info@albas.al
TEL: 04 580 0160
Close
Njerëzore e “Gabuar”

Ai e quante Shqipërinë “vend i gabuar”. Siç quante edhe Greqinë kohët e fundit, sidomos që kur i mohuan shtetësinë greke, me arsyetimin e “mospërputhjes me normat dhe traditat e kulturës së krishterë greke, të racës greke dhe të shtetit grek”.

A ekziston “individi” si i vetëm dhe i papërlyer nga doktrinimi në komunizëm? Në librin e debutuar së fundmi të Gazmend M. Kapllani “Faqja e fundit”, sensacioni i përshkrimit trupëzohet mes jetës dhe harresës të sistemit, për të dhënë një produkt të frikshëm te qeniet njerëzore. A mund të quhesh individ “i gabuar” vetëm sepse lind në kohë “të gabuar” brenda një shteti të quajtur “të gabuar”?

 Romani çelet me termin “vendet e gabuara” si kumtesë i një realiteti shformues për mendjet njerëzore. Si ishte të mbijetoje asokohe? Kush ishte armiku, sistemi apo vetë njerëzit që formuan frymën e kalbur kolektive? Leximi i çdo paragrafi emeton pashmangshmërisht krijimin e një zinxhiri pyetjesh sa i takon jetesës me dhimbjen dhe pafuqinë për të bërë një dalje nga kaosi. Autori e kornizon Shqipërinë me një katror të mbyllur si brenda dhe jashtë. Edhe emigrantët ishin viktima të fuqisë totalitare, paç ka se mund të dilnin jashtë trojeve amtare, e sërish mendja pulsonte brenda kuadratit ku familjarët gjallonin, mes frikës, terrorit dhe vdekjes.

Homo homini lupus est (Njeriu për njeriun është ujk). Diktatura rreket distopike për brezat e sotëm, shpesh e përvijuar me nota habie për absurdin shoqëror. Absurdi jetonte mes intelektualëve të internuar pasi lexonin libra të ndaluar, asokohe libra “të gabuar”. Absurdi shtrihej më tej, te besimtarët me fe “të gabuara”. Absurdi kulmonte tek adhurimi i figurave të korruptuara, si pasojë e frikës dhe pushtetit. Kështu, absurdi ishte faktori kyç në zhveshjen humane dhe dinjitoze të individit. Shqiptarët ktheheshin të huaj për njëri-tjetrin, armiq dhe vrasës. Autori e përflak me forcë apatinë e personazhit kryesor për vendin te tij. Shqipëria identifikohej me “gropën e zezë”, ku dhe drita kishte fat të pakthyeshëm.

Melsi është personazhi kryesor i veprës, duke shkuar më tej në një dëshmitar të fortë të sistemit, “i pajtuar dhe i gatshëm me gjithçka”. Si ruhen të pastra dëshmitë? Përmes gjuhës. Sa më e lartë gjuha dhe përshkrimi, aq më e fortë mbetet esenca e ngjarjeve të shkuara. Sot, rinia mbart në duar vetëm përshkrime të vakëta të kohës së pajetuar, të komunizmit izolues. Vepra si “Faqja e fundit” mishërojnë një projektim rrëqethës jo të sistemit, por të humanes në veçanti. Individi ishte i shtypur. Individi luftën e niste me tjetrin për të ardhur tek kapitullimi i vetes.

Leximi i romanit shpërfaq më shumë se një mesazh gjeneral të rëndomtë. Romani është dëshmi e një gjuhe të thellë në zbulimin e individit të shtypur nga vetja dhe tjetri, nga i huaji dhe i brendshmi. Në një vend të stigmatizuar si “i gabuar”, me njerëz “të gabuar” që kultivojnë fe “të gabuar”, transmetohet e vetmja artificë, si gjuha që jepet si e ndërlikuar, por kurrë e “gabuar”. Dalja jashtë fatalizmit të harresës vjen vetëm nga gjuha. Gjuha e njeh individin.

Sistemi e zhveshi njeriun nga feja dhe besimi, prangosi dijen, i fali shteg frikës, palirisë, traumave, duke hequr të drejtat njerëzore të gjuhës. Në këtë pikë, a mund të themi se kemi një “individ”? Ftesa për leximin e veprës “Faqja e fundit” vjen si dhuratë për aktualitetin tonë të vërtetë. Sot që flasim duhet të jemi të vetëdijshëm dhe falënderues për ndërtimin hap pas hapi të vetes në një qenie të kompletuar, në një kohë jo më të kornizuar në katror të mbyllur. Koha sot nuk është më “e gabuar”. Individi është i lirë t’i shtrijë duart në diell, pa frikë, pa censurë e të krijojë versione më të mira të vetes çdo ditë e më tej.

Për brezat që kurrë nuk e njohën sistemin e doktrinuar të vdekjes, vepra “Fjala e fundit” vjen e vërtetë, krahasimisht me çdo botë tjetër të trilluar disutopike, një e vërtetë mbi njerëzoren e humbur.

Nga Xhoana Jaku

Shto një koment

Adresa juaj e email nuk do të publikohet. Fushat që përmbajnë * janë të detyrueshme

two × five =

X