështira të pastërmetit. Por ajo është edhe një nga emrat më të vlerësuar akademikë në Shqipëri dhe ka botuar për fushën e inxhinierisë, shkencës dhe gjeoteknikës.

Një libër sa i zakonshëm në llojin e vet, aq edhe i jashtëzakonshëm në rrëfimin e marrëdhënieve të një çifti, që ecin krah për krah si “bashkudhëtarë e bashkëmendimtarë”, që i dhanë shumë dashuri njëri-tjetrit.

Pasi e mbaron së lexuari librin, të mbetet në mendje një dritë e bukur që shoqëron çastet e jetës së përditshme, me shumë punë e përpjekje, të Lules e të Todit, të dashurit të përjetshëm, të cilit ajo ia kushton edhe librin.

Ajo që i bën të veçanta këto kujtime, që fillojnë me njohjen e Lules me Todin, është ritmi i lartë i jetës, i përshkruar thjesht, rrjedhshëm dhe shumë modestish. Shpaloset krijimi i familjes, lindja dhe rritja e fëmijëve, puna si pedagoge, kërkuese e studiuese, rritja profesionale, kualifikime, marrja e titujve shkencorë, botimi i librave universitarë, punët studimore.

E në mendje të mbetet një biçikletë që niset që menatë, bashkë me dy fëmijët e vegjël, për të nisur ditën e vrullshme të punës. Ditë me ngarkesa të mëdha, nga auditori, me orë të tëra para tabelës, me shkumësin në dorë, si pedagoge e lëndës së gjeoteknikës; te Fabrika e Silikateve, për të marrë kampione e për të bërë studime. Çdo orë e ditës e planifikuar në detaje, ndryshe s’mund të shkruheshin 35 tekste mësimore, të mbroheshin titujt e grada shkencore, si Kandidate dhe Doktore e shkencave, Profesore, por edhe të jesh një nënë dhe amvisë e mirë, një veprimtare shoqërore, por edhe të shijosh jetën, t’i gëzohesh natyrës, të lexosh letërsi artistike, të mbash marrëdhënie të afërta me njerëzit, me prindërit, me vjehrrën, me motrat e vëllezërit, me të afërmit e shumtë të dy fiseve të mëdha, Bozo dhe Konomi, që përshkruhen me aq me dashuri dhe me veçantitë e tyre në këto kujtime.

Po kaq impenjime ka edhe Todi, kineast, regjisor filmash dhe dokumentarësh, një nga drejtuesit e kinostudios “Shqipëria e Re”, producent, pedagog, veprimtar shoqëror.

Pas viteve ’90 Luljeta dhe Todi i përgjigjen po me atë vrull jetës në një shoqëri të hapur. Luljeta vazhdon punën si pedagoge në universitet jopublike, drejton prej 20 vjetësh laboratorin e parë privat në Shqipëri për analizat e materialeve të ndërtimit dhe ka një veprimtari shumë të dendur shkencore. Merr pjesë në Kongrese botërore dhe europiane, ku vetë ose me bashkautorësi referon dhe shpalos arritjet dhe problemet në fushën e gjeoteknikës, e bëhet pjesë e këshillave shkencore të këtyre organizmave, ngre Shoqatën e Gjeoteknikëve Shqiptarë, ku në veprimtaritë e saj marrin pjesë shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës.

Këto kujtime vijnë me ritmin e jetës dhe të punës së palodhur të Lules e të Todit, pa ankime dhe pakënaqësi, pa mburrje dhe mendjemadhësi, por me pozitivitetin e një jete të jetuar me të gjitha mundësitë, me guxim dhe me shumë arritje. Një nga më të mëdhatë, fëmijët e suksesshëm.

Motoja e jetës së çiftit Bozo është Jeta është e bukur dhe na jepet vetëm një herë. Prandaj atë duhet të dimë ta jetojmë sa më të plotë e sa më të bukur

Për Luljeta Bozon sekreti i sukseseve të tyre në jetë ka qenë dashuria, respekti, harmonia, kujdesi, dhe sakrifica për çdo pjesëtar të familjes. Dashuria është ajo lëndë magjike që të bën të shohësh gjithçka me ngjyra të bukura, me dritë e ta jetosh jetën të plotë.

“Jeta ka kuptim kur jep e merr, kur jep sa më shumë energji pozitive, dhe merr të tillë prej të tjerëve. Kjo bën të mundur që të përballosh çdo situatë sado e vështirë të jetë ajo, të jep kurajë e forcë të luftosh gjithnjë për më të mirën.      

“Jeta merr një kuptim të veçantë kur arrin të krijosh familjen tënde, kur bëhesh me fëmijë, me nipër e mbesa dhe punon pa u lodhur, me shumë sakrifica, që kjo familje të jetë e mbarë e bashkuar dhe burim frymëzimi për në jetë për të gjithë pjesëtarët e saj.

“Gjatë gjithë jetës ne kemi pasur shumë punë e shumë preokupime për zgjidhjen e problemeve që të nxjerr jeta. Gjithnjë kemi pasur shumë diskutime me logjikë e gjakftohtësi, pa zënka e grindje. Marrëdhënia jonë ka qenë e hapur dhe e sinqertë, me një barazi të plotë në të gjitha veprimet e vendimet, pa hatër mbetje, pa krijuar situata të acarta, që ndjellin vetëm fatkeqësi.

Ne arritëm të jemi si një trup, me një mendje pothuajse për çdo gjë, me një komunikim pa fjalë me njëri-tjetrin, arritëm të jemi bashkudhëtarë dhe bashkëmendimtarë të jetës sonë.”

 

Nga Natasha Pepivani

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

five × three =

X