info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Mbaj gjithnjë një libër me vete

Sipas U.S.News & World Report, ti kalon gjatë gjithë jetës sate  tetë muaj duke hapur letra të kota të sjella, dy vjet duke kthyer telefonata të kota dhe pesë vjet duke pritur në radhë. Po të mendosh për këtë fakt befasues, një nga gjërat më të thjeshta dhe më të zgjuara që mund të bësh për të menaxhuar kohën, është të mos shkosh askund pa një libër me vete. Kur të tjerët rrinë në radhë duke u ankuar, ti rritesh dhe ushqen mendjen tënde me një dietë të pasur idesh nga libra të mëdhenj.

“Sa të rrosh, vazhdo mëso se si të rrosh”, tha filozofi romak Seneka. E megjithatë, shumica e njerëzve nuk lexojnë kurrë më tepër se një dorë libra pasi mbarojnë shkollimin e tyre formal. Në këto kohë me ndryshime të shpejta, idetë janë komoditet për suksesin. Mjafton vetëm një ide nga libri i duhur që ta ndryshojë karakterin, ose të të ndryshojë marrëdhëniet, ose të ta shndërrojë jetën. Një libër i mirë mund të ndryshojë mënyrën se si jeton, siç thotë filozofi Henri Dejvid Thoro tek Walden: “Mund të ketë fjalë që përshkruajnë saktësisht gjendjen tonë, që, po t’i dëgjonim dhe t’i kuptonim me të vërtetë, do të ishin më të shëndetshme sesa mëngjesi apo pranvera në jetët tona dhe mundësisht t’i japin një pamje të re gjërave për ne. Sa epoka të reja ka parë njeriu në jetën e tij nga leximi i një libri. Ndoshta e kemi librin aty, që të na shpjegojë mrekullitë tona dhe të na zbulojë të reja”.

Nuk e përcakton puna e madhe se sa lart shkon në jetë, por sa mirë mendon. Në ligjëratat e mia mbi drejtimin them: “Udhëheqësit më të mëdhenj të ekonomisë së re do të jenë mendimtarët më të mëdhenj”. Dhe personi që do të bëhesh pas pesë vitesh, do të vijë kryesisht nga këto të dyja: personat me të cilët shoqërohesh dhe librat që lexon. Shpesh bëj shaka me publikun në seminaret e mia dhe them se luaj “Tenis me Hirushen”: përpiqem shumë, por nuk arrij dot kurrë në ballo. E megjithatë, kur luaj tenis me dikë që është më i mirë se unë, më ndodh diçka thuajse magjike gjatë lojës. Bëj gjuajtje që nuk kam bërë më parë, hidhem në ajër me hijeshi, me një lehtësi që do ta skuqte edhe lojtarin më të mirë. Leximi i librave të mirë krijon të njëjtin fenomen. Kur ti ua hap mendjen mendimeve të njerëzve të mëdhenj që kanë kaluar mbi këtë planet përpara teje, loja jote përmirësohet, thellësia e mendimit tënd zgjerohet dhe ti ngrihesh në një nivel mençurie krejt të ri.

Leximi i thellë të lidh me njerëzit më krijues, më inteligjentë dhe frymëzues të botës, njëzet e katër orë në ditë. Aristoteli, Emersoni, Seneka, Gandi, Toro, Dorothea Brande dhe shumë nga gratë dhe burrat më të mençur që i dhanë hir planetit tonë, sot po presin që të ndajnë dijet e tyre me ty nëpërmjet librave të tyre. Pse të mos e kapësh këtë mundësi sa herë që të mundesh? Nëse nuk ke lexuar sot, nuk e ke jetuar të sotmen. Dhe të dish të lexosh, por të mos e bësh, të vë në të njëjtën pozitë me njeriun që nuk mund të lexojë, por dëshiron ta bëjë.

 

Burimi: Kush do të qajë kur të vdesësh? -Robin Sharma

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

15 − five =

X