info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Qëndresa e Rosa Parks

Bëj qëndresë për diçka, ndryshe do të rrëzohesh për gjithçka.

“Duke qëndruar ulur, ajo u ngrit për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve dhe dinjitetin e Amerikës”, deklaroi presidenti Bill Clinton, kur po i jepte Medaljen e Artë të Kongresit rrobaqepëses nga Alabama që nisi një revolucion nga ndenjësja e autobusit.

Ishte një mbrëmje e ftohtë dhjetori e vitit 1955, kur Rosa Parks hipi në autobusin që merrte çdo darkë për të shkuar në shtëpi, pas një dite të gjatë pune. U ul në vendin që gjendej menjëherë pas sektorit të rezervuar për njerëzit e bardhë, ku të gjitha ndenjëset ishin zënë. Kur hipën “të bardhë” të tjerë në autobus, shoferi u tha “njerëzve me ngjyrë” të rreshtit të Rosa-s që t’ua linin vendet atyre. Ajo refuzoi në mënyrë sfiduese. Nuk ishte e moshuar apo e lodhur, por siç tha më vonë: “E vetmja gjë që më kishte lodhur, ishte fakti që më duhej të dorëzohesha.” Dhe ky akt rebelimi në dukje i vogël, i cili e çoi në burg, shpërtheu një ndryshim historik. Po atë natë, Martin Luther King, së bashku me dhjetëra udhëheqës të komunitetit afro-amerikan, nisën bojkotin e sistemit të transportit të rajonit, në shenjë proteste ndaj urdhëresës së urryer të segregacionit, e cila kufizonte lirinë e njerëzve me ngjyrë, madje edhe të drejtën për t’u ulur në autobus. Zgjati 381 ditë, duke shkaktuar krizë në sistemin e transportit të qytetit, pasi shumica dërrmuese e atyre që përdornin autobusët dhe paguanin biletat ishin njerëz me ngjyrë. Për të vënë qershizën mbi tortë, shoferët e taksive që ishin me ngjyrë mbështetën bojkotin dhe u ofruan shërbim me çmimet e autobusëve udhëtarëve që shkonin në punë. Më 13 nëntor 1956, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dekretoi që segregacioni racial në mjetet e transportit ishte i jashtëligjshëm, pasi gjykuan se ishte antikushtetues. Beteja u fitua dhe hyri në histori.

Por cila ishte gruaja me kurajë që nxiti revolucionin vetëm me një “jo”? Kur refuzoi të lironte vendin, Rosa Louise McCauley Parks kishte qenë kundërshtare me eksperiencë e segregacionit racial. Faktikisht, ajo ishte aktivizuar në lëvizjen për të drejtat civile që në vitin 1943, duke iu bashkuar Shoqatës Kombëtare për Progresin e Njerëzve me Ngjyrë, në seksionin e Montgomerit, dhe duke u bërë sekretarja e saj. Pas arrestimit, ajo u shndërrua në një flamurtare e luftës për barazi, edhe pse kjo i kushtoi vendin e punës si rrobaqepëse në një dyqan të madh. Pas disa vitesh pune me kohë të pjesshme, në vitin 1965 gjeti punë të përhershme si sekretare e kongresmenit të Detroitit John Conyers. “Do të doja të njihesha si një grua që është e shqetësuar për lirinë, barazinë, drejtësinë dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve”, tha ajo kur ishte 77 vjeçe. Në të vërtetë, ishte shumë më tepër. Ajo frymëzoi krijimin e librave, këngëve dhe filmave, ndërsa ai 1 dhjetor tejet i rëndësishëm u shndërrua në datën simbolike të luftës ndaj racizmit dhe diskriminimit.

 

Shkëputur nga albumi “50 gratë më me ndikim të epokës sonë

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

thirteen − 7 =

X