Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /home/albas/public_html/wp-content/plugins/booked/booked.php on line 369

Warning: Cannot modify header information - headers already sent by (output started at /home/albas/public_html/wp-content/themes/albas-child/functions.php:111) in /home/albas/public_html/wp-includes/functions.php on line 6878
Shkrimtaret e huaja botuar nga Albas - Shtëpia Botuese Albas
info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Shkrimtaret e huaja botuar nga Albas

Shtëpia botuese Albas numëron tashmë shumë botime. Por nuk janë të paktë zërat femërorë që janë sjellë prej saj për lexuesin shqiptar.

Janë shkrimtare me një vizion ndryshe, që sjellin forma të të shkruarit (gati-gati eksperimentale), që spikatin për origjinalitetin dhe ndikimin e tyre në botën letrare dhe më gjerë. Po përmendim disa prej tyre.

Ilse Aichinger

Ilse Aichinger ishte një shkrimtare austriake. U persekutuar nga nazistët për shkak të prejardhjes së saj hebreje. Ka shkruar poema, tregime të shkurtra dhe ka fituar çmime të shumta letrare evropiane. Albas ka botuar nga Aichinger romanin “Shpresa e madhe”.

Është historia e një vajze të vogël, Elenës, e cila dëshiron të shkojë në Amerikë, atje ku është arratisur edhe e ëma. Amerika është “shpresa më e madhe” për të gjithë që duan të arratisen, para se të jetë vonë. Por është kohë lufte e s’lejohen më udhëtime. Në tre vjetët e jetës së Elenës në libër, lexuesi njihet me ngjarjet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore nën përjetimet, ëndrrat, lojërat e panatyrshme, frikën dhe shpresën e një fëmije që jeton në Vjenën e ideologjisë naziste.

 

Patricia Highsmith

Highsmith është një mjeshtre e prozës poetike. Libri që e bëri të njohur, Të huajt në tren, mbahet mend më shumë për ekranizimin e tij. Albas ka botuar nga Highsmith romanin “Karol”.

Është historia e dy grave që bien në dashuri me njëra-tjetrën. Dashuria në këtë roman vjen me një pamje tjetër. Jeta e tyre ndryshon. Përjetojnë të tjera ndjesi. Takimi mes tyre ua shndërroi monotoninë në një rrugëtim drejt së panjohurës, për të rigjetur të vërtetat e përgjumura brenda dy zemrave femërore.

 

Virginia Woolf

Spikati për një formë të re të shkruari (gati-gati eksperimentale). Mjeshtre e analizës së luftës brendshme të personazheve, të dilemave të tyre, të vetmisë së njeriut modern.

Albas ka botuar nga Woolf romanin “Udha për te fari”. Në roman rrëfehen dy “çaste” që plotësojnë njëra-tjetrën dhe që i ndan një periudhë dhjetëvjeçare. Fillimisht rrëfehet koha e pritjes, gjatë së cilës njoftohet udhëtimi drejt farit, por që ndoshta s’do të kryhet dot; e mandej koha e konkretizimit, kur udhëtimi bëhet, por në rrethana thellësisht të ndryshuara. Një roman i krijuar për të vëzhguar dhe për të përshkruar me imtësi shpirtin njerëzor.

 

Karen Armstrong

Kohët e fundit, Albas ka botuar nga kjo shkrimtare librin Një histori e Zotit, që flet mbi origjinën e Krishterimit, Judaizmit dhe Islamit dhe shpjegon se si koncepti ynë për Zotin ka ndryshuar gjatë gjithë rrjedhës së historisë. Ky “udhëtim” na tregon për njerëzimin dhe për kërkesën e tij të vazhdueshme për të gjetur kuptim dhe qetësi. Nga filozofia klasike dhe misticizmi mesjetar te Reformacioni, Iluminizmi dhe epoka moderne e skepticizmit, Armstrong distilon historinë intelektuale të monoteizmit në një libër tejet të lexueshëm, i paracaktuar të zërë vend në mesin e veprave klasike.

 

Herta Muller

Herta Müller është një romanciere, poete dhe eseiste. Ka marrë Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2009. “Kafsha e zemrës” është romani i botuar nga Albas. Personazhi kryesor, një studente e pakicës shvab, e cila gjatë regjimit të Çausheskut në Rumani, tronditet nga vetëvrasja njërës prej shoqeve të saj të dhomës. Akoma më e ankthshme bëhet gjendja, kur i bie në dorë ditari i saj. Absurditeti i jetës në diktaturë dhe qëndrimi i paepur disident ecin krah për krah në këtë roman, i cilësuar si kryevepra e nobelistes Herta Müller.

 

Melania G. Mazzucco

Këtë shkrimtare Albas e bën të njohur për lexuesin shqiptar me romanin: “Vita”. Ngjarjet zhvillohen në Nju-Jork, 1903: në qytetin e mundësive të mëdha, ku zbarkojnë dymbëdhjetë mijë të huaj çdo ditë, mbërrijnë Diamanti dhe Vita, dy fëmijë, dymbëdhjetë dhe nëntë vjeç. Mes urisë, peripecive, kërcënimeve të Dorës së Zezë e të një babai të dhunshëm, dy fëmijët, të lidhur fort pas njëri-tjetrit nga një pasion i hershëm dhe i parakohshëm, zbulojnë së bashku ngasjet, seksin, dashurinë, tradhtinë dhe besnikërinë.

 

Joyce Carol Oates

Joyce Carol Oates është një shkrimtare amerikane. Oates e botoi librin e saj të parë në 1963 dhe që nga ajo kohë ka botuar 58 romane, mjaft drama dhe novela, si dhe shumë vëllime me tregime, poezi dhe trillime. “Bija e varrmihësit” është romani i botuar prej saj nga Albas.

E bija varrmihësit, Rebeka Shvart, mbetet jetime që e mitur. Pas tragjedisë, ajo fillon aventurën e saj nëpër Amerikë, e përfshirë në një odise të jashtëzakonshme e të rrezikshme erotike, në një vorbull misteri dhe zbulimi të vetvetes. “Bija e varrmihësit” është një roman për identitetin dhe sfidat me të cilat përballemi për të triumfuar në të shkuarën tonë dhe për të fituar pranimin e të tjerëve.

 

Olga Tokarczuk

Olga Tokarczuk është shkrimtare polake, autore e mjaft librave të vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2018, për librin “Shtërgjet”, fiton çmimin prestigjioz “Man Booker International Prize”, e vetmja autore polake e nderuar me këtë çmim deri më sot. Po këtë vit u nderua me çmimin “Nobel në letërsi”. Tokarczuk shquhet për një stil të veçantë rrëfimi, të cilin vetë e ka quajtur “roman konstelacion” i cili i lejon secilit prej lexuesve të përvijojë trajta kuptimplote prej tyre.

 

Emmanuelle Favier

Albas ka botuar një nga librat më të diskutuar dhe të lexuar të kësaj autoreje. Një roman me subjekt shqiptar. Manushja është betuar të bëhet burrneshë. Që nga dita kur ia presin shkurt flokët e artë, që ia djegin para kuvendit të burrave në një zjarr, ku hedhin pajën e qepur për tri vite rresht, ajo vesh tirqit e burrave, vë qeleshen mbi kokë dhe të gjithë burrat e respektojnë dhe e konsiderojnë të barabartë me ta. Por ardhja e Adrianit do t’i zgjojë dëshira të ndaluara, duke i kujtuar se femra që ka ndrydhur brenda vetes ende jeton.

Realiteti i maleve merr ngjyra poetike në këtë roman magjepsës, që përcjell me forcë përplasjen e miteve të lashta me realitetin. Emmanuelle Favier ka marrë disa çmime për këtë libër.

 

Jane Hawking

Shkrimtare dhe mësuese që na befasoi me librin e jetës së saj “Jeta ime me Stivenin” i botuar nga Albas.

Është jeta e saj me Stiven Hawking, një jetë mes shkencës dhe vështirësive të përditshme. Rrugëtim mes yjesh, shkencë, kërkime, zbulime, art dhe emocione pa fund, që përçohen prej dëshmisë së Jane. Roli i saj për Hawking absolutisht ishte më i rëndësishmi. Sepse ëndrrat, lavdia, sfidat e kanë një çmim.

 

Të gjithë këta zëra femërorë përdorin fjalën e shkruar që të sjellin në vëmendje përvojat, identitetin, seksualitetin, martesën, dashurinë, familjen, jetën. Këto gra kanë thyer tabutë tradicionale në një fushë ku dominonte fryma mashkullore. Ato përdorën një gjuhë të re, që i fuqizoi.

 

Nga Artemisa Bushi

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

4 + 7 =

X