info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Një model propagande

Një model propagande

Masmedia shërben si një sistem për Komunikimin e mesazheve dhe simboleve te popullata e përgjithshme. Funksioni i saj është që të argëtojë, të dëfrejë dhe të informojë me qëllim që t’u rrënjosë individëve vlerat, besimet dhe kodet e sjelljes, të cilat do t’i integrojnë ata në strukturat institucionale të shoqërisë. Për përmbushjen e këtij roli, në një botë me pasuri të përqendruara dhe konflikte të mëdha të interesave klasorë, kërkohet propagandë sistematike.

Në vendet ku levat e pushtetit janë në duart e një burokracie shtetërore, kontrolli monopolist mbi medien, shpesh i plotësuar nga censura zyrtare, e bën të qartë se mediet u shërbejnë skajeve të një elite dominuese. Është shumë më e vështirë të shihet të funksionojë një sistem propagandistik atje ku mediet janë private dhe ku mungon censura zyrtare. Kjo është veçanërisht e vërtetë atje ku mediet konkurrojnë në mënyrë aktive, sulmojnë në mënyrë periodike dhe ekspozojnë keqbërjet e korporatave dhe të qeverive, dhe e portretizojnë veten në mënyrë agresive si zëdhënëse të fjalës së lirë dhe të interesit të përgjithshëm të komunitetit. Ajo që nuk është e dukshme (dhe mbetet e padiskutuar në media) është natyra e kufizuar e kritikave të tilla, si dhe pabarazia e madhe në komandimin e burimeve, dhe efekti i saj si në qasjen në një sistem të medieve private, ashtu edhe në sjelljen dhe performancën e saj.

Një model i propagandës përqendrohet në këtë pabarazi të pasurisë dhe të pushtetit dhe në efektet e saj shumëplanëshe mbi interesat dhe zgjedhjet e masmedias. Ajo gjurmon rrugët me të cilat paratë dhe pushteti janë në gjendje të filtrojnë lajmet që janë të përshtatshme për t’u publikuar, të margjinalizojnë mospajtimin dhe të lejojnë qeverinë dhe interesat mbizotëruese privatë të përçojnë mesazhet e tyre në publik. Përbërësit bazë të modelit tonë të propagandës, ose të grupeve të “filtrave” të lajmeve ndahen si më poshtë: (1) madhësia, pronësia e përqendruar, pasuria e pronarit dhe orientimi i fitimit të firmave mbizotëruese të masmedias; (2) reklamat si burimi kryesor i të ardhurave të masmedias; (3) mbështetja e medieve me informacionin e dhënë nga qeveria, biznesi dhe “ekspertë” të financuar dhe të aprovuar nga këto burime parësore dhe agjentë të pushtetit; (4) “kritika të ashpra” si një mjet për të disiplinuar medien; dhe (5) “antikomunizmi”, si një fe kombëtare dhe mekanizëm kontrolli. Këto elemente ndërveprojnë dhe forcojnë njëri-tjetrin. Lënda e parë e lajmeve duhet të kalojë nëpër filtra të njëpasnjëshëm, duke lënë vetëm materialet e pastruara e të përshtatshme për t’u publikuar. Ato rregullojnë premisat e ligjërimit dhe të interpretimit, dhe përcaktojnë çka është e vlefshme për lajmin në radhë të parë, dhe shpjegojnë bazën dhe veprimet e asaj sasie në fushatat propagandistike.

Dominimi i medieve elitare dhe margjinalizimi i disidentëve që vijnë nga veprimi i këtyre filtrave ndodh aq natyrshëm, saqë njerëzit e lajmeve në media, që shpesh veprojnë me integritet dhe dashamirësi të plotë, janë në gjendje të bindin veten që ata i zgjedhin dhe i interpretojnë lajmet “në mënyrë objektive” dhe në bazë të vlerave të reja profesionale. Shpesh, brenda kufijve të kufizimeve të filtrit, ata janë objektivë; por kufizimet janë kaq të fuqishme dhe të integruara në sistem në një mënyrë kaq themelore, saqë vështirë se mund të imagjinohen mundësitë alternative të zgjedhjeve të lajmeve. Kur më 5 nëntor 1984, qeveria e Shteteve të Bashkuara sinjalizoi se një dërgesë me MIG-ë po shkonte në Nikaragua, mediet nuk u ndalën të vinin në diskutim faktin nëse çka ishte përcaktuar nga dokumentet qeveritare, ishte e njëanshme dhe as nuk morën në konsideratë mundësinë që qeveria mund të manipulonte lajmet, duke imponuar agjendën e saj dhe duke devijuar qëllimisht vëmendjen nga probleme të tjera. Për të kuptuar procese të tilla manipulimi dhe për të interpretuar në mënyrë sistematike ngjarjet, është e nevojshme të njihen jo vetëm veprimet makro, por dhe ato mikro (rast pas rast) të medieve.

 

Fragment nga libri “Fabrikimi i bindjes përmes politikave të medies”,
i Edward S. Herman dhe Noam Chomsky,
përkthyer nga Linda Mëniku,
botuar nga ALBAS

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

16 − 9 =

X