info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Të krijosh vetë mundësi më të mira

Në ditën e parë, kur të gjithë jemi në qytetin e lindjes, gjëja më e natyrshme që mund të bëjmë është shëtitja rrugëve të tij për të parë ndryshimet. Kështu m’u zgjua edhe mua ky kuriozitet “prej të sëmure nostalgjike” dhe nisa të endesha sa në një rrugë tek tjetra.

E kisha parë edhe më parë Pazarin e Ri. Bukur dhe me ngjyra. Mendova të kthehesha në një moment tjetër aty me synimin e kuzhinieres 😉 , pra për rigonin me aromë toke dhe çajin e malit, që, për fat të keq, nuk mora as njërën, as tjetrën! Kështu është kur i lë gjërat pas dore. Por, këtë gjë nuk e bëra me librat. Ndaj tek endeshim me tim shoq në rrugën përballë qendrës së madhe Toptani, e cila vërtet është e kohës si në arkitekturë, ashtu edhe në çmime, këtu hap kllapa (si bëjnë me ato çmime.. dhe mbyll kllapa… puna e tyre), më ndeshet shikimi me një vitrinë të vogël, shumë të këndshme librash.

Sinqerisht nuk e njihja atë shtëpi botuese, nuk kam lidhje direkte me këtë lloj menaxhimi, u futa brenda vetëm e shtyrë nga dëshira dhe nevoja e materialeve didaktike. Më mungonin dhe kam kohë që i kërkoj. Aty gjeta botën e fëmijëve. Një saktësi gjuhe dhe ilustrimi vërtet fantastike, është pak të thuash. Humba në atë gamë të gjerë materialesh që ofronte dyqani. Zonja, e cila më shërbeu, do të më fali që nuk munda t’i memorizoj emrin, u përpoq me të gjitha mundësitë e saj të më ndihmonte.

Unë nuk mund të transportoja me vete peshë të madhe, se rregullat e fluturimit këto janë, ndaj gjetëm një alternativë të pranueshme. Porosita për numrin e nxënësve që kam në klasën e abetares, pasi ajo nuk kishte për momentin sasinë e madhe për të cilën isha e interesuar, me premtimin se do të rikthehesha ditën e fundit të qëndrimit tim në Tiranë. Ka aq shumë gjëra të bukura në atë librari, pa vënë në dyshim si mund të këtë edhe në të tjera, sa unë i premtova vetes që, sa herë do të jem në Tiranë, do t’i krijoj vetë mundësinë nxënësve për më të mirën.

Me tekste pa gabime, me vjersha të thjeshta, me gjuhë të pastër, ashtu siç meriton një fëmijë këndej nga anët tona. Shtëpia botuese Albas me një kontingjent librash pa fund cilësorë të bënte lakmues. U riktheva ditën e fundit, shërbim, korrektesë, faturë, çmim me ulje, buzëqeshje dhe duart m’u mbushën plot me energjinë e bukur të shkronjave.  Atje ishte edhe mundësia e një çante pune , ku brenda kishte një abetare të re flakë si themi ne, një fletore pune për bukurshkrim, libër pune i cilësisë  së lartë dhe disa materiale personale për çdo nxënës. Kushtonte rreth 2 300 të reja, asgjë për fondin kolosal që ka në dispozicion Ministria e Diasporës për samitet e radhës.

Por nuk i biem në qafë, pasi edhe ato do t’i blejmë vetë. Do t’i kërkoj vetëm nderin që të m’i nisin me një pako, nëse këtë nder do të munden të na e bëjnë. Vetë prindërit janë gati të investojnë për fëmijët e tyre, ndaj e kam thënë dhe e them, të krijosh vetë mundësi më të mira është çështje pasioni dhe jo interesash. Fëmijët u gëzuan sot dhe unë bashkë me ta.

Anila Kadija

Gazetare e lirë dhe profesioniste e gjuhës shqipe në Londër.

 

http://www.gazetadita.al/te-krijosh-vet-mundesi-me-te-mira/?fbclid=IwAR0LPzymn2svf-hjTIS3IQaznM61u-rrk9RdFG-HwP1PIwz_bgFvVnmn244

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

18 − six =

X