info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Shitësja e vogël e shkrepëseve

Bënte i ftohtë i madh, dëbora binte dendur dhe ishte thuajse errësirë teksa po binte mbrëmja, mbrëmja e fundit e vitit. Në gjithë atë të ftohtë dhe errësirë, në rrugë ecte një vajzë e vogël e ngratë, kokëjashtë dhe këmbëzbathur. Ishte e vërtetë që nga shtëpia kishte dalë me shapka, mirëpo ato i rrinin shumë të mëdha, sepse gjer pak më parë kishin qenë të së ëmës. Vajza e vogël i humbi ndërsa po kapërcente rrugën kur dy karroca po lëviznin me shpejtësi skëterrë. Kur ajo hodhi sytë te shapkat, pa që njëra prej tyre nuk gjendej gjëkundi, ndërsa një djalë ia mori tjetrën dhe iku me vrap bashkë me të, duke thënë se do ta përdorte si djep pasi të bënte fëmijët e vet.

Ndaj vajza e vogël e gjorë ecte këmbëzbathur, të cilat i ishin mavijosur e skuqur nga të ftohtët. Në një përparëse të vjetër ajo mbante vandakë me shkrepëse, ndërsa një vandak e mbante në dorë. Kishte tërë ditën e ditës që kurrkush s’i kishte blerë as edhe një shkrepëse të vetme, e askush s’i kishte dhënë qoftë edhe një qindarkë.

Eh, vajza e vogël, po ngrinte e shkreta teksa ecte, mishërim i përkryer i mjerimit.

Flokët e dëborës i binin mbi flokët e gjatë ngjyrëkashte, të cilët i vareshin në kaçurrela të bukura gjer në gushë. Por ajo nuk e kishte fare mendjen as te bukuria e saj e as tek i ftohti. Të gjitha dritaret rrëzëllenin nga dritat, e tek ajo vinte aroma e patave të pjekura, sepse ishte pragu i Vitit të Ri. Pikërisht për këtë po mendonte ajo.

Ajo u mblodh kruspull në një cep të përftuar nga dy shtëpi, njëra prej të cilave ishte më e gjatë se tjetra. Ajo qe strukur përposh këmbëve të saj të vogla, por prapëseprapë sa vinte e kishte më shumë ftohtë. Gjithsesi, nuk guxonte të kthehej në shtëpi, ngaqë s’çonte dot asnjë qindarkë, pasi s’kishte shitur asnjë shkrepëse.

I ati pa dyshim që nuk do ta linte pa e rrahur. Pastaj, në shtëpi nuk është se bënte më ngrohtë sesa jashtë, pasi ata kishin vetëm një çati sipër kokës. Ndonëse vrimat e saj më të mëdha ia kishin zënë me kashtë dhe lecka, prapëseprapë kishin lënë shumë të tjera më të vogla, nëpërmjet të cilave vërshëllente era e ftohtë.

Tashti duart e vogla gati i kishin ngrirë nga të ftohtët. Një kunj shkrepëseje do t’i bënte jo pak punë sikur ta merrte nga vandaku, ta fërkonte më pas në mur dhe të ngrohte gishtat me të. Ndaj, në fund, bëri pikërisht ashtu. Pasi e fërkoi, kunji i shkrepëses mori flakë dhe u dogj. Ai lëshoi një flakë të shndritshme të butë, si qiri i vogël dhe vajza e vogël i mbante duart sipër tij. Le pastaj ç’dritë të vogël dhe të mrekullueshme që lëshonte! Vogëlushes i dukej sikur rrinte përballë ndonjë shporeti të madh prej hekuri, këmbët e të cilit qenë prej tunxhi të lustruar dhe po njëlloj ishin edhe kacia bashkë me mashën. Aq shumë ngrohtësi lëshonte, sa vajza e vogël shtriqi këmbët për t’i ngrohur. Sa rehat që ndihej! Mirëpo, ja, flaka u shua, shporeti u zhduk dhe ngeli vetëm vajza e vogël me shkrepësen e djegur në dorë.

Ajo fërkoi një shkrepëse tjetër te muri, e cila u dogj plot shkëlqim dhe në vendin ku binte drita e saj muri u bë i tejdukshëm si vello, prandaj ajo mund të shihte përmes dhomës. Sofrabezi ishte i bardhë borë dhe mbi të kishin vënë takëmet prej porcelani të bukur, ndërkohë që një patë e pjekur, të cilën e kishin mbushur me mollë dhe kumbulla të thata, nxirrte avull të nxehtë dhe erëzonte një erëmirë të këndshme. E më e bukura dhe më e mrekullueshmja qe se pata kërceu nga pjata, me pirunin dhe thikën të ngulura në gjoks, dhe duke u tundur në dysheme vajti drejt vajzës së vogël.

Por atëherë shkrepësja u shua, dhe mbeti muri i trashë i lagësht.

Ajo ndezi një tjetër shkrepëse. E tani ndodhej poshtë një peme Krishtlindjesh mjaft të bukur, e cila qe më e madhe dhe më e zbukuruar se ajo që pati parë përmes dyerve prej xhami në shtëpinë e tregtarit të pasur. Te degët e gjelbra digjeshin qindra qirinj prej dylli, dhe e shihnin figura gazmore, si ato që pati parë te vitrinat e shitoreve. Fëmija zgjati duart drejt tyre, mirëpo shkrepësja u shua.

Megjithatë, dritat e pemës së Krishtlindjes ngriheshin lart e më lart. Tani ajo i shihte si yje në qiell, dhe njëri prej tyre ra duke lënë pas një vazhdë të zjarrtë të gjatë.

– Tani prite kur të vdesë dikush, – mërmëriti fëmija me zë mjaft të ulët, sepse e gjyshja, personi i vetëm që e pati dashur, dhe që tanimë kishte vdekur, i thoshte se sa herë që bie ndonjë yll, aq herë ngjiten shpirtra lart për te Zoti.

Ajo ndezi një shkrepëse tjetër duke e goditur te muri, u bë rishtas dritë dhe në shkëlqimin e krijuar para saj u shfaq mëmëzonja e saj e moshuar, plot dritë e rrezatim, e ëmbël, e dashur dhe e lumtur siç nuk qe dukur asnjëherë kur kishte jetuar në tokë.

– Oh, mëmëzonjë, – thirri fëmija, – merrmë me vete! E di se do të largohesh pasi të fiket shkrepësja. Edhe ti do të zhdukesh si shporeti i ngrohtë, festa e mahnitshme e Vitit të Ri, si pema e bukur e Krishtlindjes!

Nga frika se mos i zhdukej e gjyshja, ajo e ndezi tërë vandakun me shkrepëse duke i fërkuar te muri.

E shkrepëset digjeshin me një dritë të atillë të shkëlqyer, sa u bë më dritë se në mesditë. Mëmëzonja e saj kurrë më parë s’qe dukur aq e madhërishme dhe e bukur. Ajo e mori vajzën e vogël në krahë dhe fluturuan të dyja së bashku, plot gëzim e lavdi, duke u ngjitur lart e më lart nga toka. E asnjëra prej tyre nuk kishte uri, as të ftohtë apo shqetësim, sepse ishin me Hyjin.

Por, kur zbardhi dita, vogëlushja e varfër rrinte në një cep mbështetur pas murit, me faqe të kuqe dhe me qeshje në buzë. Ajo kishte ngrirë nga i ftohti dhe pranë vetes kishte shkrepëset, një vandak të të cilave e kishte djegur.

– Ka dashur të ngrohej, vogëlushja e shkretë, – thoshin njerëzia.

Askujt s’ia merrte mendja se ç’vegime të dashura kishte parë, apo se në ç’mënyrë të lavdishme kishte ikur tok me të gjyshen për të marrë pjesë në gëzimet e Vitit të Ri.

 

shkëputur nga libri “Përrallat e Andersenit”,
përkthyer nga Klodian Briçi,
botuar nga Albas

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

twelve − 7 =

X