
Clemens
Meyer
Nata, dritat
Clemens Meyer lindi në 1977 në Halle, Saale, dhe jeton si shkrimtar në profesion të lirë në Lajpcig. Në vitin 2006, romani i tij debutues “Als wir traumten” /”Kur ne ëndërronim” pasoi më 2008-n me vëllimin me tregime “Die Nacht, die Lichter” (“Nata, dritat”); ”Fuqitë. Një ditar” në vitin (2010), dhe romanin “Në gur”(2013) Për librat e tij, Clemens Meyer është vlerësuar me çmime të shumta, duke përfshirë Çmimin e Panairit të Librit të Lajpcig-ut me librin “Në gur”, u kandidua për Çmimin e librit gjerman, u nderua me Çmimin e Letërsisë së Bremenit dhe ka qenë i nominuar më 2017-n për International Man Booker Prize.
Nga krijimtaria e tij janë bërë edhe filma që kanë konkurruar dhe janë vlerësuar në Berlinale “Als wir traumten” 2015 dhe në vitin 2018 “In den Gaengen”, një tregim ky nga libri “Die Nacht, die Lichter”. Clemens Meyer është mjeshtër i tregimit të shkurtër. Ai shkruan tregime me temë nga e tashmja dhe është një nga zërat formues të letërsisë gjermane bashkëkohore; shkruan tregime dhe romane po aq të zymtë sa jeta dhe po aq të bukur sa edhe shpresat më të bukura.
Ai është i interesuar në shkrimet e tij për heshtjen, të fshehtën, njëkohësisht edhe për estetikën e dhunës, për shpërthimet, emocionet, errësirën; për njeriun, si një peng të fatit, të dashurisë, dhe shoqërisë, dhe për rebelimin e tij, personazhet e tij rreken në kërkim të të kuptuarit të gjendjeve ekzistenciale të tilla si: lumturia, vetmia, dështimi.

