info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
50 gratë më me ndikim të epokës sonë

“50 gratë më me ndikim të epokës sonë”, albumi që na rrëfen si në një film

“50 gratë më me ndikim të epokës sonë” sjell profilet e jetëve të disa prej heroinave të njëqindvjeçarit të fundit, të cilat me forcën e jashtëzakonshme, këmbënguljen dhe gjenialitetin e tyre ndikuan fuqishëm në fushat përkatëse. Me arritjet mbresëlënëse dhe shembullin e pakrahasueshëm, ato u dhanë drejtësinë e munguar grave, të cilat deri vonë shiheshin si të virtytshme vetëm në cilësinë e bijave kokulura, bashkëshorteve dhe nënave të përkushtuara.

Krahas teksteve, faqet e këtij libri janë të ilustruara edhe me fotografi, të cilat paraqesin jo vetëm portretet e tyre, por sjellin edhe dëshmi të disa prej çasteve historike më domethënëse, nga fundi i shekullit XIX deri në ditët tona.

Gjuha e përdorur nga autorja, Chiara Pasqualetti Johnson është e thjeshtë. Ajo e ka vënë theksin te përmbajtja e historive të protagonisteve të librit, pasi janë këto histori që, jashtë çdo gjase, treguan se përkrah talentit, me një vullnet të hekurt dhe punë, gratë ia dolën mbanë që të zënë një vend dinjitoz në disiplina, si shkenca, arti, letërsia, sporti apo politika, të cilat i përkisnin vetëm universit të ngurtë e paragjykues mashkullor. Një hapësirë u është kushtuar edhe mendimeve të shprehura nga vetë protagonistet, të cilat paraqiten në formë citatesh.

Siç shprehet vetë Pasqualetti Johnson, “këto pesëdhjetë jetë janë ilustruar në vija të përgjithshme, me tekste të shkurtra, të hartuara jo si biografi, por me qëllimin për të zgjuar kërshërinë e lexuesve”. Ndaj dhe është menduar që emrat e grave, të cilat janë me origjinë nga kontinente të ndryshme, të mos shqipërohen, por të lihen në versionin origjinal, për t’i dhënë mundësinë lexuesit që të hulumtojë më tej, nëse do të gjykojë të arsyeshme, dhe të zhvillojë kërkime më të detajuara.

Ky rrugëtim që ndalet në disa prej momenteve me ndikimin më të madh në historinë e shekullit XX, nis me luftaraken Emmeline Pankhurst, betejën e saj në kërkim të së drejtës për të votuar. Vazhdon me shkencëtaren Marie Curie, e cila deri më sot, është e vetmja që ka fituar çmime “Nobel” në dy fusha: kimi dhe fizikë. Maria Montessori-n, metodat largpamëse mësimdhënëse të së cilës bënë revolucion në arsim. Virginia Woolf-in, një nga mendjet më të mprehta dhe penat më brilante të historisë së letërsisë. Coco Chanel-in, e cila përmbysi konceptet e elegancës femërore të kohës. Guximtaren Amelia Earhart, pilotja që bëri të pasionoheshin pas saj miliona njerëz. Agatha Christie-n, mendja krijuese e mbi 80 romaneve dhe tregimeve, me më se dy miliardë kopje të shitura. Golda Meir-in, e konsideruar si “pasionarja e sionizmit” dhe Margaret Thatcher-in, Zonja e Hekurt.

Në këtë libër gjenden edhe personazhe, si Leni Riefenstahl, regjisore filmash e dokumentarësh: gjeniale për kontributin e saj në zhvillimin e teknikës së xhirimit të filmave. Josephine Baker, një valltare e njohur ndryshe si Venusi i Zi, e cila ashtu si Mata Harri, u kthye në agjente spiunazhi. Frida Khalo, piktorja meksikane e cila bëri art me dobësitë e saj e fizike. Nuk mund të mungonte Nënë Tereza, gruaja shtatvogël me një zemër të madhe dhe as mikja e saj Lady D., princesha e popullit dhe “trëndafili i Anglisë”. Elizabeth II, mbretëresha me një jetë të tërë në funksion të monarkisë. Simone Veil, e cila propozoi ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, i njohur në Francë me emrin Loi Veil. Anne Frank, vogëlushja që me pafajësinë e saj dëshmoi me forcë krimet e rënda ndaj hebrenjve. Mary Quant, me një prej krijimeve të famshme në mbarë botën, sa u përket veshjeve: minifundin. Wangari Maathai, ambientalistja dhe aktivistja afrikane që arriti të mbjellë 30 milionë pemë në Afrikë dhe u siguroi punë një numri të jashtëzakonshëm grave. Billie Jean King, tenistja që nuk toleronte pabarazinë mes gjinive në sport. Malala Yousafzai, aktivistja e re palestineze, u shndërrua në simbol për të drejtat e studimit të fëmijëve kudo në botë, e vlerësuar me çmimin “Nobel për Paqen”.

Sipas autores Chiara Pasqualetti Johnson, përzgjedhja e personazheve (mes qindra grave që ndikuan në rrjedhën e kohës) ka qenë një sfidë e vështirë, por me arritjet dhe shembullin e tyre, këto gra, pa dyshim, kanë frymëzuar ndër vite gjenerata të tëra.

Përgatiti: Ornela Islami
(përkthyesja e albumit)

Porosite tani!

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

3 × 2 =

X